Zylfije Haklaj, e vetmja e mbijetuar e familjes Haklaj, i ka bërë një sfidë të hapur ish- kryeministrit Sali Berisha për një përballje në një studio televizive.
“Shota e Haklajve” ka shkruar përmes një postimi në rrjetin social, ku i bën thirrje ish kryeministrit që të përballet me të në lidhje me vrasjet e katër vëllezërve të saj, Shkëlqim, Halil, Ylli e Fatmir Haklaj.
Historia e konfliktit mes ish- kryeministrit Berisha e Zylfije Haklajt daton në vitet 90’, dhe kjo e fundit akuzon Berishën për vrasjen e vëllezërve të saj dhe gjakun e derdhur në Tropojë gjatë viteve 98′- 2000.
POSTIMI
Jam e gatshme nga ky moment në cilëndo studio televizive të përballem me Berishën. Nëse dëshiron le ta zgjedhë vetë studion televizive.
Meqenëse Sali Berisha kurrë nuk na dha një mundësi sqarimi ose arsyetimi familjes tonë, i kërkoj debat televiziv ku të gjithë ata që janë të interesuar do ta mësojnë të vërtetën e rrjedhës së ngjarjeve deri në ditët e sotme në mes të familjes tonë dhe Sali Berishës. Dua që dhe vetë Berisha të mësojë, meqenëse kurrë nuk e diti të vërtetën nga kush u përdor kundër familjes tonë.