Për t’i shpëtuar kapjes nga sanksionet perëndimore, miliarderi rus Roman Abramovich e tërhoqi superjahtin “Solaris” në një “strehë të sigurt” në Mal të Zi, sipas një raporti të gazetës britanike “Daily Mail”.
Jahti luksoz me vlerë 600 milionë dollarë lundroi nga Spanja dy ditë përpara se të vendoseshin sanksionet britanike.
Sipas medias britanike, “Solaris” , që konsiderohet si një nga Jahtet më të shtrenjta dhe luksoze në botë, u largua nga porti i Barcelonës ku kishte lundruar, me destinacion portin e Tivarit. Jahti 140 metra i pasanikut rus nuk kishte regjistruar një destinacion në sistemin e tij të gjurmimit, duke bërë që të shpëtojë nga bllokimi.
Roman Abramovich është ndër shtatë oligarkët rusë për të cilët Britania ka vendosur të ” ngrijë ” asetet e tyre për shkak të lidhjeve me Vladimir Putin. Ai, megjithatë, ka mohuar vazhdimisht çdo lidhje me Kremlinin.
Gazeta britanike raporton gjithashtu se jahti luksoz zhvilloi një shpejtësi të madhe për t’u larguar nga ujërat e Evropës Perëndimore dhe për t’u ankoruar mëngjesin e sotëm (pak para orës 08:00 me orën britanike) në portin e Tivarit në Mal të Zi.
Zgjedhja e vendit sigurisht nuk ishte e rastësishme. Mali i Zi nuk i përket BE – së – edhe pse pritet të anëtarësohet në vitin 2025 – kështu që është qartazi një strehë më e sigurt për Abramovich, i cili gjithashtu po përpiqet të shesë ekipin e tij të futbollit Chelsea FC. Vlen të theksohet se, megjithëse Mali i Zi javën e kaluar ra dakord për sanksionet e BE-së kundër Rusisë, në praktikë gjithçka që ka bërë deri më tani është ndalimi i fluturimeve ruse nga hapësira e tij ajrore.
Jahti Solaris ka tetë kate dhe një helikopter. Shpejtësia e tij arrin 18 nyje, ndërsa pasagjerët mund të shijojnë një pishinë me përmasa olimpike, një klub plazhi në natyrë, një xhakuzi dhe një spa.
Ai ka gjithsej 48 kabina dhe mund të strehojë deri në 36 pasagjerë dhe një ekuipazh prej 60 personash.
Jahti është ndërtuar në Bremerhaven të Gjermanisë, në një zonë më të madhe se Pallati Buckingham. /abcnews.al/