”Zoti i Masakrës”, komedia brilante e Yasmina Reza erdhi mbrëmjen e djeshme për publikun korçar i cili e mirëpriti këtë shfaqje me sallën plot dhe me duartrokitje.
Në Teatrin e Korçës shfaqja vjen sërisht sonte për të përmbyllur rrugëtimin e saj në qytetin e artit dhe të serenatave.
Kjo vepër përmban konfliktin që në fillim. Dy çifte, në dukje të qytetëruar takohen për të rregulluar pasojat e një episodi të dhunshëm i cili plasi ndërmjet dy fëmijve të tyre. Djali i Alain dhe Anet i theu dy dhëmbë djalit të Mishel dhe Veronik.
Prindërit e djalit dhunues vizitojnë prindërit e viktimës për të kërkuar falje dhe për ta ndrequr gabimin, të paktën nga ana ekonomike. Gjatë vizitës, gjërat fillojnë me diplomaci, por gradualisht, mes tyre rritet një tension.
”Zoti i Masakrës” vjen me regji të Kiço Londos dhe lojën fantastike të aktorëve Erand Sojli, Randi Randy, Alert Çeloaliaj, Ermira Gjata dhe Ermira Hysaj Çerkozi.
Kjo komedi është cilësuar nga më të bukurat e këtyre 10 viteve teatrore. Komedia është nominuar me gjashtë çmime Toni prej të cilave ka marrë tre.
ATSH Nga Adela Alla