Lejla Gorishti
Rubrika” Ta flasim bukur dhe pa gabime gjuhen shqipe”
Gabime të mëdha, po bëhen herë pa vetëdije, por shpesh edhe me vetëdije, duke mënjanuar fjalët shqipe për t’i zëvendësuar ato me fjalë të huaja në vend e pa vend apo pa nevojë.
Në shumë raste gjatë përdorimit të tyre vend e pa vend dalin edhe qesharak, sepse nuk ua dinë mirë etimologjinë e fjalëve dhe në këtë rast gabojnë duke i përdorur në kontekst tjetër.
FJALA SHQIPE NË VEND TË FJALËS SË HUAJ
1)Abandonoj -Nuk ka ndonjë arsye të përdoren në gjuhën tonë fjalë të tilla si abandonoj, abandonohem, i abandonuar që kanë hyrë si huazime nga vitet 30, kur shqipja ka fjalë të bukura, të kuptueshme për të gjithë që kanë të njëjtin kuptim si: lë. lë pas dore, braktis, i braktisur, p.sh.: Nuk e kanë lënë shpresat. S’e lë pas dore punën. Braktisën anijen. Shtëpi e braktisur.
2)abnegacion, ~i m. Kjo fjalë e huaj zëvendësohet plotësisht me fjalën shqipe vetëmohim, e cila për nga kuptimi nuk ka ndonjë ndryshim me huazimin, p.sh: Vetëmohim i lartë. Punë plot vetëmohim. Luftoi me vetëmohim.
3)abonim, ~i m., abonoj kal., abonohem vetv., abonuar (i, e) mb. Këtozëvendësohen plotësisht me fjalët shqipe pajtim, pajtoj, pajtohem, pajtimtar, që kanë nisur të përdoren me këtë kuptim që në fillim të këtij shekulli. Ato kanë marrë një përhapje të madhe në gjuhën e sotme, megjithatë ende dëgjohen edhe fjalët e huaja, të cilat janë krejt të panevojshme. Mund të themi fare mirë: Kam pajtuar vajzën në revistën “Gjuha jonë”. U pajtova për një vit në gazetën “Sot”. Pajtimet në shtyp bëhen vjetore.
4)abrogim, m., abrogoj kal., abrogohet pës., abroguar (i,e) mb. Në vend të këtyre fjalëve të huaja tashmë kanë hyrë në përdorim fjalët shqipe të këshilluara nga A. Xhuvani: shfuqizim, shfuqizoj. shfuqizohet, i shfuqizuar.
FALEMINDERIT!