Teatri Migjeni ka nxjerr në faqen e tij një kolazh fotosh të artistes Zyliha Miloti për t’i uruar ditëlindjen e duke shprehur dhe njëherë krenari për këtë figurë të papërsëritshme të artit tonë.
Ajo lindi në Shkodër, më 11 janar 1946 . Mbaroi liceun artistik ”Jordan Misja”, me 1965 për aktore dhe nga viti 1967 e në vijim paraqitet si një nga aktoret ma të suksesshme të Estradës Profesioniste të Shkodrës për rreth 40 vjet.
Plot hir në skenë, me një prani aktoriale që imponohej gjithandej me zë të plotë e të bukur, Zyliha Miloti numëron me qindra role në karrierën e saj të shkëlqyer. Shfrytëzon me sens e maturi nëndialektin e të folurës shkodrane, pa e bërë atë një zhargon të rënd, përkundrazi duke i dhënë një tingëllim poetik e plot muzikalitet.
Ka krijuar figura grash prepotente e zotëruese ndaj burrave, llafazane, sikundër edhe femra snobe, malësore disi naive apo ”burrnesha”, zyrtare e intelektuale të kohës etj.
Në aktrimin e saj ka pak elementë grotesku, duke qenë më aktive ato të një humori me thekse realiste e të sjella sa më pranë modeleve jetësore. Në skenë, Miloti ishte partnere e parapëlqyer e aktorit të mirënjohur Tano Banushi, sikurse edhe e Zef Dedës, me të cilin ka luajtur shumë pjesë të shkurtra për estradë, kujtojmë këtu: Fotografisti, Në spital, Kunati i shokut Xhemal, Truall i zënë , Toka jonë etj.
Një gjysmë shekulli karrierë artistike në Teatrin e Estradës dhe gjatë këtyre viteve ka realizuar më shumë se 250 premiera shfaqjeje. Ajo mban titullin ”Artiste e merituar”.
Zyli është sinonim i estradës, aktorja e të gjitha planeve, një grua fisnike, plot elegancë dhe mjaft komunikuese. Fjala e mirë është në fillesën e çdo fjalie të saj.
Ajo gjithmonë u paraqit denjësisht, ashtu si e kanë njohur në vite shqiptarët në skenë, ekran, radio, intervista, apo krijimtari: e thjeshtë, elegante, krenare, e sinqertë, pa teprime, një grua e vërtetë shqiptare, me të cilën Shkodra krenohet.