Kujtojmë Gjolekë Memushaj në 10 vjetorin e ndarjes nga jeta

KUJTOJMË GJOLEKË MEMUSHAJ NË 10 VJETORIN E NDARJES NGA JETA.
Periudhën e viteve para 90-ës, e kujtojmë të gjithë me të mirat e të këqiat e saj. E kujtojmë atë përveç të tjerash nëpërmjet shërbimeve social – kulturore që ofronte, por edhe shërbimit të furnizimit me ushqimet më të nevojshme për jetesë të banorëve, të cilat duheshe t’i merrje me listë dhe vetëm në dyqanin e fshatit.
I vetmi dyqan, ku kallaratasit i drejtoheshin cdo ditë e në mënyrë të veçantë në fillim të 15 ditëshit, ishte dyqani në Qafën e Ubavit, dyqani me një histori të vjetër, ku banorët do të gjenin nga gjërat më të domosdoshme për ushqim si miell, oriz, vaj, makarona, rroba veshmbathje, mjetet mësimore për shkollë, veglat bujqësore, materiale ndërtimi, pijet alkolike e deri edhe në grumbullimin e bimëve medicinale. Edhe pse me racion, ato plotësonin pak a shumë nevojat e banorëve të Kallaratit, por edhe të fshatrave fqinjë.
Por atë që këtë dyqan e bënte të njohur e të frekuentueshëm, përveçse ishte buzë rrugës automobilistike për në Kuç, ishte kultura dhe profesionalizmi i atyre që shërbenin aty, që në një farë mënyre me të drejtë konsideroheshin ” Shërbëtor të Popullit”.
Aty në atë dyqan patën shërbyer me radhë që nga i pari, Telo Durua nga Kallarati, Hito Koçiu nga Bolena, Polo Dena nga Kuçi, Arif Shkurti nga Vranishti, Sinan Dervishi nga Brati, Shaqo Hasani nga Vranishti deri në vitin 1968. Por një prej atyre që shërbeu më gjatë gati një periudhë mbi 25 vjeçare nga 1969 deri në vitin 1996 dhe që mbahet mend, jo vetëm nga banorët e Kallaratit, por edhe të fshatrave fqinjë sidomos Kuçit e Bolenës, për korrektësinë dhe përkushtimin ndaj dytyres shtetërore, për shërbimin njerëzor e të kulturuar, për profesionalizmin e treguar, për humorin dhe ndihmën e njerëzve në nevojë, qoftë edhe nëpërmjet listës së famshme, është padyshim Gjolekë Memushaj.
Ai u nda para kohe nga jeta, nga familja, bashkëshortja, fëmijët, nipërit e mbesat, vëllezërit, nga miqtë e shokët e tij të shumtë, por edhe nga ne bashkëfshatarët e tij që i deshi dhe i vlerësonte aq shumë, në moshën 68 vjeçare. U nda pikërisht më 10 Gusht 2010. U nda në një kohë që duhej të gëzonte pensionin dhe vitet e pleqërisë. U nda në një kohë që famijët e tij kishin ende nevojë për këshillat e tij të vlefshme. U nda në një kohë që për moshën dhe përvojën e tij të shumtë mund të jepte akoma më shumë kontribut ndaj shoqërisë dhe në veçanti ndaj vendlindjes së tij, Kallaratit, duke qenë i zgjedhur edhe në forume të ndryshme të jetës shoqërore në fshat. Do të kalojnë vite dhe Gjolekë Memushaj do të kujtohet si njeri me tipare të larta burrënore e me karakter, do të kujtohet për anën njerëzore, urtësinë e shpirtin e tij human dhe me një kontribut të vlerësuar ndaj fshatit të tij.
Para dy muajsh familja e tij përkujtoi 10 vjetorin e ndarjes se tij nga jeta.
Diçka më tepër për jetën e tij, sipas të dhënave të dërguar nga familja, mund t’i ndiqni më poshtë.
Gjolekë Menushaj lindi në Kallarat në vitin 1942 nga një familje e lidhur ngushtë me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, nga prindërit Sulo dhe Belere Memushaj. Gjoleka ishte vëlla i 5 vëllezërve, njëri prej të cilëve më i madhi Ali Memushi, “Dëshmor i Atdheut”. Gjoleka kreu shkollën fillore në fshatin e lindjes dhe shkollën 7 vjeçare në Vranisht. Në moshën 18 vjeçare kryeu ushtrinë në Tiranë në brigadën e Ndërlidhjes në detyrën e radistit. Mbas ushtrisë punoi si magazinier në fabrikën e vajit në Dhërmi. Me kërkesën e fshatit u kthye në fshat dhe pranohet kandidat partie. Këtu njihet dhe martohet me bashkëshorten Asqerinë, të bijën e Ferik dhe Merjo Tozaj. Nga kjo martesë ata lindën dhe rritën 1 vajzë e 4 djem. Më vonë në vitin 1967 Gjoleka caktohet brigadier bujqësie, njëkohësisht edhe sekretar rinie në fshat.
Në 1969 mbaroi shkollën për Mercollogji në Brataj dhe caktohet shitës i mapos në Kallarat, njëkohësisht zgjidhet edhe kryetar i Bashkimeve Profesionale të zonës Mesaplik – Kuç, ndersa në fshat u zgjodh Kryetar i Frontit Demokratik, detyrë të cilën e kreu me përkushtim e devotshmëri për disa vite. Në tregëti punoi një kohë të gjatë për afro 20 vite deri në prishjen e sistemit socialist. Por profesionin e shitësit vazhdoi ta ushtrojë edhe pas daljes në pension, por tashmë jo më si dikur pjesë e sistemit shtetëror, por si pjesë e sistemit privat. Por Gjoleka krahas punës private përsëri nuk u shkëput nga angazhimet në jetën shoqërore të fshatit. Për disa vite Gjoleka vazhdoi të ishte i zgjedhur, kryetar i shoqatës së familjeve të dëshmorve të fshatit, të cilën e drejtonte me përkushtim e ndërgjegje të lartë.
Gjolekë Memushaj bën 10 vjet që është ndarë nga familja, miqtë dhe shoqëria, por ai kujtohet sot nga të gjithë njerëzit e tij të familjes, por edhe miqtë e shokët e bashkëfshatarët e tij si njeri fisnik, si një bashkëshort i denjë, si një prind i shkëlqyer, si një mik e shok i rrallë me të gjithë bashkëfshatarët e tij kallaratas dhe më gjerë.
Në këtë vjetor të dhjetë të ndarjes nga jeta, të Gjolekë Memushit, kryesia e shoqatës Kallarati shpreh mirënjohjen e lartë ndaj figurës së tij në shërbim të familjes dhe shoqërisë.
Qoftë i paharruar kujtimi dhe emri i Tij.

Loading...