Elton dhe Klodian Lestakaj akuzonin vëllezërit Ardian Nikulaj dhe Arben Nikulajn për vrasjen e familjarëve të tyre, Lauren dhe Gëzim Lestakaj.
TIRANË- Hapet një tjetër pistë hetimi për vrasjen e biznesmenit dhe eksponentit politik, Ardian Nikulaj. Pista e hakmarrjes është një nga pistat që është në duart e hetuesve që po hetojnë vrasjen e biznesmenit në Lezhë Ardian Nikulaj.
Në emisionin “Review” në Euronews Albania u analizua konflikti 26-vjeçar mes familjeve Nikulaj dhe Lestakaj më qytetin e Lezhës dhe gazetarja Jonida Shehu risolli një intervistë të bërë shtatë vite më parë. Në atë kohë, Elton dhe Klodian Lestakaj akuzonin vëllezërit Ardian Nikulaj dhe Arben Nikulajn për vrasjen e familjarëve të tyre, Lauren dhe Gëzim Lestakaj.
“Unë isha me xhaxhain dhe me nipin, shkuam te toka po punoja tokën aty, isha 20 metra larg tyre dhe pashë që dolën nga kanali Ardian Nikulaj dhe Arben Nikulaj dhe gjuajtën në drejtim të tyre me automatik. Ika në shtëpi dhe u tregova të shtëpisë se çfarë ka ndodhur. Ishte dhe një djalë tjetër aty, që ka folur me xhaxhain dhe nipin, aty nga rrethi i Balldrenit, djali i Musa Drisë i vogli, ai ka parë ngajrjen por nuk ka dhënë dëshmi. I vajti babai dhe e pyeti për me ditur kush ishin personat dhe ai i tha të njëjtët persona, Ardianin dhe Arbenin që vranë Laurenin dhe Gëzimin,”- thoshte Lestakaj.
Deri më tani raportohet se në atentat kanë marrë pjesë të paktën 3 persona. Dy prej tyre kanë marrë pjesë si vëzhgues, ndërsa një ka qenë organizatori. Ardian Nikulaj u ekzekutua mesditën e së mërkurës kur sapo kishte hyrë dhe ulur në një tavolinë në lokalin në pronësi të tij në vijën e parë të plazhit të Shëngjinit. Nikulaj ishte biznesmen në Lezhë, ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021-shit dhe kandidat për Këshill Bashkiak në zgjedhjet e 14 majit.
Autori, siç u pa nga pamjet, mban një maskë, skafandër, jelek fosforeshent dhe i kamufluar me veshje të trasha. Ai futet në lokal, qëllon me armë Nikulajn dhe pasi kryen vrasjen me pistoletë në një distancë shumë të afërt largohet qetësisht me motor nga vendngjarja. Viktima rezulton i arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje dhe kontrabandë e falsifikim, ndërkohë që pista ku po hetohet është ajo e gjakmarrjes. Kjo pasi Nikulajt i është vrarë një vëlla nga pjesëtarë të fisit Balaj. Kjo ngjarje është pasuar në dy të vrarë nga familja Balaj dhe për asnjërën nga ngjarjet nuk ka pasur të arrestuar. Nuk përjashtohen konfliktet për bizneset apo politikën.