Përveçse është i lehtë për t’u kultivuar, nenexhiku ka përparësi të mahnitshme.
Në vijim ju sjellim disa këshilla se si t’i largoni në mënyrë natyrale me ndihmën e nenexhikut insektet e padëshirueshme, të keni gjithmonë erë të freskët në shtëpi dhe t’i lehtësoni dhimbjet e barkut.
Është shumë e rëndësishme të theksohet se nenexhiku përhapet shumë shpejt, prandaj është e rëndësishme të mbillet në vazo të veçanta dhe jo të kultivohet në vazo së bashku me bimët e tjera për shkak se shumë shpejt do ta merrte gjithë kopshtin tuaj.
Por nga ana tjetër, nenexhiku ka veti vërtetë të mahnitshme, prandaj nuk ka arsye që të mos e mbani në shtëpinë tuaj, shkruan Mother Earth Living.
Kultivimi i nenexhikut do të tërheqë në kopshtin ose në ballkonin tuaj shumë insekte të dobishme. Nenxhiku është i pasur me nektar dhe polen, dhe ai do t’i mbajë këta ushqyes në dispozicion për insektet e dobishme, si bletët.
Përveçse i tërheq ‘insektet e mira”, nenexhiku gjithashtu i largon ‘insektet e këqija’. Për t’i larguar milingonat dhe mizat, mbani vazot me nenexhik pranë derës apo në dritare. Përveç kësaj, zonën përreth dyerve dhe dritareve mund ta spërkatni me vajra të holluar esencial të nenexhikut (masa duhet të jetë: dhjetë pika uji me një pikë të vetme të vajit).
Nenexhiku është i shkëlqyer edhe tek parandalimi i shfaqjes së pleshtave tek kafshët shtëpiake. Receta është shumë e thjeshtë: në ndonjë garzë ose leckë vendosni dy gjethe të nenexhikut të freskët, një gjethe të trumzës së freskët dhe një gjethe të pelinit të freskët. Të gjithë këtë e vendosni nën jastëk ose batanije në të cilën fle kafsha e juaj shtëpiake.
Çaji nga menta është një mënyrë e shkëlqyeshme e zbutjes së problemeve me stomak. Nenexhiku ndihmon në qetësimin e traktit digjestiv dhe ndihmon në tretjen e ushqimit, tek fryrja dhe dhimbjet në stomak.
Menta e ftohë dhe freskon lëkurën, gjë që e bën nenexhikun një bimë të shkëlqyer për të nxehtit e verës. Përdoreni atë për ta lehtësuar dhimbjen nga djegia nga dielli duke e bërë një çaj shumë të koncentruar të nenexhikut dhe duke e ftohur mirë në frigorifer. Për ta qetësuar lëkurën e djegur nga dielli, thjesht vendosni fasha nga çaji i përgatitur.
Që shtëpia juaj gjithmonë të ndihet e freskët, shtoni disa pika të vajit esencial të nenexhikut në preparatin për pastrim i cili normalisht nuk ka erë. Gjithashtu nuk është keq ta provoni edhe këtë mënyrë të shkëlqyeshme të pastrimit të dyshemeve i cili i mirëmban dyshemetë nga druri: holloni një filxhan uthull të bardhë në një litër të ujit dhe shtoni 3-5 pika vaj esencial të nenexhikut.
Nenexhiku është një pije e shkëlqyeshme freskuese. Shtoni gjethe të nenexhikut të freskët në ujë të ftohtë ose çaj të zakonshëm të akullt dhe lëreni të qëndrojë për gjysmë ore ose më shumë. Pas kësaj, këtë pije të shkëlqyeshme shërbejeni me shumë akull.
Ushqimet që i hani shpesh pasuroni me nenexhik. Gjethet e grimcuara imët të nenexhikut të freskët vendosni në bizele, fasule të gjelbër, karota ose lulelakër në dy minutat e fundit të gatimit.
Ëmbëlsirave me çokollatë u jepni një aromë krejtësisht të re. Dy lugëve të vogla të nenexhikut të freskët të grimcuar imët shtoni në brumë të ëmbëlsirës me çokollatë dhe piqni si zakonisht. Do të mahniteni nga ndryshimi.
Për ta freskuar erën e gojës, nuk keni nevojë për çamçakëz dhe karamele. Gjethet e nenexhikut të freskët do të funksionojnë po aq mirë, dhe janë më natyrale. Thjesht merreni një gjethe nga vazoja dhe e përtypni atë.
Lemzën e mërzitshme e lehtësoni me nenexhik dhe atë duke shtuar në një gotë me ujë të ngrohtë disa lugë të limonit të saposhtrydhur, pak kripë dhe disa gjethe të nenexhikut.
Nëse e keni të zënë hundën, vloni një tenxhere me ujë, pastaj largojeni nga të nxehtit dhe shtoni disa pika vaj esencial të nenexhikut. Përkuluni mbi tenxhere dhe mbuloni kokën me një peshqir dhe inhaloni. Avulli me nenexhik në mënyrë të shkëlqyeshme do t’i pastrojë sinuset, dhe është gjithashtu i mirë për pastrimin e fytyrës.
©KOHA.net