Piloti David Ibbotson, i cili kishte qenë duke e drejtuar aeroplanin me të cilin po udhëtonte lojtari i Cardiff Cityt, Emiliano Sala, besohet se ishte çorientuar nga një pajisje e cila nuk po funksiononte siç duhet në aeroplan, për shkak se kishte ngrirë. Media angleze, DailyMail, raporton se kjo është arsyeja pse aeroplani u rrëzua në Kanalin Anglez.
Aeroplani me të cilin Sala po udhëtonte nga Nantes në Cardiff u zhduk të hënën në mbrëmje, pasi e humbi kontaktin me qendrën Casquets për kontrollin e trafikut ajror, rreth 13 kilometra larg ishullit Guernsey të Britanisë së Madhe, transmeton Gazeta Express.
Piloti kishte kërkuar të ulej nga 1524 metra lartësi mbidetare në 762 metra, vetëm disa sekonda para se të zhdukej aeroplani. Tani besohet se zhdukja ndodhi pasi që aeroplani u përplas në Kanalin Anglez për shkak të keqfunksionimit të një pajisjeje në aeroplan.
Besohet se pasi u rrëzua, aeroplani mbeti në zonën më të rrezikshme të kanalit, të njohur si “Hurd’s Deep”.
“Vetëm pak para se të zhdukej, piloti kërkoi të ulej nga 1524 metra lartësi në 762, që është me të vërtetë e pazakonshme. Është e mundur që ai ta ketë kërkuar këtë gjë në mënyrë që t’i shkriheshin pajisjet e ngrira”, ka thënë Julian Bray, ekspert i aviacionit.
“Ai me siguri ishte në lartësi shumë të ulët sesa që besonte. Sinjalizuesi kishte ngrirë dhe ia tregonte atij lartësinë e gabuar”.
Kërkimi për sulmuesin argjentinas, i cili u transferua te klubi i Premierligës javën e kaluar, dhe pilotin përfundoi të enjten, pasi që policia e Guernsey vendosën të mos e vazhdojnë këtë proces për shkak se nuk gjetën asnjë shenjë të aeroplanit gjatë tri ditëve të kërkimit.
Policia kanë bërë të ditur se ka shumë pak mundësi që Sala dhe piloti të kenë shpëtuar. Sala kishte udhëtuar me të njëjtin aeroplan edhe për udhëtimin e tij nga Cardiffi në Francë dhe sapo kishte zbritur, u kishte thënë miqve dhe ish-bashkëlojtarëve të tij se udhëtimi nuk kishte qenë i rehatshëm.
Kur e nisi udhëtimin për t’u kthyer te klubi i tij i ri, Sala i dërgoi mesazh miqve të tij duke i thënë se aeroplani ishte duke i bërë disa zhurma të çuditshme. Disa media angleze raportuan se aeroplani e kishte pasur të vështirë edhe të nisej dhe kishte provuar katër apo pesë deri sa më në fund ishte nisur.