Natasha Limaj – ZEMËR NËNE
Ditë dimri, dit’e ftohtë, bora shtrohej flokë-flokë,
Soba shpuzërimë brenda, ne tregonim gjëegjëza…
Vajza, djali po lodronin , si dy zogj që cicëronin
Të dy më vinin vërdallë,- mami na trego përrallë!…
Sy më sy, u shikuan dhe pranë meje u afruan,
Njëri – tjetrin e shtrëngonin, ç’do tregoja, të dëgjonin…
Na ishte një here një * Nënë *, si të gjitha të kësaj toke,
Na kishte një djalë si yll ,më i miri i kësaj bote…
Po, që ishte shumë i zgjuar, shkollën sapo kish filluar,
Një ditë nga ditët në shkollë, seç i qaset një belhollë…
Lastare, hënëz e bukur, sylarushe , porsi flutur…
Djali dorën, e afroi… Leht’e lehtë e shtrëngoi
Të dua lulezë i tha, seriozisht ,joo…me shaka…
Të dua, me të vërtetë, zemrën time ke përjetë
Vajza zanë super e zgjuar, djalit lojë për ta provuar…
Pakëz e kam zemrën tënde, plot do t’ish dhe zemër* Nëne*…
Çunaku, shumë e çmonte, dhe me jet’ e dashuronte,
Frymimin t’i kish kërkuar, e jepte për t’ia plotsuar…
Iku stuhi e furtunë,këmbët tek porta e shpunë
*Nënëza* ,- bir .., futu brenda, tak- tak i pulsonte zemra,
Nga gëzimi fluturoi, si sorkadhe bukën shtroi…
Djali vrejtur, sëkëlldisur, pus i thell’ shum’i mërzitur,
*Nënës* së shkretë i pikonte, edhe zemrën ia coptonte,
Hall të madh më ka ky djalë, por unë vet’ zot do t’i dalë!…
Djali : *Nënë*, o* Nëna* ime, problemin nyje pa zgjidhje!…
Pa ta dëgjojë nëna vetë, se për yllin , s’dua jetë…
Çmendurishtë një vajzë dua , të jetoj me të si thua?…
Ajo, për të më besuar, zemrën tënde ka kërkuar…
*Nëna* kraharorin shqeu, zemrën nga vendi rrëmbeu,
Gjak e kuqe val’e ngrohtë, duart ia mbushi plotë…
Çunaku, oh sa gëzuar, me zemër në grusht shtrënguar,
Për tek vajza seç vrapoi, një gur rrugës, e pengoi
Zemra nga dora i ra, dhe në gjunjë , oh , ç’u ça…
Kur u ngrit djali në këmbë, një zë dëgjoi si rëngë..
Ç’m’u dërrmove, bir …i foli…Nga zemra e * Nënës* doli!…
*******
Papritur shikoj fëmijtë, prerë me lot i kishin sytë,
Djali faqet i pastronte, vajza nga lotët kullonte!..