Nga Lefter Çipa
Atë unë shumë e doja
(Balladë) kushtuar djalit te tij te ndjere 36 vite me pare.
“Tim Biri, Akroqeranit”
Lulet që nxjerr toka, unë shumë i dua,
Këtë radhë bota, s’di ç’pati me mua?!
Zemra më është vrarë, shpirti pikëlluar
Për Akroqeranë, jam i dëshpëruar.
Kështu qenkej shkruar, shpejt për atë djalë
Syri m’u mallua, ishte zog i rrallë!
Kënga pse m’u shua? Si do ta nxjerr mallë?
Nata e ndjek ditën, mbrapa, këmba-këmbës,
Dhembja seç mban thikën, m’u në mes të zemrës
Lotët seç më ikin, si rëra e hënës,
Kush ja thau shpirtin, kush ja thau nënës?
Për atë djalë nëna, del thërret – O djalë!
Seç kullon nga brenda, përplaset si valë.
Sepse, zogu i saja ka ikur për fare
Lart, në ato maja fluturon mbi vale!
O lot i pa sosur, dhe ti gjak në deje,
Jam vrarë dhe plagosur, rashë e pa gjak mbeta,
Fort rëndë më godite, ndaj me loton syri
Akro, pse më ike? Eja, zog gëzimi.
Ike, po ku vajte?! Nënës pse s’ju ktheve?
Ngrehu, lëndinën hape, eja prapë po deshe.
Eja, o sy shkruar, i pesti i vogël,
Ti të takosh mua, tako dhe tët motër,
Lart majave të larta, thonë se ke banimin
Atje ku është nata, ditën bën pushimin,
Atje dhimbja është e plotë.
Çdo ditë ke babanë dhe një borzilok.
Për gjumë ke rënë, për çdo mëngjes drite,
Yjet tek ty zbresin, si një çikë s’u ngrite?
Sikur të më linin, qaj në gjuhën shqipe-
Hapi Akro sytë!- lëre atë baltë,
Që zogjtë të gjithë mbi krahë të të mbajnë
Zogjtë të përlotur, vijnë të rrinë pranë,
Moj vdekje e pangopur, kthema prapë të gjallë!
Balta mjaltë e zjarrtë, mjaltë e baltë e ngrohtë,
Ngrohtësia e djalit dhe në parajsë qoftë.
Eshtrat njomëzake shumë të njoma janë,
Ndaj lulet mbi varre, bukuri na kanë.
Zogjtë nëpër gjethe, të heshtur qëndrojnë,
Kur tek djali vete, nënën shoqërojnë.
Këta zogj të bukur, në zi janë- thonë!
Me zemër këputur, ngushëllojnë babanë!
Djalë, pse s’na deshe, ç’pate pse na vrave!
Pse n’ato sheshe, kaq shpejt ike e vajte?!
Yllit do t’i lutem, malit sa të dalë,
T’i vesojë lulet, që rriten mbi djalë.
Sepse pata shpresë, thoshin se do vinte!
Ai paska vdekur, për shekuj dhe vite.
Ndaj, mos është zgjuar ta mbaja mbi supe,
Si pak ujë mbi duar, ah, si zog mbi lule.
Atë shumë e doja, aq sa dot nuk thuhet,
Shumë vërtet do rroja sikur prapë të zgjuhet.
Jo, more jo, nuk kthehet, për të na merr malli!
Pak nga pak po tretet, tretet si borë mali.
Dhembja, dhembshuria, thau dhe babanë,
Nëna dhe fëmija, për Akron seç qajnë
Trëndafili i njomë, fletët t’u bënë gjëmba,
Kur qiejt vesojnë, çohu prapë nga kënga.
Gjuhën po t’ia dija, qiellit të lartë,
Besoj Perëndia! Do më mbante pranë.
Dil, o djalë, nga dheu, mos rri shumë gjatë.
Ktheu tek nëna ktheu, hajt tek babai prapë.
Ktheu pëllumb i shkruar, ktheu dhe një herë,
Pse na ke harruar, pse je kaq i sertë?
Ftoi kokrrashumtë, mbeti prapë, s’u shua.
Se ka djem të tjerë, s’janë pak po katër,
Dhe motra sy zezë, ndez zjarrin në vatër.
O pëllumb i shkruar, engjëll i stolisur,
Mos je zemëruar, tani që je rritur?
S’e kishim besuar që kaq pak të rroje,
Dhe loti i lotuar, na plak para kohe,
Ti qiell, ti tokë, pse nuk më tregoni?!
Akrua çfarë thotë, vallë, ku qëndroi?!
Mos rri mbi shkëmbinj, mbi borë e mbi lule?
Apo na është bërë, një djalosh për nuse?
Apo Akron tonë, engjëjt e rrethojnë?!
Në parajsë të artë, flokët i verdhojnë,
Atje ku ka vajtje dhe ne do të vemi,
Pranë, more, pranë, një ditë do ta kemi.
Ndaj, djalë lamtumirë, lamtumirë, të fala!
Nëpër trëndafila, si zog djalë të paça.
Për çdo stinë e verë, ta dëgjofsha këngën,
Ktheu dhe njëherë të na shërosh zemrën!
E shkruar ne janar 1983 dhe botuar tek libri:
“Princi i Dashurise” 2011.
Pas 36 vjetesh, mbetesh dhimbje ne rritje. Tashme i miri yne do te ishe “ftoi kokrrashumte” i shtepise. Vargje vaji aterore ne kete rast, eshte nje shtese e perjetesise tende ne kujtesen dhe dashurine tone.
– Akil Dhrami