Në mesin e shumë aktorëve të shquar të artit dhe të kinematogirafisë shqiptare, në brezin e dytë të aktorëve shqiptarë, nga ata që erdhën nga ILA, e që për mëse tre dekada e gjysmë, e renditën emrin e tyre me meritë në artin e shtatë shqiptar, është pa dyshim, edhe aktori i mirënjohur, Birçe Hasko.
Njëherësh një nga pedagogët më profesionalë të ILA, Akademisë dhe tani Universitetit të Arteve, me një karrierë të gjatë prej katër dekadash, i dashur për publikun e gjerë brenda dhe jashtë vendit, nëpërmjet roleve të spikatura si në teatër, por veçanërisht në filmin artistik, aktori që ka krijuar modelin e një intelektuali krijues, personaliteti i të cilit është i padiskutueshëm dhe një model i admirueshëm për brezin e ri.
Birçe Hasko u lind në Dukat të Vlorës, më 15 mars 1942, në fisin e Gjongjinajve. Nga viti 1949-1953 kreu shkollën fillore (dy vite në Dukat e dy në Radhimë, pasi babai i tij u transferua familjarisht aty me punë). Shkollën 7-vjeçare e kreu në Tragjas, pasi nuk kishte shkollë në Radhimë, në vitet 1953-1957, në shkollën “Zonja Çurre”.
“Kam qëndruar 3 vjet mësues në Tepelenë, pra nga vitet ‘61-’64. Kam qënë arsimtar në fshatin Amanikaj. Pastaj shkova në Memaliaj në shkollën 11-vjeçare, ku jepja matematikë”.
Në Memaliaj angazhohet me trupën e Estradës amatore të qytetit. “Aty fillova të angazhohem me estradën amatore të qytetit. Shkolla e lartë për aktor ishte çelur në ’59-ën, por nëpër rrethe nuk kishin njohuri për aktrim. Edhe unë vetë nuk i kisha njohuritë e duhura. Një inxhinier, që kishte mbaruar shkollën në Poloni, më shikon në një shfaqe në Memaliaj dhe me një komposto në dorë më thotë: “Merre këtë dhe kam një sugjerim, duhet të vazhdosh shkollën për aktor!”. As nuk e mendoja se do të kisha talent. Erdha, konkurova, meqë më tha ai, dhe fitova”.
Pasi qëndroi tre vjet në Memaliaj, në 1964 Birçe Hasko u emërua drejtor shkolle në Poro të Vlorës, në shkollën “Loni Mone”. Në vitin 1965 konkuron dhe më pas fillon studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve. “Nga drejtor Shkolle erdha student.” Birçja ishte student me një brez të talentuar, ku bënin pjesë shokët e kursit si Mevlan Shanaj, Timo Flloko, Kristaq Mitro, Llazi Serbo, Saimir Kumbaro, Gëzim Kame, Niko Kanxheri, Minella Borova, Petrika Riza, Dervish Biba … etj. Mbas diplomimit, për rezultate të mira, mbahet pedagog pranë këtij Instituti. “Më propozuan qysh atëherë për pedagog, pas diplomimit, por vitin e parë nuk më lanë.
Erdha në Institutin e Arteve një vit më vonë.” Që nga viti 1969 punon si pedagog, punë të cilën e vazhdon edhe sot, në moshën 70-vjeçare, duke dhënë lëndën e Mjeshtërisë së Aktorit e duke nxjerrë me dhjetëra e qindra aktorë në 43 vjet karrierë si një personalitet i nderuar i atij Universiteti. Për punën e tij akademike i është dhënë titulli “Profesor” në vitin 1995. Nga shtatori i vitit 1989 – nëntor 1992 ka kryer detyrën e dekanit të Fakultetit të Artit Skenik. Si aktor fillimet i ka në teatër, por shkëlqimin e pati në filmin artistik.
Në skenën e Akademisë së Arteve, me studentët dhe pedagogët ka marrë pjesë në disa shfaqje, duke shkëlqyer në çdo rol që ka patur. Si aktor i jashtëm ka interpretuar në katër pjesë në Teatrin Kombëtar, “Shtëpia me dy porta” (Abaz Kola), “Familja e peshkatarit” (Shazo), “Tiranozauri” (Kalebi), “Mysafiri i mallkuar” (Ministri). Nga teatri, i paharruar mbetet roli i Milo Tafanit në në komedinë “Shi në plazh” , shkruar nga Teodor Laço, pjesë e vënë në skenë nga Gëzim Kame me pedagogët e ILA në vitin 1985. Me rolin e fundit në skenën e teatrit “Bylis” ka interpretuar gjithsej mbi 12 role, por i shtojmë këtu edhe 27 pjesë të tjera të vëna me studentët si pedagog-regjisor.
I veçantë dhe i vyer kontributi i tij i çmuar në kinematografinë shqiptare, ku ka interpretuar me dhjetëra role. Roli i tij i parë në kinematografi është në vitin 1971, ballisti në filmin “Kur zbardhi një ditë” të regjisorit Piro Milkani. “Ballisti në filmin me Pirro Milkanin “Kur zbardhi një ditë” ka qenë roli im i parë. Piro Milkani është regjisori i parë që më ka hapur rrugën e bukur të kinemasë. Më pas jeta ime artistike vijoi dhe me filma të tjerë, por dhe në interpretime në teatër.
Nuk shkoja për të kërkuar role, por më kanë kërkuar.” Më tej do të vazhdonin rolet e tij në shumë filma si ai i Mete Aliut tek filmi “Radiostacioni” në vitin 1979, roli i Syrjait në filmin “Skëterrë 43” në vitin 1980, roli i profesorit në filmin “Gurët e shtëpisë sime” në vitin 1985 si dhe shumë role në filma të tjerë për të mbërritur në rolin e tij më të fundit në filmin “Kronikë Provinciale” në vitin 2009.
Në karrierën e tij të gjatë e të suksesshme në kinematografi Birçe Hasko ështrë vlerësuar me çmime, tituj, urdha e medalje të ndryshme. Në vitin 1976 vlerësohet me urdhri “Naim Frashëri” të klasit të dytë, në vitin 1988 merr titullin e lartë “Artist i Merituar”.
Në festivalin e VII të Filmit Shqiptar, në 1987, merr Medaljonin e Festivalit për interpretimin e rolit të dajës në filmin “Dhe vjen një ditë” të Vladimir Priftit. Ndërsa në Festivalin e VIII-të të Filmit Shqiptar në 1989, vlerësohet me Çmimi i III-të për interpretimin e rolit të babait të Danes në filmin “Shkëlqim i përkohshëm”. Në vitin 2002 merr titullin “Mjeshtër i Madh”, nga Presidenti i Republikës dhe po këtë vit shpallet “Qytetar Nderi” i Orikumit.