Zonja që solli madhështi Voskopoje në skenën shqiptare!

Artiste e Popullit, jo vetëm në titull zyrtar por edhe nga vlerësimi I publikut, Violeta Manushi nuk ka se si të mos kujtohet edhe në këtë fund korriku, kur artistëve të klasit të saj vlen tu rikthehesh respektueshëm edhe në datëvdekjen e tyre. 

Sot më 27 korrik 2018, shënohen 11 vite të ndarjes nga jeta të aktores Violeta Manushi. Kur aktori Vasillaq Vangjeli në rolin e Koçit, e përshkroi me një profil të lashtë grek, teto Ollga ja ktheu : jo origjinën e biografisë e kemi nga Dardha. Realisht, origjinën Violeta Manushi e ka nga Voskopoja. Aty ku lindi më 6 mars të vitit 1926. 

Asnjëherë nuk e ka fshehur se vinte nga një familje ku buka sigurohej me vështirësi por me punë të ndershme. Voskopoja vinte nga pasojat e zjarrvënies të disa viteve më parë, dhe vështirësitë do ti kalonte edhe familja e saj. Siç ka kujtuar më vonë, shkak u bë martesa e motrës së saj në Tiranë, për të shkuar në kryeqytet edhe Violeta, që ‘ të pakësohej një lugë në shtëpinë e babait’. Pas çlirimit të vendit, vetëm 20 vjeçe u regjistrua në shkollën e parë dramatike, të hapur pranë teatrit të shtetit.
Nga roli I parë, deri tek I mbrami në vitet e fundit të jetës, e përkushtuar tërësisht, me përulësi dhe pa shpërfillur asgjë. ‘ Si kryerolin edhe atë ku luaja si figurante I kam vlerësuar njësoj’ ka pohuar nëpër intervistat e shumta aktorja tepër popullore. Kështu ja ariti që në reth 60 vite karierë, të krijonte 100 role në teatër dhe 16 në kinematografi. Breza të tërë, janë ritur duke shijuar artin e Violeta Manushit tek rolet e Olumbisë, në komedinë ‘ Karnavalet e Korçës’ apo plakës Nicë tek filmi ‘Gjenerali I ushtrisë së vdekur’. Do të vinte pastaj fama, që siç thotë regjisori Piro Milkani, arihet atëhere kur populli e njëson apo identifikon aktorin me emrin e rolit.

 Filmi Zonja nga qyteti, ku siç kujton regjisori Milkani, ka patur një lloj dileme për ti besuar rolin e Ollgës njërës prej aktoreve korçare Violeta Manushi apo Dhorkë Orgocka. Ai vendosi për Violetën dhe suksesi I filmit tregon që intuita nuk I gaboi. Për këtë Zonjë të skenës, ky ishte roli që do ta ngrinte në piedestal më vonë.
Teto Rita tek komedia e pavdekshme ‘Pallati 176’ dhe roli I vjerrës në filmin ‘ Rrethimi I vogël’ nuk mund të harohen nga spektatori shqiptar. Violeta Manushi nuk pati fatin të krijonte një familje të vetën, por siç e ka shprehur Dritëro Agolli ‘ shtëpia e Violetës ishte skena, rolet ishin fëmijët e saj’. Ndërsa aktorja tjetër e ngritur në madhështi, Artiste e Popullit Tinka Kurti, ka thënë se ‘ Violeta Manushi ka lindur shumë luanë’. Aktori tjetër I mirënjohur, Artist I Popullit Reshat Arbana, ka thënë; Violeta dhe brezi ynë, nuk bënë pazar me artin. Ajo që nisi karierën skenike vajzë e re, nuk do ti ndahej skenës , duke shkëlqyer në dramë, komedi e kinematografi, deri në rolin e fundit, atë tek tragji-komedia ‘Streha e të haruarve’. Pas një sëmundjeje të rëndë, më 27 korrik të vitit 2007 u shua në Tiranë kjo ikonë e artit skenik shqiptar. Dy ditë para vdekjes, kolegia Zenepe Luka ka patur fatin ti regjistrojë intervistën e fundit. Fjalë të thjeshta, pa pengje e plot dinjitet ka shprehur atëhere e madhja Violeta Manushi. ‘ Nuk jam pishman që po iki. Jetova gjatë dhe me nder. Kam lënë pas emrin e mirë dhe një popull që më do. Kjo ma bën ndarjen më të lehtë’ janë këto fjalët e fundit të bëra publike nga goja dhe shpirti I Violeta Manushit. Zonjë si aktore dhe si njeri, që fati e deshi të çonte diçka nga madhështia e vendlindjes së saj, Voskopojës, në teatrin dhe kinematografinë shqiptare.

Loading...