LETRA/ Dorëhiqet zëvendës ministrja e Drejtësisë: Ja mesazhi im për qytetarët dhe bashkëpuntorët
Zëvendës ministrja e Drejtësisë Fjoralba Caka ka njoftuar sot se ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen nga ky post.
Përmes një shënimi të gjatë në llogarinë e saj në Facebook, Caka ka zgjedhur të përcjellë një mesazh falënderimi për të gjithë qytetarët dhe bashkëpuntorët e saj, të cilët e kanë suportuar gjatë ushtrimit të detyrës së saj, ku veç të tjerash janë shënuar një sërë arritjesh në disa sektorë.
Ndërprerja e detyrës nga Caka mësohet të ketë qenë për motive të forta personale, të cilat pamundësuan vijimin e kësaj detyre.
Veç të tjerash, Caka ka shënjuar emrin e saj gjatë ushtrimit të këtij funksioni si një nga arkitektet e shumë proceseve të ndërmarra në Ministrinë e Drejtësisë të cilat do të kenë fryte për të sotmen dhe të nesërmen.
Më poshtë po përcjellim letrën e plotë:
Të dashur miq,
Edhe pse është mjaft e vështirë që të ndash në pak rreshta një vendim të rëndësishëm që mbart brenda kohë reflektimi, në emër të transparencës që kam me ju do të doja të ishte një vendim i bërë me dije personalisht prej meje.
Për arsye që nuk lidhen absolutisht me objektin e veprimtarisë së punës sime apo aktivitetit tim publik dhe tërësisht vetjake, më duhet që nga sot të tërhiqem nga funksioni im si Zëvendësministre e Drejtësisë.
Dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama, për nderin dhe privilegjin që më ofroi për të shërbyer si Zëvendësministre e Drejtësisë. Është një mundësi e papërsëritshme të jesh sot mes proceseve më të rëndësishme shtetformuese të vendit dhe të të besohet hapësira që të japësh kontributin tënd modest, mbështetur në një vizion të qartë për një Shqipëri më të mirë.
Ka qenë një përvojë shumë e vyer për mua të punoj për rreth 17 muaj pranë Ministres së Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, ku profesionalizmi, kuraja dhe nxitja e saj e vazhdueshme për të bërë më të mirën, kanë qenë arsye pse ndërmora këtë hap besimi për të ndryshuar fort rrjedhwn e karrierës akademike dhe që ka qenë një mbështetje e madhe dhe motivim, jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që punojnë në këtë Ministri.
Kanë qenë 17 muaj intensivë pune ku bashkë me stafin e Ministrisë së Drejtësisë, por edhe institucione të tjera publike apo të pavarura, kemi avancuar çdo ditë e më shumë drejt përmirësimit të kuadrit ligjor dhe strategjik në disa fusha prioritare si reforma në drejtësi, anti-korrupsioni dhe integrimi evropian.
Unë e kam shumë të vështirë të flas kur vjen çështja te punët e mira që kemi bërë, pasi para se të jenë lëndë e parë për fjalë triumfi, ato janë kontribute për Shqipërinë dhe shqiptarët. Gjithsesi në pak rreshta dua të them se ndihem shumë me fat që në këto muaj të kem qenë pjesë e ekipit drejtues për hartimin e një Plani të ri veprimi kundër Korrupsionit që do të shtrihet nga 2020-2023, një dokument me 84 masa që përfshin 22 institucione, tw cilat do të punojnë së bashku për më shumë transparencë, llogaridhënie dhe eficencë në ritmin e luftës kundër korrupsionit në vend.
Për herë të parë hartuam një Metodologji për Vlerësimin e Riskut të Korrupsionit në çdo departament të Ministrisë së Drejtësisë si edhe një Plan Integriteti; sollëm Javën e Integritetit si një pikë takimi midis akademisë, organizatave të shoqërisë civile, bizneseve dhe administratës publike për të diskutuar si ta bëjmë më të fortë luftën ndaj korrupsionit dhe si të ndryshojmë mentalitetin mbizotërues drejt një mendjeje e karakteri shërbyesi publik që preferon një zgjidhje me integritetit në raport të një afere të shpejtë korruptive.
Ju pohoj entuziaste se prej kohësh kemi punuar bashkë me stafin edhe për shumë projekte të tjera që janë në ardhje, ku pavarësisht skepticizmit dhe cinizmit që na kaplon sa herë që shohim se korrupsioni është një Goliath i madh që nuk mund të mundet, më ka udhëhequr si një busull e brendshme dhe e painjorueshme morale parimi se kontributi i njërëzve të thjeshtë, specialistëve dhe stafit teknik, si dhe liderëve me vision që lodhen çdo ditë nuk do të shkojë dëm, por do të hedhë gradualisht fara të reja që do të mbijnë në kohën dhe terrenin e duhur e qytetarit shqiptar do i serviret politikë dhe përditshmëri e frymëzuar prej vlerave njerëzore.
Krejt paralelisht, puna për hartimin e kuadrit Strategjik si Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë dhe Plani i Veprimit, Strategjia dhe Plani i Veprimit për Drejtësinë Penale për të Mitur apo Plani i Veprimit për Strategjinë për Edukimin ligjor, bashkë me hartimin për herë të parë të mbi 2000 faqesh analize për acquis-në e kapitullit 23 dhe raportimet ndërkombëtare për Bashkimin Evropian, GRECO, UNCAC etj., kanë qenë fusha ku bashkëpunimi me shumë institucione dhe aktorë më provoi edhe njëhere se arritjet në fusha e sektorë të caktuar nuk janë asnjëherë rezultat i një lojtari të vetëm, por fryt i punës së palodhur në ekip.
Padyshim që lista e punëve të frytshme që ndonjëherë është vështirë të marketohen, është aq e gjatë sa janë edhe orët e pafundme që i kemi dedikuar këtij misioni. Megjithatë, pavarësisht listës së punëve të mira, sadisfaksioni më i madh për mua ka qënë të shoh fytyrat e lehtësuara të ekipeve të punës, kur pas orëve të punës deri në mesnatë përshirë fundjavat, kanë buzëqeshur që ia dolëm të dorëzojmë raportin apo Strategjinë e radhës në kohë.
E bashkëshoqëruar gjithmonë nga njerëz modestë që punojnë duke dhënë maksimumin e tyre, unë jam më e vetëdijshme sot se pavarësisht mangësive strukturorë apo financiare që ka kaluar administrata jonë publike, problemet e shkuara me prurje dhe promovime shkurajuese jo meritokratike dhe sfidave që i njohim të gjithë, ka edhe njerëz të përkushtuar që kontribuojnë përtej sa u parashikon përshkrimi i tyre i punës apo më tepër nga sa kanë për detyrë, njerëz që mbajnë disa pesha njëkohësisht, por që sërish, pa qënë zhurmëmëdhenj, japin kontributin e tyre në aparatin e madh burokratik të administratës publike
Në një vend dinamik si ky i yni ku shpesh lajmet negative qëndrojnë me ditë bujshëm në ekrane dhe editoriale, ku elemente të caktuara të administratës publike, organeve ligjzbatuese apo gjyqësorit mund të kenë zvetnuar besimin e qytetarit tek institucionet, gjeneralizimi se të gjithë janë të korruptuar dhe të paaftë u bëjnë padrejtësi atyre njerëzve të thjeshtë që punojnë çdo ditë ndershmërisht, të cilët nuk kanë përfituar asnjë favor nga puna, përveç se kanë marrë në shpinë koston e orëve të gjata të punës, mungesën e gjatë në familje dhe stresin për të dorëzuar në presion kohe materiale, dokumente, shkresa, raporte, vendime etj.
Ndonjëherë duket se puna burokratike e aparateve shtetërore nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me cilësinë e jetës së qytetarit, përpos që ka patur raste të izoluara kur mund të ketë ndodhur e kundërta. Megjithatë, vetëm nëse ne fillojmë t’i vlerësojmë më shumë institucionet dhe njerëzit që punojnë në to, nëse ne nuk i mbysim me cinizmin vrastar që puna e tyre është e kotë dhe pakuptimtë – nxitur prej pesimizmit të një të ardhmeje të zymtë të vendit (sepse ky vend nuk bëhet) – nëse shërbëtori publik nuk shihet më me nënçmim dhe paragjykohet, atëherë ne do të shkëputemi nga tendencat e mëndësisë tribale, ku problemet zgjidhen me ndikimin e më të fortit, me ndihmën e fisit apo mjete të tjera të xhunglës.
Ndaj me shumë përulësi, sikurse besoj edhe kam dëshmitarë, unë falënderoj çdo person që punon aktualisht në administratën publike, jo thjesht për bukën e gojës apo për stabilitetin që jep statusi, por sepse beson te forca e të shërbyerit ndaj të tjerëve me modesti dhe jo arrogancë, me bindjen që ka mundësi të vendosë çdo ditë një gur më shumë në ndërtimin institucional të vendit, në përmirësimin e imazhit të tij në arenën ndërkombëtare, dhe më e rëndësishmja në sjelljen e shërbimeve më të mira për qytetarin. Ata janë aktorët e padukshëm të kthimit të besimit të qytetarit tek institucioni.
Ndaj këtë “prolog” dua ta quaj një falënderim special për të gjithë bashkëpunëtorët e mi të huaj dhe veçanërisht, të gjithë stafin administrativ shqiptar që më shoqëruan në këtë rrugëtim.
Padyshim ishte një kënaqësi e llojit tjetër sot përmbyllja e ditës së fundit në këtë detyrë, duke organizuar një trajnim për negociatat me Grupin Ndër-Institucional të Punës dhe ekspertë të Euralius. Nuk mund të përmbyllej më mirë misioni, i cili kishte pikërisht këtë shkak-premisë për t’iu bashkuar administratës dhe politikës publike: dhënien modeste të ekspertizës për çështjet e Bashkimit Evropian.
Ekziston mbi të gjitha një kauzë e vetme e fuqishme së cilës i jam përkushtuar çdo ditë të shërbimit tim publik si Zëvendësministre e së cilës do t’i përkushtohem deri në fund, pavarësisht sfidës profesionale të radhës: lënies së vendit tim pak më të mirë nga sa e gjeta, mision të cilin e ndaj edhe me shumë njerëz të tjerë që kam patur fatin t’i kem miq e kolegë. Unë jam e bindur se puna e mirë për integrimin e Shqipërisë në BE dhe për të gjitha proceset shtet-formuese do të vijojë dhe që ky vend do të ecë përpara, kur ashtu si një galera romake secili i jep rremës së vet duke dhënë maksimumin, pavarësisht rrethanave apo vështirësive.
Sikundër thotë edhe Sami Frashëri në një nga testamentet e penës së tij, për ta bërë Shqipërinë të lulëzojë duhet “fort pak gjë: vetëm dëshirë” pasi “është në duart e shqiptarëve ta shpëtojnë apo ta humbasin Shqipërinë”, dhe unë jam shpresëplotë që Shqipëria jonë do të bëhet dita-ditës një vend më i mirë për shkak të njerëzve të zakonshëm që pavarësisht rrethanave, nuk e humbasin dëshirën dhe optimizmin që vendi do të bëhet. Jam e bindur që për sa kohë në këtë vend ka njerëz që duan që Shqipëria të bëhet dhe japin më të mirën e tyre, Shqipëria do të bëhet. Do të bëhet çdo ditë një vend më i mirë seç ishte dje.
Ju faleminderit për mbështetjen që nga dita e parë dhe deri në radhët e fundit të këtij shkrimi, duke qenë bashkëudhëtarë të një misioni që nuk do ta harroj kurrë!
MIRËNJOHJE!