Si përgjigje ndaj tërmetit shkatërrues dhe me kërkesë të qeverisë shqiptare një ekip ekspertësh nga Departamenti i Ndihmës Humanitare të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) ka arritur në Shqipëri.
Zvicra e jep këtë mbështetje si zgjerim të asistencës thelbësore për reformat dhe procesin transitor të Shqipërisë.
Një ekip me 15 specialistë të mobilizuar nga qeveria zvicerane janë në Shqipëri për të ndihmuar vendin me pasojat e tërmetit më të rënde në dekadat e fundit. Ekipi përfshin ekspertë në dy fusha: (1) inxhinierë që vlerësojnë gjendjen e ndërtesave: (2) ekspertë që vlerësojnë nevojat dhe planifikojnë veprimet në përgjigje të tyre.
“Programi ynë i bashkëpunimit në Shqipëri duhej patjetër të përfshinte një përgjigje ndaj tërmetit tragjik që goditi të martën. Duke parë seriozitetin e gjendjes qeveri zvicerane zgjeroi përpjekjet duke sjellë misionin e parë me ekspertë të cilët do të vlerësojnë nevojat, do të japin asistencë të menjëhershme dhe do të propozojnë masa afat-gjata pas tërmetit”, tha Ambasadori zviceran në Shqipëri Adrian Maître.
“Zvicra mbështet Shqipërinë jo vetëm në kohëra të mira, por edhe në momente të vështira”, tha Sebastian Eugster, udhëheqës i ekipit të misionit zviceran dhe Zv. Kreu për Ndihmën Humanitare në Ministrinë e Jashtme të Zvicrës./atsh