Demir Zykos dhe këngët e tij nga Gjirokastra në Skrapar

Kur zhvillohej Festivali Folklorik në Gjirokastër në vitin 1978, në një nga ato ditë kishte konkurruar rrethi i Skraparit dhe pas përfundimit të aktivitetit ishte dhënë urdhri që të jenë të lirë dhe të hiqnin veshjet popullore, sepse do të lahen dhe hekurosen për të qenë gati në ditët në vijim.

Edhe Demiri kishte hequr kostumin popullor dhe ishte veshur me kostumin e tij që i rrinte shumë bukur, por civil.

Sipas porosisë së dhënë në Kala do të futen vetëm ata që janë të veshur me kostum popullor ose me ftesa.

Nuk kishte kohë që të vishej xha Demiri dhe i thanë që të vinte me veshjen e tij te zakonshme. Tek dera e kalasë kishte kontroll nga punonjës të shërbimit ushtarak. Unë isha shumë afër kur erdhi momenti për të hyrë xha Demiri i veshur me kostumin e tij civil. Punonjësi i shërbimit i kërkoi ftesën edhe xha Demirit.

-“Unë nuk kam ftesë,-i tha xha Demiri-por jam shokë me këta që ju i lejuat të kalojnë.” Punonjësi ngeli keq, por kishte urdhër. Xha Demiri me një edukatë dhe qetësi për t’u admiruar i tha:

– “Mirë more bir, unë po kthehem dhe po ik, vetëm ty të mos të prishet puna.” Shokët e tij që po prisnin të hynte edhe xha Demiri u shqetësuan dhe i kërkuan punonjësit që ta lejonte, sepse po nuk hyri ai “do të kthehemi edhe ne”.

Ata ia shpjeguan që edhe ai është këngëtar, madje edhe arsyen pse nuk ishte i veshur me kostumin popullor. Punonjësi nuk ndryshonte qëndrim. Në këtë moment xha Demiri u bë gati të kthehej, unë menjëhere shkova te punonjësi dhe i thashë

-“Ai plaku është këngëtar si të tjerët”. Për të lehtësuar edhe punonjësin i thashë që “A e njeh Demir Zykon ti?”

-“Po dhe e pëlqej shumë këngën e tij!”-më tha.

-“Po ky është xha Demiri!”, i thashë.

-“Unë e njoh atë, por të veshur me kostum popullor, kurse tani ky qenka tjetër.” U hidhërua shumë, u afrua te xha Demiri e përqafoi dhe i kërkoi falje për ngatërresën e vogël.

Në këtë moment xha Demiri qeshi dhe i tha që ‘mos kërko falje por duhesh falënderuar se e bëre detyrën shumë mirë’. Demir Zyka është këngëtar i madh por edhe një njeri i madh, se me sjelljen e tij dha një mësim të mirë për atë që thyejnë rregullat.

Rrëfimi i Demir Zykës, kush e nxiti të këndonte…

Xha Demirin e takoja në festival. Po kështu ndodhi edhe në vitin 1983. Kur e pyeta: “Si je bërë këngëtar dhe si u ngjite ne këto skena dhe në këto maja?”.

Ai më tha: “Këngëtar nuk u bëra vetë, por më lindi e më bëri nëna.” Më foli për kujtimet e vuajtjet e moshës së rinisë dhe dëshirës së nënës për të kënduar. “Për herë të parë në një publik të gjerë kam kënduar në dasmën ë Qenam Lajthisë. Në fshat e kemi zakon që dasma e djalit hapet të hënën dhe aty venë lagjet me radhë. Unë isha rreth 14 vjeç dhe më dërgoi nëna me xhaxhallarët për urim si përfaqësues i familjes.

Në krye të muhabetit ishte dervishi i Teqesë së Brerimës, me te cilin njihesha mirë unë. Ai e dinte që unë këndoja. Më erdhi radha për të kënduar, por unë nuk doja. M’u lutën të tërë, por unë kisha frikë se si do të dilja. Në këtë moment më tha dervishi, po merrja, o Demir se nuk kemi për ta shitur, ja këtu do e lëmë. Nuk mund t’ia prishja Dervishit dhe fillova. Ata u çuditën, më përgëzuan e më kërkuan të tjera. Që në atë ditë nuk kam pushuar së kënduari. Ia di për nder dervishit që më nxori turpin.”

U krenova në buzuqet greke për këngët e Demir Zykës

Kam punuar shumë vite emigrant në Greqi. Një ditë shkoj me pronarin grek në një lokal buzuku ku ka këngë, valle e muzikë të bukur. Në kulmin e dëfrimit më tha që e shikon sa muzikë e këngëtarë të mirë që kemi. Unë e vlerësova dhe i thashë me mburrje që edhe ne kemi këngëtarë shumë të mirë dhe i përmenda disa dhe në veçanti xha Demirin.

Respekti për Demir Zykën më ndihmoi në zyrat e Bashkisë së Tiranës

Familjarisht vendosëm të kthehemi në Shqipëri dhe të hapnim një biznes në Tiranë. Veprimet bëheshin në Bashkinë e Tiranës. Kur shkuam te zyra kishte shumë njerëz në radhë. Para kompjuterëve që punonin ishin tre punonjës. Pyeta një në radhë ‘Nga është ai burri?’Ai m’u përgjigj: “Nuk jam i sigurt, por më duket se nga Skrapari, është shumë i duruar dhe i qetë. Bisedo se mund të mbarojë punë.” U gëzova dhe mendova zgjidhjen.

I thashë punonjëses së bashkisë se kam një mik shumë të vjetër, xha Demirin, ndoshta e njeh se ne në Gjirokastër e njohim dhe e duam shumë. Qeshen dy koleget edhe ai, dhe më tha: “Prit pak!” Mbaruam punë shumë shpejt, u mbyllën zyrat dhe më ftoi për kafe. Biseduam gjatë dhe, kur mora vesh që ishte djali i vogël i xha Demirit, u gëzova dhe i tregova gjithë historitë. Aty i thashë që ‘edhe këtu më hapi derën e Bashkisë dhe më erdhi në ndihmë xha Demiri.’

Një episod në autobusin Tiranë – Skrapar

Së bashku me një shokun tim ishim të ftuar nga një miku i tij në Çorovodë. U nisëm drejt Skraparit me autobusin e linjës, të cilin e drejtonte z. Adriatik Kalemi, një shofer por edhe njeri shumë i mirë, ishte i qetë që sillej me kulturë e durim me pasagjerët. Fatorino në autobus ishte Ylli Celibashi.

– Po udhëtojmë për në Skrapar, në një autobus nga Skrapari të mbushur me Skraparas e nuk po dëgjojmë këngë nga Skrapari, sidomos të xha Demirit, – thashë në një moment, gjatë udhëtimit.

Nuk vonoi shumë dhe në autobusi gjëmoi zëri i xha Demirit dhe grupit të tij me këngën “O ju mallet e Skraparit, stolisur me gurë të bardhë”, e fill pas kësaj, perla e këngëve të trevës “Mbeçë, more shokë mbeçë, përtej urës së Qabesë”

Në vend të mbylljes

Demir Zykua nuk ka ndërruar jetë si gjithë njerëzit e tjerë. Ai jeton. Po, jeton në këngët e tij, në meloditë e zërit të tij të -incizuara- në ndjenjat, zemrat dhe mendjet e mijëra e mijëra adhuruesve në të gjithë Shqipërinë e më gjerë.

Po ai do të mbetet i gjallë, se populli i Skraparit e përjetësoi xha Demirin duke i vënë emrin e tij grupit folklorik “Demir Zyko”. Me këtë emër ai do të ngjitet së bashku me grupin në skenat e festivaleve. Do të kujtohet deri sa trevat Jug- Lindore do të gjallojnë njerëz, të cilët do të mbartin e do të interpretojnë këngët e folklorit, këngët e Demir Zykos.

Ai do të mbetet i përjetshëm, sepse i janë ngritur e kënduar shumë këngë. Për xha Demirin autorë dhe poetë të ndryshëm përveç sa më sipër i kanë thurur shumë vargje-këngë që do t’i kujtojnë e do t’i këndojnë brezat e rinj deri në pafundësi. Xha Demiri u nda nga kjo jetë, në 02 Korrik 1992, në moshën 82-vjeçare, në Gjerbës, në fshatin e tij të lindjes. Jeta e tij nuk ishte vetëm këngë, ndonëse këndoi tërë jetën.

Ai mbijetoi në sajë të këngës. Vuajtjet i përcolli me këngë edhe gëzimet me këngë, ndërsa hidhërimet me -oi-në e këngës. Ende sot e kësaj dite ne nuk jemi ngopur me zërin e Bilbilit të Tomorrit. E ku ngopesh dot me të, jo, jo! Xha Demiri këndoi tërë jetën dhe këngën ia la amanet popullit të tij.

Nga Ilo Koço Bllaci Lunxheri Gjirokastër

Loading...