LEFTER ÇIPA – PENË QË BURON VEÇ MJALTË!

LEFTER ÇIPA – PENË QË BURON VEÇ MJALTË
Sot iu dha lamtumira e fundit në fshatin e tij të lindjes poetit të Labërisë dhe të mbarëshqiptarisë, udhërrëfyesit të polifonisë labe, Mjeshtrit të Madh Lefter Çipa.
Nëse do të ngrihej diku një piramidë, si ato të Egjiptit të Lashtë, për polifoninë labe, në majë të kësaj piramide do të qëndronte pa më të voglën mëdyshje, poeti, autori dhe drejtuesi i grupit polifonik të Pilurit, i madhi Lefter Çipa.
Kur mora vesh lajmin e hidhur të largimit nga jeta të këtij kolosi të polifonisë, u drodha për një moment dhe fola me zë: “Iku dhe një tjetër kolos I polifonisë” dhe për një moment, si në celluloid më kaluan të gjitha Festivalet Folklorike Kombëtare rreth pjesëmarrjes së Vlorës në këto evente Kombëtare, ku në çdo festival është emri i këtij dishepulli me penën e tij të artë që buron veç mjaltë, vjen erë trendelinë, erë jodi të detit Jonian, vjen erë mushti, përshkohet nga patriotizmi i pashëmbullt, nga një atdhetarizëm i lartë që flladitet me puhizën dhe erën e vargmaleve të Akroqeranës.
Lefter Çipa është ai që është lidhur pazgjidhshmërisht me vendlindjen, me “bregun e ashpër”, – siç shprehet vet ai, me
atë që e mbush me frymëzim dhe i jep krahë të fluturojë si një shqiponjë e lirë në lartësitë e atyre majave për të mbledhur nektarin e historisë, legjendat, ninullat, logatjet, lirikën e dashurisë që e ka për zemër, fluturon në Kosovë, duke folur vetëm në gjuhën e të parëve të tij, shqip.
Kënga për të është gjithçka, është vetë jeta, është shpirti që ka zënë vendin më të madh në zemrën e tij. Jeta pa këngë, për Lefter Çipën, është e pakuptimtë, kënga është frymëmarrja e tij, është gjaku i pastër që rrjedh në damarë. Ai është poeti, është këngëtari, është hulumtuesi, është thesari që vetëm nxjerr visare.
Më ka treguar Sejmen Gjokoli, një nga miqtë e shumtë të Lefterit: “Ishte dhjetori i vitit 1994. Kisha ideuar krijimin e Grupit “Bilbili” dhe Lefterin e kisha menduar drejtuesin artistik të tij. Doja ta takoja e të bisedoja me të. Kisha kohë pa e takuar. Pas ndryshimit të sistemit vinte rrallë në Vlorë, e kalonte me përtesë Llogoranë. I kisha dërguar një copë letër ku i thoshja për takimin në Vlorë, pranë Hotel Sazanit. Në ditën dhe orën e caktuar po shikoja një burrë të imët që po afrohej. Sepse m’u duk më i dobët se zakonisht, i pakur fare. Më shumë përkundej se ecte. Mos, – thashë me vete, – nuk qenka mirë. U ulëm dhe nisa t’i flas për inciativën. Do bëjmë këngë – i thashë. Me Ermionin e Qirjakon tënd (Ermioni Mërkuri e Qirjako Bala,), me Arjan Shehun, Mehmet Vishën e Petrit Lulon e Gjirokastrës, me Arap Çeloleskën , Sinan Gjolekën e Spiro Çinon e Vranishtit… Filloi të gjallërohet, të tjetërsohet në çast, të bëhet Lefter Çipa që kisha njohur.Do bëjmë këngë ; po folë, o burrë i dheut, – më thotë dhe u çel i tëri e mori ngjyrën e paparunes…”
Të gjithë e njohim krijimtarinë e tij, këngët e shkruara prej tij, vargu i zgjedhur dhe i latuar, i vënë në piramidën e polifonisë, duke i çimentuar themelet e saj e duke e ngjitur atë në majat më të larta. Ai hyn në plejadën e atyre poetëve që i kërkon koha, i lind epoka dhe mbeten për një periudhë shumë më të gjatë se koha, ndaj dhe është vështirë të përzgjedhësh për ilustrim ndonjë nga vargjet e tij, sepse të gjitha vargjet janë njëlloj, njëri më i bukur se tjetri.
Ai u lartësua, u gdhend në këngë dhe i pavdekshëm do të mbetet gjithmonë në këngët që na la, në këtë thesar të pashlyeshëm të folkloristikës shqiptare.
“Se kur është këngë shpirti,
i ngjall të vdekurit prapë,
ashtu siç ngjall shqiptarizmi,
burrat me emër të lartë.
Vdeksha edhe prapë u ngrefsha,
shokët në këngë i gjetsha!”
Për Mjeshtrin e Madh Lefter Çipa nuk ka vdekje, ai fizikisht u nda nga kjo jetë, por shpirtërisht ai është në çdo varg e strofë të çdo kënge që ai shkroi vetë dhe që ua la si trashëgim brezave që do të vijnë.
Lefter Çipa është dhe mbetet udhërrëfyesi bashkëkohor i polifonisë labe./Nga Kozma Billa

Loading...