Zyra e Doganës së Kosovës në portin e Durrësit nga janari 2019

Procedurat doganore në Portin e Durrësit nga Dogana e Kosovës do të nisin nga muaji janar 2019.

Dogana e Kosovës deklaroi sot se, grupet teknike kanë filluar procedurat për hapjen e zyrës së kësaj Dogane në Portin e Durrësit.

Në kuadër të bashkëpunimit si dhe të zbatimit të vendimeve të dyja qeverive, në dy ditët e kaluara në Tiranë dhe Durrës, drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës Bahri Berisha ka takuar drejtoren e përgjithshme të Doganës së Shqipërisë Belinda Ikonomi. Në takim ishin prezentë edhe dy grupet punuese të administratave doganore, ku edhe janë diskutuar procedurat teknike për hapjen e Zyrës së Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit.

Gjatë vizitës në portin e Durrësit u përcaktuan zyrat dhe ambientet e punës për Doganën e Kosovës, ku do të zhvillohen procedurat doganore të tranzitit.

Dogana e Kosovës thekson se hapja e zyrës në Durrës do të lehtësojë tregtimin, lëvizjen e mallrave po ashtu edhe atë të udhëtareve. Kjo pritet të reduktojë koston e bizneseve si dhe të ndihmojë në rritjen e ekonomive të dy vendeve përmes thellimit të bashkëpunimit./ATSH

Loading...