Të paçim me jetë, mjeshtër i madh i vargut e këngës së popullit Feti Brahimi – Nga Sejmen Gjokoli

Sejmen Gjokoli
Nga cikli : “Visare Trashëgimie”

NJË JETË E SHKRIRË NË VARGJE…

– Me Feti Brahimin, rapsodin e madh të Labërisë-

Në ditët e para të Korrikut i mbush të tetëdhjetat. Të këtij korriku, 2019.
Kështu thotë vetë kur me të nis e bisedon se mendja s’ta thotë.
S’ta thotë edhe pse për shkak të një përkeqësimi shëndeti, afro një vit të shkuar, i duken ende ca gjurmë.
Po as flokë zbardhur e as mëndje pakur.
Përkundrazi vazhdon të tjerrë histori si vite të shkuara kur, ashtu i hollë e i thatë, me disa nga librat e tij të botuara në dorë, u binte kryq e tërthor trotuareve të Vlorës.
Dhe ashtu e gjeje thuajse çdo ditë, tek kafja e tij e preferuar te lulishtja me emrin e Marigosë së Flamurit.
Me miq e shokë kënge.
Feti Brahimi, rapsodi e krijuesi famëmadh i Lapardhasë, ka plot një dekadë që ka lënë erën e grykës së Shushicës për t’ju qasur jodit të Adriatikut e Jonit, në Vlorë brënda.
Tani këtu e gjen frymëzimin prej këtu u jep udhe vargjeve e këngëve.
Ka shkruar shumë, gati pa prerë, nisur prej rinisë së herëshme kur në vitet e shkollës së mesme, aty te ekonomiku në Tiranë, do shkruante për grupin e këngës kur u duhej të bënin koncerte.
Akoma si kishte mbushur njëzet e pesë vite kur nisi të merrej me grupin e këngës polifonike të Lapardhasë, vendlindjes së tij anës Shushice e për faqe Shashice.
Ish koha kur kondonin vënçen e fshatit Viton Roci, Asqeri Merkaj, Simon Çela e të tjerë djem e burra fshati, tani të shumtit të ndarë nga jeta.
Brezat bëjnë të vetën dhe Fetiut i takoi që të selit një brez këngëtarësh prej fillimi kur ishin pionierë. Rriti e formësoi plot talent ata që i rritën vlerat jo vetëm Lapardhasë por edhe Labërisë së këngës.
Me Nazif Çelën, Golik Likën, Meleqin, Yllin, Remziun e Selimin, Feti Brahimi do të shkruante histori të madhe kënge.
Këta djem labërie me Fetiun në “komandë” , pikërisht në Tetorin e 1983, bash aty në Kalanë e Gjirokastrës, do të shkarkonin plot befasi një nga perlat e fondit të artë të polifonisë shqiptare.
” Janinës ç’i panë sytë” ish kënga që në fakt bëri gjithë shqiptarët që ç’tu dëgjojnë veshët.
Simfoni e shkrirë në iso-polifoni, si asnjë herë tjetër më parë në këngën e kënduar labe.
Pastaj vazhdojnë me radhe festivalet e këngët e rralla. “Legjenda e Tanës” një tjetër perlë e nxjerrë nga mademi i Lapardhasë fetibrahimçe.
Me Fetiun, Lapardhaja filloi të matet me të tjera fshatra gjëmimtare kënge, prej Pilurit, Dukatit e Vranishtit gjer tutje Grykës së Bënçës në Tepelenë e kalldrëmeve të Argjirosë me Arjan Shehun me shokë…
Një gur i rëndë e qoshelli në kalanë e rapsodëve të njohur të Labërisë e Bregut të Detit, përkrah Lefter Çipës, Kujtim Micit, Muhamet Tartarit, Dule Havarit, Hamdi Pulos, Maliq Lilës, Zaho Balilit, Pelivan Bajramit, Flamur Haxhirajt e Teno Lonës me shokë. Kollan i rëndë gjerdani.
Nga ke ngjarë – i them.
Nga babai dhe nëna – ma kthen.
Pastaj më tregon se të jëmën e kishte nga Tërbaçi, kushërirën e parë të Xhebro Gjikës.
Jam rritur me këngët e nasihatet e tij – më thotë. Edhe këngët ja mësoja të gjitha.
Pesëmbëdhjetë tituj librash ka botuar deri sot Feti Brahimi, të gjitha me mbi shtatëdhjetë mijë vargje.
Tre mijë vargje të tjera pritet të botohen së shpejti në një vëllim me pesëqind faqe, titulluar jo pa simbolikë “Ishte koha”.
Krijimtaria e Fetiut është tejet intetesante, e larmishme dhe me një tematikë universale.
Një vend të rëndësishëm në korpusin e botimeve të tij zënë tekstet për këngë por jo pak edhe vargjet plot humor e sarkazëm plot finesë.
Madje jo pak, rreth shtatëdhjetë përqind e krijimtarisë i takon planit të humorit e satirës, siç këngët për emigracionin e plagët e tij zënë jo pak vend.
Ndër krijuesit vjershëtorë të Labërisë besoj se Feti Brahimi mbetet unikal në thurjen e vargjeve rapsodike humoristike.
Natyrisht nuk është i pari por mbetet i pari në sasinë dhe tematikën por edhe në interpretimin mjeshtëror që u bën këtyre lloj krijimesh.
Dhjetra e qindra vargje të deklamuara pa prerë, pa letër, krejt përmendësh.
Mos u habisni; deri në tetëmijë vargje mund të ti thotë pa i lexuar, falë memorjes fenomenale.
Po, Feti Brahimi, mbetet edhe një marrës i veçantë, fare autentik, i këngës labe.
Disa prej këngëve të kënduara dallojnë fort për origjinalitet por edhe për avaze të pa tjetërsuara Labërie.
Një familje e tërë me këngë në buzë, të mëdhenj e të vegjël, me djem, vajza e me nuse.
Kështu e pret Feti Brahimi 80 vjetorin e lindjes; rrethuar me vargje, këngë e rspsodi.
Me një radhë librash botuar dhe me magnetofonin me disqe kënge pranë, mbushur me trashëgimi shpirtërore Lapardhaje e Labërie.
Pa dashur t’ja dijë që vendi ka patur e ka dhe një presidencë që jep dekorime të larta…
Të paçim me jetë, mjeshtër i madh i vargut e këngës së popullit.

Loading...