Per më shumë se dy orë lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama, mblodhi në seli drejtuesit politik të qarqeve në funksion të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Takimi që tashmë është kthyer i përjavshëm, kishte në fokus problemet e PS-së në bazë, por edhe ato të qeverisjes vendore dhe lokale.
Drejtuesit politik i kanë raportuar kryeministrit shqëtësimet sipas çdo zone si dhe mënyrat e zgjidhjes së problemeve.
Burimet nga mbledhja, bënë të ditur se Rama ka përsëritur kërkesën e tij që njerëzit e angazhuar me fushatë të mos neglizhojnë asnjë nga shqetësimet e qytetarëve.
Kreu i ekzekutivit ka kërkuar performancë nga drejtuesit e institucioneve publike nëpër rrethe, duke kërkuar të largohen të gjithë ata që kanë dështuar në punën e tyre.
Edhe në mbledhjet e kaluara, Rama u ka bërë të qartë se drejtuesit politik duhet të shkojnë derë më derë në mënyrë që të sigurohet numri i nevojshëm për të marrë të paktën 74 mandate.
Prej nisjes së muajit shtator, socialistët janë përfshirë në një fushatë rioraganizimi në funskion të betejes së ardhshme elektorale.
Kryeministri Rama ka bërë të qartë se të gjithë, duke filluar nga ai vetë i pari dhe deri tek drejtuesi i fundit, në ekzekutiv ose në parti, do ti nënshtrohen vlerësimit të anëtarësit dhe të qytetarëve.
Ky proces, do të shërbejë për të finalizuar listën përfundimtare për deputetë.