Nga Shoqata Kallarati
NË KUADRIN E RUBRIKËS: “TË NJOHIM VENDLINDJEN, KALLARATIN, HISTORINË, NJERËZIT DHE NATYRËN”, LE TË KUJTOJMË USHTARAKUN KALLARATAS SHAHIN JONUZIN, I CILI ME BATERINË QË KOMANDONTE, MË 7 PRILL 1939 I BËRI QËNDRESË PUSHTIMIT FASHIST.
Shahin Osmën Jonuzi u lind në Kallarat në vitin 1906. Gjatë periudhës 1929–1934 kryeu studimet në Akademinë e Artilerisë në Itali, në specialitetin Artileri Kundërajrore. Pasi u kthye në atdhe hyri në shërbimin ushtarak me detyrë komandant baterie në Elbasan.
Në mëngjesin e 7 prillit 1939, në krye të baterisë që komandonte, niset nga Elbasani dhe mbërrin në Bestrovë të Vlorës. Aty, në bashkëpunim edhe me një batalion këmbësorie, organizojnë qëndresën kundër kolonës së bersalierëve italianë që kishin zbarkuar në Skelë të Vlorës, duke penguar përparimin e tyre. Vetëm ditën e dytë trupat fashiste mundën të vijonin rrugën për në Fier.
Pas çlirimit u rikthye në shërbimin ushtarak, duke punuar për rimëkëmbjen e kësaj arme dhe kualifikimin e kuadrave të rinj të ardhur nga rreshtat partizane.
Më 1947 lirohet dhe kthehet sërish në vendlindje, ku qëndroi derisa mbylli sytë në vitin 1975. Për disa vite me krijimin e kooperativës bujqësore në Kallarat në vitin 1956 kreu detyrën e llogaritarit.
Ndonëse i shpërfillur nga regjimi, shtëpia e tij mbeti e hapur, sidomos për oficerët dhe studentët kallaratas, që, sa ktheheshin për pushime, shkonin ta takonin në oazin e bukur të Qesarules, që e kishte qëndisur me duart e veta me perime e pemë të shumta. ( R. M )
Vlerësim e mirënjohje për aktin e tij heroik në mbrojtje të atdheut!
Marrë nga Libri “Enciklopedia e Kurveleshit”