Mesimi 1 – Përdorimi i zanores E – Nga mësuesja e gjuhës Lejla Gorishti

Drejtshkrimi nuk është vetëm një çështje shkencore, por dhe një problem i rëndësishëm shoqëror , sepse është shprehje e drejtperdrejte e njësimit te gjuhës letrare kombëtare, e cila luan një rol të dorës së parë në forcimin e vetedijes kombetare , ne zhvillimin e jetes mendore.

Drejtshkrimi i zanoreve‎

Zanorja E e theksuar‎:

Shkruhen me e (dhe jo me ë) fjalët ku kjo zanore është e theksuar dhe ndiqet ose ka qenë ndjekur në të kaluarën nga një bashkëtingëllore hundore (m, n, nj). Me e shkruhen gjithashtu fjalët e prejardhura ose të përbëra të formuara prej tyre, pavarësisht nga lëvizja e theksit:

(më) dhemb, dhembje, emër, emëror, femër, femërore, gjemb, gjembaç, e premte, rremb, shemb, shembull, shembullor, i pashembullt, shemër, i shtrembër, shtrembëroj, tremb, thembër, zemër, zemëroj, i përzemërt etj.;

argjend, argjendar, brenda, brendi, i brendshëm, cen, cenoj, çmend, (i, e) çmendur, dend, (i, e) dendur, deng, dhen, end, gjendje, kuvend, kuvendoj, mend, mendje, mendoj, mendim, përmend, përmendore, mendër, parmendë, pendë, qen, qendër, qendror, (kam) qenë, qenie, qenësi, qengj, shpend, tendë, vend, vendës, vendos, vendim, zëvendës, zëvendësoj etj.;

e enjte, gështenjë, ndenja, (i,e) ndenjur, penjtë, shenjë (por shënoj, shënim), (i, e) shenjtë, (i, e) shtrenjtë, shtrenjtoj, (i, e) vrenjtur;

dre, fle, fre, gdhe, ndej, (i, e) nderë, ngre, pe.

Zanorja E e patheksuar‎ :

Tek emrat femërorë, të cilët kanë një -e fundore të patheksuar në trajtën e pashquar të njëjësit, në emëroren e shquar bie -e-ja, ndërsa në rasat e tjera ajo shkruhet:

artiste – artistja, artisteje; fitore – fitorja, fitoreje; lule – lulja, luleje; lulishte – lulishtja, lulishteje; mësuese – mësuesja, mësueseje; nxënëse – nxënësja, nxënëseje; perde – perdja, perdeje; qytetare – qytetarja, qytetareje; studente – studentja, studenteje; shishe – shishja, shisheje etj.;

anije – anija, anijeje; ardhje – ardhja, ardhjeje; çështje – çështja, çështjeje; familje – familja, familjeje; korrje – korrja, korrjeje; nisje – nisja, nisjeje; pyetje – pyetja, pyetjeje; rrokje – rrokja, rrokjeje; ulje – ulja, uljeje etj.

Mësuesja e gjuhës shqipe
Lejla Gorishti.

Për të ndjekur mësim plotësues të gjuhës shqipe falas mund të kontaktoni :
Tel : 0675270616 ( Lejla)
Facebook : https://www.facebook.com/lejla.gorishti

Loading...