Zbulime të reja arkeologjike në qytetin antik e Orikut

Në parkun arkeologjik të Orikut vijojnë gërmimet arkeologjike të projektit shqiptaro-zviceran të Institutit të Arkeologjisë së Tiranës dhe Universitetit të Gjenevës së Zvicrës, të cilat po kryhen në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare Vlorë.

Gërmimet e këtij viti janë fokusuar në pjesën veriore të fontanës monumentale, gërmimin dhe gjurmimin e fortifikimit antik, si dhe zbulimin tërësor të kishës mesjetare.

Gjatë muajit shtator vizitorët në parkun arkeologjik të Orikut kanë mundësinë të ndjekin nga afër punën e arkeologëve dhe zbulimet e reja arkeologjike.

Qyteti antik i Orikut shtrihet pranë qytetit të sotëm të Orikumit, themeluar nga Eubeati në shekullin Vl para Krishtit, në trojet e fisit ilir të amantëve, mbi kodrën e njohur me emrin Paleokastër. Përmendet nga autorët antikë të shekullit të V para Krishtit, si port i rëndësishëm i Adriatikut. U shfrytëzua nga romakët në luftërat kundër ilirëve dhe maqedonëve, luajti një rol të rëndësishëm në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeut.

Në shekullin Vll, pranë tij u ndërtua kisha e Marmiroit dhe disa kisha të tjera që në themel të emrit të tyre kanë emrin Maria. Këtë gjë e shohim tek manastiret e Ardenicës (Lushnjë), Apolonisë (Fier), Manastirin rrënojë të Ballshit, Manastirin e Zvërnecit, Manastirin e Dhërmiut, etj.

Sot, qyteti i Orikumit mbetet një destinacion turistik tepër i preferuar për natyrën detare dhe malore, për historinë dhe kulturën, për detin dhe plazhet ranore./atsh

Loading...