“O Qatip faqe pa qime, sa di ti, di b…a ime!” – Një kujtes nga Dritëroi

Xhevdet Shehu

Po si u përgjigjej kritizerëve të tij Dritëroi? Ndonjëherë edhe e merrte mundimin, (bënte ndonjë përjashtim për ndonjë shkrimtar dhe sidomos për ata që i kishte ndihmuar të ngjiteshin e të bënin karrierë në letërsi dhe politikë), por më së shumti i kalonte me shaka ato sulme…

Nuk i vinte fare në kandar kritikat dhe sulmet që i vinin nga njerëz anonimë. Dhe dukej sikur përsëriste atë që kishte thënë te “Zyloja: “Ti thua mendimin tënd, unë tund kokën time…” .

Një i tillë, nga më të egrit, ishte një gazetar i RD-së, i cili për fatin e tij të keq ishte qose, i cili shkruante vazhdimisht dhe me një gjuhë vulgare kundër Dritëroit. Një ditë prej ditësh, ky gazetari qose (të cilin nuk ia mbaj mend saktësisht emrin, ngaqë ishte krejtësisht i patalentuar, ndaj po e quaj me emrin Qatip, për shkak se merrej me shkrime) e takoi shkrimtarin në oborrin e Kuvendit dhe i thotë:

– I ke lexuar Dritëro shkrimet e mia?

– Po, iu përgjigj, Dritëroi. Jam zbavitur me to…

– Mirëpo, nuk ta mban të më përgjigjesh. Nuk bën dot replikë me mua! – ia kthen i ngrefosur gazetari qose.

– Unë replikë me ty? – i thotë Dritëroi. -Nuk më ka shkuar në mend. Po meqë ma kërkove, unë ta jap një përgjigje, por me kusht që ta botosh kështu si po ta them…

– Pa diskutim, ta premtoj këtë… Dhe shkruesi i RD-së nxori me vrap bllokun të mbante shënim.

Dritëroi, pa u menduar gjatë, i dikton këto vargje:

“O Qatip faqe pa qime,

Sa di ti, di bytha ime!”…

Faqe-qosja mbylli bllokun dhe iku i zemëruar.

Natyrisht që këto dy vargje nuk u botuan kurrë në gazetën e tij, por ato morën dhenë dhe kujtohen edhe sot e kësaj dite dhe mendoj se do të kujtohen edhe në të ardhmen.

***

Dritëroi ka qenë një inkurajues i madh i talenteve të reja në letërsi dhe arte. Këta krijues, një pjesë e të cilëve janë emra të njohur, mendoj që për rreth 20 vjet qenia e Dritëroit në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ka qenë një fat për ta. Ai gëzohej kur ata ecnin përpara dhe e meritonin të quheshin poetë, shkrimtarë dhe artistë dhe nuk ka pritur asnjëherë të shpërblehej për ndihmën që u kishte dhënë…

***

Dritëroi nuk dinte të shtirej. Këtu qëndron dhe “sekreti” që ai vazhdon të jetë i pëlqyer. Si njeri dhe si poet. Naimin e donte shumë, por mendoj se duke ecur në gjurmët e tij, poezia që krijoi e bëri edhe më popullor edhe vetë Naimin. Dritëroi e kishte si një shenjt Naimin. Mendoj se shumica e shqiptarëve mendojnë kështu. Por unë shtoj se, në të njëjtën kohë, është një nga gjestet më fisnikë që një autor i famshëm bën për një autor pararendës.

Gjatë një bisede, nga mesi i viteve ’90-të të shekullit të kaluar, Dritëroi më ka thënë se kur shkruante poemën e tij madhore dhe të papërsëritshme në letrat shqipe “Nënë Shqipëri”, kishte në çdo moment parasysh Naimin,sidomos poemën e famshme “Bagëti e Bujqësia”. Atë dashuri të thellë për këtë vend dhe për këtë popull, për të cilën kemi pasur dhe do të kemi nevojë në jetë të jetëve.

Me që ra fjala, përkthyesi i madh kinez Prof. Çen En Bo, një nga albanologët më të shquar në Pekin, me një kontribut të jashtëzakonshëm në përkthimin e më shumë se 90 autorëve shqiptarëve dhe të katër historive të letërsive shqipe në gjuhën kineze që studiohen në më shumë se 1100 universitete të Kinës, ma ka shkruar me dorën e tij dhe unë e kam botuar në gazetë se, sipas tij, poema “Nënë Shqipëri” është një nga poemat më të mrekullueshme të botës moderne. Në Kinë kjo poemë e përkthyer prej Çenit, ka pasur një jehonë të madhe. Nëse nuk e kanë lexuar 1.5 miliardë kinezë, disa dhjetëra milionë kam bindjen se e kanë lexuar, më ka thënë Prof. Çeni. Por, nga Dritëroi, Prof. Çeni ka botuar edhe një sërë veprash të tjera, romane dhe vëllime poetike…

Këtë bindje e kam krijuar nga takimet me akademikun kinez Çen En Bo, në vitin 2005. Kemi ngrënë një darkë atë vit në një restorant kinez brenda Bar-Lulishte “1 Majit” në Tiranë pranë Urës së Tabakëve, ku ishin të ftuar dhjetë miqtë më të mirë shqiptarë të përkthyesit kinez. Ishte një mbrëmje e paharruar me Prof. Çenin dhe nga dhjetëra fotografi të asaj nate, kam një fotografi të rrallë me Dritëroin dhe Çenin…

Krijimtaria e Dritëroit në aspektin e atdhetarizmit është sa një vazhdimësi natyrale e rilindësit të madh, Naim Frashërit, aq edhe një lartësi e lakmueshme për të gjithë krijuesit e djeshëm, të sotëm dhe të ardhshëm.

***

Dritëroi ka qenë dhe mbetet një nga shkrimtarët më të angazhuar në politikë.

“Shkrimtari duhet të jetë i angazhuar, më ka thënë. Ku ka njerëz më të mençur dhe më idealistë se shkrimtarët. Mendon ti se ata kokëtulët që nuk lidhin dot dy llafe janë më të mençur dhe më idealistë se ne?…”

Angazhimin e tij Dritëroi e ka shpërfaqur haptas, si një nga figurat kryesore të Partisë Socialiste, ashtu dhe me krijimtarinë e tij. Pas vitit 1990 ai ka botuar shumë libra me poezi, romane dhe prozë, por unë mendoj se krijimtaria e tij publicistike është nga më të mirat e kësaj periudhe. Është një model i përballjes, argumentimit dhe debatit të qytetëruar. Përmbledhja voluminoze “Teshtimat e lirisë” është një manual për krijuesit dhe gazetarët, si dhe një model qëndrueshmërie. Dritëroi ishte konsekuent, i qëndrueshëm, por edhe paraprirës i situatave.

Një shembull për të vërtetuar këtë është sjellja e tij në kongresin e 10-të të PPSH-së.

Gati gjashtë muaj para afatit, u thirr Kongresi i 10-të i Partisë së Punës. Pikërisht atëherë, në ditët e para dhe të nxehta të qershorit 1991 u hodh një hap i rëndësishëm, por jo përfundimtar, për t’u shkëputur nga trashëgimia e së kaluarës komuniste. I paharrueshëm është diskutimi që mbajti në atë kongres shkrimtari Dritëro Agolli, i cili hodhi i pari idenë e reformimit të thellë të Partisë. Dritëro Agolli bëri të pabërën deri atëherë brenda asaj partie: Ai kritikoi Enver Hoxhën!Dhe kjo ishte një blasfemi e vërtetë. Shkrimtari vuri gishtin në plagë dhe salla u hodh përpjetë nga dhimbja, e tronditur tej mase. Diskutimi i Dritëro Agollit ra si bombë. Por, pas disa hezitimesh dhe diskutimesh të gjata, të gjithë erdhën në mendjen e shkrimtarit, i cili dukej se shihte shumë më larg se gjithë ata delegatë që mbushnin sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve dhe që lehtësisht mund të ngjireshin duke brohoritur për Enver Hoxhën.

Dritëro Agolli u zgjodh anëtar i udhëheqjes më të lartë të Partisë së porsaformuar. Ishte një zgjedhje e mençur që u bë, ndoshta pa dashjen e shkrimtarit. Nuk ishte ai që kishte nevojë për emrin e Partisë Socialiste. Përkundrazi, PS kishte nevojë për emrin e madh të shkrimtarit, për popullaritetin e tij të pashoq.

***

Në vitin 1997 Dritëroi u vu pa asnjë hezitim në krah të popullit të grabitur pamëshirshëm dhe denoncoi dhunën e regjimit despotik të Sali Berishës. Ai u kthye në një tribun popullor ndërsa shkroi poezi, shkrime e dha intervista të shumta ku dënohej ajo dhunë e pashembullt. Dhe dihet se pas një rebelimi popullor, regjimi i Berishës ra me zgjedhjet e fundqershorit, por Berisha ende nuk ishte larguar si president. Pas nja dy javësh ai bashkime një grup deputetësh dhe drejtuesish të Partisë Socialiste shkoi në Mallakastër ku çdo vit përkujtohet Besëlidhja e Mallakastrës e vitit 1943. Ishte hera e parë që nga koha e luftës që banorët e zonës kishin shkuar të armatosur në festën e Besëlidhjes. Në një moment ia dhanë fjalën Dritëroit. Dhe ai me atë sinqeritetin dhe natyrshmërinë që e karakterizonte, në një moment, duke iu drejtuar popullit, tha këtë shprehje lapidare:

“Nëqoftëse Saliun e rrëzuat me pushkë, këta (dhe tregoi ata që kishte në krah) i godisni me top në rast se ju tradhtojnë si Saliu!”

***

Por Dritëroi nuk ishte dogmatik. Besonte në idealet, por në të gjitha sjelljet dhe veprat e tij, mbeti Dritëro. Ishte dhe një tolerant i madh. Me atë tolerancë të skajshme edhe ndaj kundërshtarëve, edhe miqve që më pas i dilnin kundërshtarë, Dritëroi mbeti i papërsëritshëm. Sepse ka ndodhur që i kanë dalë edhe kundërshtarë dhe ai i ka falur. Dritëroi dinte të falte, madje edhe i justifikonte disa…

Për këtë cilësi të tij flet edhe ky fakt që ma ka treguar vetë Dritëroi gjatë një bisede në shtëpinë e tij.

Në Sankt-Petersburg ku kreu studimet e larta, Dritëroi kishte pasur një shok, me të cilin pinte ndonjë gotë pas leksioneve, në orët e lira. Miqëson me këtë shok të viteve të rinisë (të cilit po i përmend vetëm germat e fundit të emrit e mbiemrit I.E.) e ruajti edhe kur Dritëroi ishte Kryetar i Lidhjes, edhe kur u bë anëtar i Komitetit Qendror deri sa ai, pra shoku, u nda nga jeta. E thërriste e pinin ndonjë gotë sërish, si dikur. Gjatë pijes Dritëroi shprehte ndonjë pakënaqësi dhe shpesh kritikonte… Një ditë e thërrasin në Komitetin Qendror Dritëroin e i thonë: Ke thënë kështu e ashtu… Ishte një paralajmërim. Vret mendjen Dritëroi dhe e gjen: “Këto muhabete i kam bërë me filanin. Qenka spiun…” tha me vete. I mbajti mëri ca kohë, pastaj e thërret sërish për të pirë ndonjë gotë. Sapo u ulën i thotë: Shiko, ti bëj detyrën se për atë paguhesh, por mos i shkruaj të gjitha në një raportim. Bëji fjala vjen në dy apo tre raporte që të vazhdosh të marrësh rrogën…

Pastaj hëngrën një drekë së bashku. Dhe ai ish-shoku i tij vazhdonte të merrte rrogën duge bërë raporte të fshehta.

***

Komunikimi i im i fundit me Dritëroin ka qenë data 19 korrik 2016. Të nesërmen do të votohej në Kuvend reforma për drejtësinë. E ndiej veten me fat si gazetar, përveç shumë takimeve që kam pasur me të, shumë intervistave që kam mundur t’i marr në kohë të ndryshme, arrita t’i marr dhe një deklarim të fundit (që nuk e mendova se do të ishte komunikimi i fundit) këtij shkrimtari të madh që njëkohësisht është tejet domethënës për karakterin dhe integritetin moral dhe njerëzor të shkrimtarit.

… Më kërkoi Sadija në telefon.

– Dritëroi do të flasë me ty, – më tha.

Dhe folëm gjatë atë ditë. Më jehon edhe sot e kësaj dite në vesh ai zë i ngrohtë dhe shumë i njohur për mua. Në esencë të fjalëve që më tha ishin ato që do të botoheshin të nesërmen në hapje të gazetës ‘DITA’ nën titullin “Apeli i Dritëroit”.

E bëj këtë apel, më tha shkrimtari i shquar, pasi “O sot o kurrë, kjo reformë në drejtësi duhet votuar”.

“Kam dëgjuar se mbi 90 për qind e popullit e do këtë reformë dhe e mbështet atë. Unë e besoj këtë shifër që jepet. E kur ke popullin me vete beteja është e fituar. Është revolucion. Është i drejtë krahasimi i kësaj reforme me revolucionin” .

Dritëroi tha se kanë folur deri më tani vetëm partitë politike, por pak është dëgjuar zëri i intelektualëve. Ai kërkoi që apelin e tij drejtuar deputetëve ta mbështesnin edhe intelektualë të tjerë, akademikë, shkrimtarë e artistë, personalitete të shquara të fushave të ndryshme. Dhe kështu u bë. Në listën që mbështesnin apelin e Dritëroit ishin personalitet më të njohura të vendit, ish-presidentë e ish-kryetarë Kuvendi, shkrimtarë, poetë e intelektualë të shquar.

Nga ajo mbrëmje, ruaj edhe një kujtim tjetër të çmuar. Ndërsa ishin bërë rreth 25 personalitete që mbështesnin apelin e Dritëroit, drejtuesit e gazetës më thanë nëse mund t’i telefonoja shkrimtarit Ismail Kadare, i cili ishte me pushime te Mali i Robit në Golem.

Po, u thashë. Pasi ia thashë thelbin e çështjes dhe rëndësinë e apelit që bënte Dritëroi, Ismaili më pyeti se kush ishin ata që e mbështesnin. I thashë një shtatë a tetë emra. Nuk priti që të vazhdoja më tutje. Po, tha, shkruaje edhe emrin tim. Por… Këtu bëri një pauzë.” Si do t’i vendosësh emrat?,më tha. Se nesër do të dalin probleme… Unë mendoj që të parin vendos emrin e Dritëroit. Emrin tim mos e vendos pranë Dritëroit, se ne jemi bërë si rryka me pykën në të gjitha ngjarjet që ndodhin. Më mirë emrat pas Dritëroit vendosi sipas rendit alfabetik. Kështu që nuk ka pse të zemërohet askush…”

Unë nuk e dëgjova deri në fund këshillën e Ismailit. Në listën që u botua të nesërmen, pasi kisha bërë një “kompromis”, duke vendosur në fillim emrat e ish-Presidentëve dhe ish-Kryetarëve të Kuvendit, Kadareja renditej i gjashti a i shtati. Pastaj vinin të tjerët…

Si për të vërtetuar parandjenjën e Ismailit, një nga ata që mbështetën Dritëroin, u ankua të nesërmen për vendin që ishte vendosur në listë… “Duhej të isha vendosur më lart, në mos në krye…”, kishte thënë.

***

Dritëroi nuk mbajti kurrë një telefon celular, pavarësisht se e arriti këtë kohë. Sadija e ka mbajtur dhe ka një telefon të tillë, pa e ndryshuar asnjëherë numrin. Ata që donin ta merrnin në telefon e dinin se aty ku ishte Sadija, ishte dhe Dritëroi.

Kështu kemi komunikuar së paku njëzet vitet e fundit me shkrimtarin.

Në muajin gusht të 2014-s Dritëroi me Sadijen kishin shkuar në Pogradec, ku shkonin thuajse çdo vit për pushime.

Te kafeneja e famshme që mban emrin e tij, pyeta Artanin, të birin, se si është Dritëroi. Kam qysh dje që nuk kam folur, më tha. Merre e pyete vetë, të marr vesh edhe unë si janë.

E mora në telefon dhe e pyeta se si ishte me shëndet e si po ia kalonte me pushimet atje buzë liqenit të famshëm.

“Normal, më tha Dritëroi. Ja ashtu, si kallamat. Përkulem dhe ngrihem. Po të kisha qenë lis, do isha rrëzuar e nuk do isha ngritur më…”

Është një nga përgjigjet më befasuese që kam dëgjuar në jetën time, por edhe më artistike. Në natyrën e Dritëroit. Me rastin e ditëlindjes së Dritëroit atë vit gjeta rastin dhe e botova këtë dialog në “DITA”.

Në të vërtetë ai mbeti një lis i madh në letrat shqipe. Një lis që i pëlqenin edhe kallamat.

***

Dritëro Agolli në jetën frymore arriti moshën e Leon Tolstoit dhe të Viktor Hygoit. I përmend këta dy emra shkrimtarësh të mëdhenj botërorë, pasi për letërsinë tonë edhe Dritëroi ynë, si dhe shumë pak emra të tjerë në letërsinë shqipe, është i tillë. Fama e tij e justifikon një krahasim të tillë. Për vlerat që solli në letërsinë shqipe. Ai është një shkrimtar me një krijimtari të madhe dhe mjaft i dashur në masën e lexuesve që do të udhëtojë nëpër kohëra.

Loading...