Momente dramatike, gati si skenat e filmave janë ato që ka përjetuar Irjat Matraku, komandat i Grupit të zjarrfikësve gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti.
I ftuar në emisionin “Real Story” Matraku tregoi se i ishte caktuar detyra që të vijonte operacionin në pallatin 6-katësh në Durrës, ku humbën jetën disa persona, mes tyre nëna, vajza e vogël dhe gjyshja.
Zjarrfikësi tha se skena kur ka parë nënën e saj duke mbrojtur me trup vajzën e pajetë, nuk do t’i shqitet kurrë nga mendja. Bëhet fjalë për Diena Karanxhën dhe vajzën e saj Esiela, të cilat janë dy nga viktimat e tërmetit shkatërrues.
“Ngushëllime familjarëve së pari. Në momentin e parë që mora sinjalin nga drejtori i Zjarrfikëses, u paraqita në repart. Mora për detyrë të shkoja në pallatin 6-katësh në Durres. Pasi shkuam në vendin e ngjarjes, bashkë me grupin tim filluam kërkim-shpëtimin për personat që ndodheshin nën rrënoja. Pallati ishte shembur. Në një krah ndodheshin 4 trupa, që ishin nën rrënoja, sipas informacioneve që na dhanë dhe të afërmit. Në krahun tjetër ishin një gjyshe më nipin që ishin në rrënoja. Atje ishte një nënë bashkë me një fëmijë që ishin gjallë.
U munduam me ato mjetet tona, punuam me thonj. E dëgjonim zonjën. Në momentet e para dhe fëmija ishte gjallë. I jam afruar zonjës, i kam dhënë ujë…Aq mundësi kishim. Me ato mjete që kishim. Më pas erdhi Policia e Rendit dhe nisën punën. Më pas erdhën forcat RENEA, ata kishin mjete. Ishte tragjike dhe ajo skenë s’do më ikë deri sa të….e përjetoj dhe e kam përjetuar.
Një nënë që të mbajë fëmijën poshtë. Ishte tmerrësisht….por ne këtë punë kemi. Ne zjarrfikësit shohim drama shumë. Si ky rast…se di.. Kam qenë 72 orë në atë vendngjarje, S’kam pasur mundësi të bëjë telefonata. Pasi nxora familjen time jashtë ika në vendin e ngjarjes. 72 orë pa komunikuar me familjen”, tha ai.
Sheme Myzeqari – komandat i grupit të zjarrfikësve: Ishim në një objekt 4 katësh. Godina ishte rrafshuar komplet. Njoftova qendrën që kemi një person nën rrënoja dhe komunikova me të. Ishim 3 veta, u konsultova me ta. Veprimet tona ishin me kazmë, me lopatë, me levë.
Fola me ata 3 persona dhe ata më dhanë një matrapik, dhe tentuam që të futeshim tek ai ambient që dëgjonim zërin e Lavdoshit. Kishim siklet pasi mund të kishim goditje tjetër tërmeti. Në momentin që e nxorëm gjysëm e trupit të Lavdoshit, në atë moment bie një tërmet me magnitudë 4 të shkallës rihter. Shokët tanë dhe qytetarët aty ishin në lotë. Pasi s’u mendua se do dilnim të gjallë aty. Pasi nxorëm personin, u lidha me qendrën dhe u thash; operacioni doli me sukses.