Sejmen Gjokoli
Nga cikli “Visare trashëgimie”
VENDIM KAPAJ, MAGJISTARI I FYELLIT
-Me fyelltarin Vendim Kapaj, “Mjeshtër i Madh”-
Ishte fare i vogël kur do fillonte të bënte pipizane me kallama apo turrubeta me lëkurë të xhveshur lofate. Imitonte më të mëdhenjtë që u binin cylave të metalta po edhe të jatin, edhe pse ky nuk shquhej aq shumë në fis.
Në fshat, madje brënda fisit, dallonte një tjetër, Ilmi Haxhi e quanin, edhe ky nga një zjarr me të jatin, madje duket se më së shumti kjo lidhje gjaku i ka vënë vulën genit apo trashëgimisë, ç’kulur shekuj përpara nga Vajza e Labërisë.
Kur do të ngjitej për herë të parë në skenë ishte vetëm nëntë vjeç dhe ka të fiksuar Nartën, qendrën e kooperativës ku bënte pjesë edhe Kërkova, fshati i tij i lindjes.
Daton diku nga pranvera e vitit 1968 të shekullit të shkuar kjo ngjarje që i ka mbetur në mëndje.
Vetëm për katër gishta i linte birat, katër të tjerat i zinte me ngjitëse, tri të fundit dhe tjetra pas.
Aq gishta mund të përdorte, nga dy për çdo dorë, të tjerët nuk arrinin.
I ka mbetur në mendje se prej asaj kohe filluan ta aktivizojnë drejtuesit e shtëpisë së pionierit në Vlorë, duket piketuar si talent.
Akoma i kujton telegramet që i venin në shkollë shoqëruar me emrin e të jatit përbri.
Më pas filloi të aktivizohej edhe në koncerte me të rritur, në një prej të cilëve udhëhiqej nga Liu Mone, emër i madh i muzikës dhe kulturës vlonjate.
“Bjeri prapa e mos e le pas dore këtë instrument se një ditë do të bëhesh dikush” – kujton ti ketë thënë një herë nga herët Profesor Liu të cilin e kujton me nostalgji.
Ndërkohë që për gjithëshka të arritur profesionalisht e cilësisht i falet Haxhi Dalipit, muzikologut e drejtuesit që bëri jo pak histori zhvillimesh kulturore në Vlorë, në qytet, Bregdet e Labëri.
Me të e lidh edhe daljen e parë në skenën e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës në vitin 1973, në një interpretim të përbashkët me një mjeshtër tjetër të instrumentit popullor, Nazër Kongjinaj, e nga ku s’do të mungonte në asnjë tjetër më pas.
Me skenën e Kalasë së Gjirokastrës ka të lidhura edhe dy prej realizimeve më fantastike me instrumenta popullorë tradicionalë interpretuar në edicionet e vitit 1983 e 1988, njëra prej të cilave, ajo e vitit ’83, ka bërë bashkë plot njëmbëdhjetë vetë me fyej, cyla dyjare, xambare, bilbila, zile, këmborë, imitacione zogjsh me zëra e gjethe.
Një performancë magjike, një kombinim avazesh baritore të pa ndodhura më parë, thua se në Kala patën zbritur njëherazi stanet plot lezete të tërë maleve të Labërisë.
Dhe në të dy festivalet, tanimë njëzet e katër dhe njëzet e nëndëvjeçar do të shkëlqente si një lider i vërtetë folklori e në të dy edicionet me radhë do të shpallej Laureant i Festivalit.
Edhe pse tani mban vlerësimin më të lartë, atë të “Mjeshtër i Madh”, të dy laurimet i ka të shënjta e më të çmuarat, siç thotë edhe për faktin se mbajnë dy firma të mëdha të kulturës kombëtare, atë të Alfred Uçit e Ramadan Sokolit.
Kontaktin me një skenë të huaj e ka në vitin 1989 në Ganat të Francës, kohë kur në përbërje të Ansamblit “Labëria” të Vlorës do të përfaqësonin Shqipërinë në një festival folku organizuar nga një personalitet e folklorit botëror si Zhan Roshe.
I kishte përzgjedhur vetë mbasi një vit më parë francezi i njohur kishte përcjellë Festivalin Kombëtar direkt në Kalanë e Gjirokastrës.
Aq shumë e kishte pëlqyer miku francez sa një baner të tërë me imazhin e fyelltarit vlonjat do ta vendoste në një nga ambjentet panoramike të qytetit të festivalit.
Vendimi na flet me admirim për disa nga fyelltarët që kanë bërë emër në Labëri ku në fyell krahas Nazër Kongjinit të Brate rendit Margarit Kongjinin e Pilurit ndërkohë që për cylën dyjare vlerëson Arap Çeloleskaj të Vranishtit e Zenel Skëndaj të Gumenicës.
Ndërkohë që vlerëson edhe të tjerë përtej Labërisë si Muharrem Ramaj në Mallakastër, në emigracion Siri Sadikaj e deri në Gjilan të Kosovës, Rexhep Jasharin.
Krahas interpretimeve si solist në instrumentin e fyellit, Vendim Kapaj ka një kontribut të jashtëzakonshëm në shoqërimin e këngëve polifonike.
E veçanta është se pikërisht në këtë stil të ri të kënduari, Vendimi realizon jo vetëm parathënien e këngës por e shoqëron atë gjatë gjithë vijës melodike duke realizuar në një farë mënyre një kthyes të dytë por në këtë rast përmes tingujve të instrumentit të metaltë.
Kur e pyet nëse e ka një këngë që veçon në këtë lloj ngjizje nuk heziton të përgjigjet dhe përmend atë me titull ” Mërmërimë malli” kënduar me Folk Grup “Bilbili” në vitin 1999 në një festival folku në Lituani.
Ndërkohë që për nivel të lartë të kombinimit të avazeve të fyellit me një zë këngëtari veçon performancat me Nazif Çelën me të cilët për pesë vite me radhë kanë qenë pjesë e “Fyellit magjik” të Butrintit, një rast ku i është dashur të shpalosë të gjithë magjinë e krijuar përmes tingujve të dala nga instrumenti i metaltë.
Na thotë se prej aktivitetit në qytetin antik ka lindur edhe një nga krijimet të cilat Prof. Vaso Tole e ka bërë pjesë të një disku vënë në dispozicion të UNESCO-s për shpalljen e Polifonisë kryevepër shpirtërore të njerëzimit.
Virtuoz deri në përsosmëri, i pa lodhur e i gjendur kudo.
Së fundi ka rreth tri dekada që botën e tij artistike e ndan mes dy grupeve që gjallojnë në Vlorë në veprimtari të pa ndalshme; “Bilbilit” e “Çilinit”.
Dhe nuk është e rastit një tjetër dimension artistik i Vendim Kapaj ku “fyellin magjik” e shikojmë të bëhet pjesë e të zerë vend edhe në muzikë klasike, të jetë njëri prej instrumentave të orkestrës me harqe, violina e tunxh e që në pamje të parë duket si e pa besueshme për tu bërë bashkë.
Duket se kompozitori i ri e me plot talent, Aulon Naçi, ka gjetur njeriun e duhur për ta bërë këtë ngjizje të rrallë.
Siç thotë mjeshtri, fyelli, ndryshe nga cyla dyjare apo longari, ka diapazon më të gjerë në regjistër, të jep mundësi të shprehesh edhe më shumë.
Fyelli është mbret i vajtimeve por një virtuoz si Kapaj e bën të hedhësh valle apo të realizojë performanca që të çuditin.
Në orkestër i vetmi që luan pa partiturë, ky është sekreti i këtij instrumenti baritor që vjen si trashëgimi nga shekujt e që mbetet vëlla me malet.
Vendim Kapaj është njeriu që magjinë popullore të këtij instrumenti e ka kthyer në një magji pa ndasi moshash, krahinash apo shtresash shoqërore.
E ka kthyer fyellin në një art të vërtetë shpirtëror të mezi pritur në çdo lloj skene e auditori.
Në solo, në shoqërim kënge e grupi, në valle, në orkestër, kudo.
Të flet për të si për një fëmijë të vetëm, kujdeset si të ishte prej floriri.
Pa diskutim si askush tjetër deri më sot.
Vetëm një kuriozitet nuk është në gjëndje ta shuaj: rënien që i bën me dhëmbë.
Si duket prej kësaj enigme buron unikaliteti e magjia…
Vlorë; 28.08.2021
‘Visare trashëgimie’/ Vendim Kapaj magjistari i fyellit
Loading...