Me Valter Shabanaj, polifonin e këngës Velçiote – Nga Sejmen Gjokoli

Nga cikli : ” Visare trashëgimie” – Sejmen Gjokoli

VALI I VELÇËS…

– me Valter Shabanaj, polifonin e këngës velçiote –

Kur e kam dëgjuar për të parën herë ” Vallen nën zinxhirë ” kam mbetur vërtet i befasuar. Në sa e sa këngë polifonike të dëgjuara gjatë jetës, kurrë më parë se kisha hasur të tillë avaz.

Një vijë e tillë melodike më vinte për herë të parë si një stil më vehte të kënduari, e pa ngjasuar me askënd tjetër në trevat labe.Ndoshta dhe fjalët e këngës që përcjellin një histori epike burrërie kanë peshën e vet por mënyra e të kënduarit duket si gjetje më vehte, madje si e prerë për këngët që përcjellin bëma trimërie.

E veçanta është se ky stil të kënduari gjëndet vetëm në grupin polifonik të Velçës, emërtuar në gati dy dekadat e fundit ” Krojet e Velçës”. Bisedoj gjatë me Valter Shabanaj, marrësin e kësaj kënge por edhe të tjerave që ay këndon e nga ku të gjitha i sillen rrotull këtij varianti.Duket se Valteri në këtë stil të kënduari është futur në “lëkurë”, në shpirtin e të parëve të tij velçiotë, ata që e kanë kënduar së pari e që falë tyre këto avaze vijnë ditëve tona.

Siç ka kënduar Halil Xhezua e burra të tjerë të këtij fshati Labërie.
Po në rastin e këtij këngëtari, sa marrës po aq edhe hedhës kënge, mund të vërtetosh qartazi edhe fuqinë e genit.

Madje magjinë e tij. Valteri është nga Velça por ka lindur në Vlorë, aty në Pusin e Mezine ku jetonte familja e zbritur më herët nga fshati përmbi Shushicën lumë. Aty do mësonte edhe këngët e para polifonike. Pika Gjoleka, e famshmja polifone e Dukatit, si mësuese e tij, do ta aktivizonte në grupin e shkollës deri në përfundim të tetëvjeçares.
Grupi i të rinjve të qytetit pranë Pallatit të Kulturës do ishte “stacioni” i radhës ku Valteri fare i ri do të aktivizohej me të tjerë shokë të moshës.

Më përmend Vasil Konomin, marrësin e grupit, nga i cili më thotë se ka mësuar shumë dhe se kjo do të ishte mosha që do ta lidhte përfundimisht me polifoninë.Kur flet për njerëzit që e kanë ndihmuar të futet në botën e këngës së Labërisë, nuk harron të përmëndë Pelivan Bajramin, rapsodin e njohur të Tërbaçit. Madje më thotë se i falet shumë këtij burri.
Me Pelivanin si rapsod po edhe si organizator i grupit polifonik ” Djemtë nga lumi i Vlorës” punuan së bashku disa vite duke regjistruar plotë gjashtë albume me polifoni.

Kështu deri sa në një nga ditët e vitit nëndëdhjetë e nëntë me këngëtarë të tjerë, bijë e bija të Velçës, do të riorganizonin grupin polifonik të vendlindjes me emrin e bukur e kuptimplotë ” Krojet e Velçës” me drejtues rapsodin e krijuesin e pa lodhur, Kastriot Muço.

Aty kanë plot dy dekada që bashkë me Bejushe Barjamaj, Ali Abilin, Çuman Xhaferin, Agim Brahimin, Kalo Zenelaj, Gilo Habilaj, Bejkush Muratin e të tjerë krijojnë e këndojnë këngët vënçe të Velçës e Labërisë derdhur të gjitha në shushicën buronjë të këngëve…

Pastaj më flet edhe për vëllezërit Katiaj të këngës, për Sofon e Jahon e pa harruar por edhe për Sherifin kur merrej me kulturën në zonë.
Valter Shabanaj është këngëtari që pa diskutim vlerësohet e mbetet si referencë për një stil e melodi tejet të veçantë e që pa hezitim mund të quhet “made in Velça”.

Si e tashme por mbi të gjitha edhe si vlerë trashëgimie nga të parët këngëtarë të këtij fshati me histori trimërie e kënge.
(linku i këngës)

Loading...