Atleti Pirro Dhima ka bërë një rrëfim të ndjerë për ndarjen nga jeta të bashkëshores së tij, Anastasia, e cila humbi jetën 3 vite më parë. Gjatë intervistës për televizionin grek, ai ka shpërthyer në lot kur pa pamje dhe foto nga jeta e tyre martesore.
“Anastasia luajti një rol të madh në gjithçka në jetën time . Mendoj se jemi rritur bashkë dhe kemi bërë shumë gjëra së bashku që njerëzit e tjerë nuk do t’i bënin në tre jetë. Ajo më dha katër fëmijë të mrekullueshëm. Më dha shumë…”.
Më pas, ai tregoi se si i kalonin momentet e vështira së bashku kur mori vesh që bashkëshortja vuante nga një sëmundje e pashërueshme.
“Gjithçka ndodhi aq shpejt sa ne as nuk e kuptuam. Më kujtohet kur shkonim në shtëpi pas operacionit, ajo ngrihej natën, kur fëmijët flinin dhe qante vetëm. E lashë të ndodhte për dy, tre ditë. Në një moment i them: “Kjo gjë që bën nuk duhet të ndodhë më, është e keqe , nuk po e ndihmon veten. Nuk po më ndihmon as fëmijët, as mua.” “Do të vdes”, më thotë. Askush nuk e di se kur do të vdesë iu përgjigja. Që nga ajo ditë nuk ndodhi më,”-tregon ai.