Vullkani Aurela Gaçe – Labja e papërsëritshme!

E kam thënë edhe herë të tjera që fjalët e mira dhe epitetet e mëdha i rezervojmë për artistët kur ata nuk janë më mes nesh.

Edhe pse të paktë janë atë që meritojnë fjalën “artist” e që meritojnë të lëvdohen e shpërblehen sa janë në jetë, rrallë ndodh që të dëgjosh vlerësime prej vërteti për ta.

Dua të them nderime me tituj, siç ndodh në të gjithë botën, ku për shkak të kontributit që jep, një artist merr tituj e dekorata.

Zakonisht ne kemi qejf t’ua japim kur nuk u hyjnë më në punë, pikërisht kur nuk janë mes nesh.
Nejse, bëra gjithë këtë hyrje për të thënë se kisha shumë dëshirë ta bëja këtë shkrim për një artiste me A të madhe si Aurela Gaçe e nuk dua të pres kur të mos jetë më, për t’i kushtuar një status epik apo shkrime pa fund, siç e do zakoni.

Rastisa të dëgjoja në Youtube disa këngë të vjetra të muzikës botërore dhe nga faqja në faqe më doli përpara kënga “Nata” e Aurelës.
Doni ju që u bëra nostalgjike dhe fillova të dëgjoja gjithë repertorin e saj! Është e tepërt të flas për tekstin, muzikën apo interpretimin e saj fantastik, por çfarë më bëri përshtypje më shumë ishte çmenduria, guximi artistik i saj.

Në një kohë kur vështirë të konceptoheshin thyerjet e tabuve dhe daljet nga klishetë, Aurela kapërcente veten në çdo performancë e dalje publike.

E them me bindje se kjo artiste ka qenë një revolucionare që ka ndihmuar edhe në emancipimin e femrës shqiptare.
Artistja “e çmendur” që dilte zbathur në festival apo që qethte kokën dhe e bënte të bardhë e që çuditërisht nuk shikohej me dyshim nga publiku. Karizma e saj është e lindur, Aurelën e duan, e kanë dashur që në momentin e parë që e kanë dëgjuar. Ndoshta sepse ajo nuk përpiqet të jetë skandaloze dhe nuk i bën çmenduritë për të rënë në sy.

Ajo nuk ka nevojë të tërheqë vëmendjen me zhveshje të sforcuara apo skandale që nuk i rrinë personalitetit të saj.
Aurela është një vullkan dhe si e tillë është e paparashikueshme, me të mund të ndodhë gjithçka në skenë. Ajo nuk është thjesht këngëtare dhe performuese, ajo është një showgirl.

Mbaj mend koncertin e saj të parë recital dhe emocionet që kam ndierë kur e shikoja. Kam qenë e vogël, por mbaj mend që Aurela ka qenë artistja ime shqiptare, ndoshta e vetmja, e preferuar.

Teksa e shikoja të imitonte kolegët e saj apo edhe legjenda si Charlie Chaplin apo tek bënte humor e shkëmbente batuta me publikun, shtuar kësaj edhe interpretimet rrëqethëse, si “E pafajshme jam” ose “E kemi fatin shpresë dhe marrëzi”, kuptoja që kjo figurë ishte poliedrike, ishte përkufizimi i fjalës artiste.Më vonë, kur u rrita dhe fillova të kuptoja më shumë, habitesha gjithsesi për gjurmët që kishin lënë tek unë këngët dhe performancat e Aurelës që në vegjëli.

Të prekësh shpirtin e një fëmije është gjenialitet.

Unë e them pa frikë se Aurela është një dhe e vetme në llojin e saj; çuditërisht nuk ka ndryshuar fare që nga recitali i saj i parë e deri në daljet e fundit. Është një burim i pashtershëm energjish, vazhdon eksperimenton deri në hallakatje me stilin e saj, pa e vrarë mendjen nëse e kalon masën apo se nuk i shkojnë.

Aurelës i shkojnë të gjitha, sepse kur ajo hap gojën askush nuk e ka mendjen te çfarë ka veshur apo sa e ka masën e gjoksit; i ka fryrë buzët apo jo.
Është një personazh i thjeshtë dhe komunikon lirshëm me fansat e saj, pa u fryrë e u pompuar duke reklamuar jetën luksoze apo eurot që i hedhin në performancat e saj. Ajo e merr gjithçka lehtë dhe me humor.

Po ta ndiqni në Instagram e Facebook e kuptoni mirë për çfarë e kam fjalën.
Ashtu si në skenë, kush ka pasur fatin ta njohë në jetë e di se ajo është po aq energjike, sportive e pa komplekse.
Nuk bën Aurelën e Olimpit, por përkundrazi flet me një lirshmëri që të duket sikur e ke shoqe prej vitesh, sepse njeh Aurelën e ekranit.

Një vullkan si Aurela Gaçe jam e bindur që do e kemi në skenë për shumë kohë, sepse ajo nuk njeh moshë dhe kohë dhe, siç e ka thënë vetë, edhe kur të jetë 80 vjeçe do të jetë po aq e çmendur në look, me flokët blu ndoshta e fustan me zinxhirë, por e sigurt është se fuqia e saj skenike do të jetë e njëjtë me atë të Aurelës 20-vjeçare.

Një artiste si ajo është përgjithmonë 20 vjeç, një sfidë e hapur për çdo të ri që kërkon të lërë gjurmë… sepse yjet lindin, nuk bëhen./paloma

Loading...