Në vijim të ftesës drejtuar Partisë Socialiste të Francës, Sekretariati i Marrëdhënieve me Jashtë i Partisë Socialiste të Shqipërisë priti zyrtarisht senatoren Hélène Conway Mouret, e cila mban postin e zv/Presidentes së Senatit francez dhe anëtare e Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura.
Ajo zhvilloi një takim me homologët e saj në Ministrinë e Mbrojtjes, me përfaqësues të Ambasadës franceze në Shqipëri, me investitorë francezë në Shqipëri, me përfaqësues të Kuvendit si dhe me Sekretariatin e PS-së, si mundësuese e vizitës zyrtare të Mouret, kryesuar nga Taulant Balla, Sekretar i Përgjithshëm i PS.
Bisedat u fokusuan tek marrëdhëniet me jashtë, fusha e mbrojtjes dhe forcave të armatosura, si dhe shtrirja e urave të bashkëpunimit në fushën e turizmit, kulturës dhe edukimit.
Gjatë takimit me Sekretariatin e Partisë Socialiste, Mouret u shpreh se ndihej e impresionuar nga puna intensive e kryer nga qeveria Rama, si dhe lëvizjet e guximshme të Kryeministrit dhe kabinetit të tij në luftën ndaj informalitetit, korrupsionit si dhe përgëzoi qeverinë për fokusin e vendosur në agroturizëm, arsim profesional dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
Vizita në institucionet shqiptare la mbresa tek përfaqësuesja e Senatit francez, e cila u zotua të përcjellë rekomandime pozitive për Shqipërinë, qofshin këto për bashkëpunime të ardhshme mes Francës dhe Shqipërisë, ashtu edhe për integrimin në familjen europiane.
Mouret ofroi mbështetjen e saj dhe u zotua të përcjellë tek populli dhe qeveria franceze përmirësimet dhe arritjet e qeverisë së Shqipërisë në rrugën e reformave e procesit të integrimit të Shqipërisë në rrugën e përbashkët europiane.
Vizita e Mouret, do të pasohet nga vizita zyrtare e Presidentit Emmanuel Macron në vendin tonë, i cili do të pritet nga Kryeministri Edi Rama. /a.g/
TIRANË, 29 tetor/ATSH-A. Fortuzi/