Zhdukja e Ermal Ngucajt, bashkëshortja rrëfen momentin e fundit me të: Më tha se…

Ermal Ngucaj rezulton i zhdukur prej më shumë se një javë. Bashkëshortja e tij, Nertila Ngucaj ka dhënë detaje lidhur me herën e fundit që ka komunikuar me bashkëshortin, duke shtuar se nuk ka qënë i përfshirë në kultivim narkotikës, ashtu siç edhe pretendohet. Në një intervistë për “Pa Gjurmë”, Nertila u shpreh se bashkëshortin e takonte vetëm një herë në javë pasi jetonin në vende të ndryshme, për shkak të punës së saj.

“Nuk di të ketë pasur konflikte, nuk kishte konflikte në zonë. Komunikonte shumë mirë me të gjithë. Unë nuk di të ketë mbjellë kanabis, sepse unë e di ku shkon burri im. Se po të kishte mbjellë do rrinte gjatë larg nesh. Ai s’ka humbur kurrë kaq gjatë. Sipas meje, mund të ketë qenë telefonata e fundit.
Nuk më tha asgjë konkrete, vetëm biseda familjare bëmë. Atë ditë ai foli dhe me djalin. Ishte me makinë dhe nuk më tha se ku po shkonte. Unë nuk jetoj me të pasi jam larg me punë. Unë jetoj në Kuç, ndërsa ai në Lepenicë. Shkoj e takoj vetëm në fundjavë. Një javë më parë e kam takuar fizikisht dhe nuk më tha asgjë, pasi ai është shumë tip i mbyllur. Kur fola në telefon më datë 12 tetor ishte ora 19-20 dhe biseda zgjati afro 30 minuta.

Si gjithnjë bëmë biseda familjare dhe ai në fund më tha: ‘Ik, ik se ngatërrova rrugën’. Atë natë ishte edhe kohë e keqe. Më pas i shkruajta në mbrëmje vonë, në facebook, por nuk e hapi, nuk ishte online. Më habiti se ai harxhon shumë kohë në rrjetet sociale. E mora në mëngjes dhe telefoni është i fikur, deri ditën e sotme,”-tha ajo.

Më pas në rrëfimin e saj, ajo shtoi se nuk e besonte faktin që bashkëshorti i saj të ishte larguar nga shtëpia pasi nuk kishte marrë me vete asnjë prej sendeve personale. Gjë që sipas saj nënkuptonte që do të kthehej në banesë.
“Makina është gjetur të mërkurën, por ai ka humbur të hënën.
Në Mavrovë s’kemi lidhje, nuk njohim njeri atje. Ai nuk ka shkuar në këtë fshat. Unë jam kthyer në shtëpi, por është larguar pa marrë asgjë me vete. As karikusin e telefonit nuk e kishte marrë. Dyshojmë se e kanë marr peng, se ku do të jetë në të kundërtën, unë nuk kam asnjë drejtim dhe faktor që mund të gjej ku mund të jetë. Po ta dija do dilja ta kërkoja, u bënë 8 ditë sot,”-shtoi ajo.

Ermal Ngucaj rezulton i zhdukur prej disa ditësh. Makina e tij u gjet në Mavrovë e braktisur me rrobat dhe atletet e 40-vjeçarit brenda. Prindërit bëjnë apel për ndihmë bashkë me të shoqen që Ngucaj e ka lënë pas me djalin e vogël. Ndërkohë që dyshohet se i riu është marrë peng pasi ishte i përfshirë në kultivim lëndësh narkotike. Megjithatë asnjë prej pistave nuk është konfirmuar nga Policia e Shtetit.

Loading...