Mësimi 8
Drejtshkrimi i grupeve te zanoreve.
Shkruhen me -ie-:
emrat, tek të cilët ky grup zanoresh ndiqet nga një bashkëtingëllore e lëngët
(l, ll, r) dhe të gjitha fjalët e formuara prej tyre:
e diel, diell, miell, qiell, fier etj.;
diellor, përmiell, miellzim, qiellor, fierishtë etj.;
foljet, tek të cilat ky grup zanoresh ndiqet nga
mbaresa -j:
ziej – zien, ziejmë, zieni, ziejnë; zieja, zieje, ziente, zienim, zienit, zienin; ziem, ziet, zien; ziekam, zieke…; (kam) zier;
përziej – përzien, përziejmë, përzieni, përziejnë; përzieja, përzieje, përziente, përzienim, përzienit, përzienin; përziem, përziet, përzien; përziekam, përzieke…; (kam) përzier;
ndiej – ndien, ndiejmë, ndieni, ndiejnë; ndieja, ndieje, ndiente, ndienim, ndienit, ndienin; ndiem, ndiet, ndien; ndiekam, ndieke…; (kam) ndier.
Trajtat e njëjësit të së kryerës së thjeshtë të dëftores dhe trajtat e dëshirores të këtyre foljeve shkruhen me -je-:
zjeva, zjeve, zjeu; zjefsha, zjefsh, zjeftë, zjefshim, zjefshi, zjefshin;
përzjeva, përzjeve, përzjeu; përzjefsha, përzjefsh, përzjeftë, përzjefshim, përzjefshi, përzjefshin;
ndjeva, ndjeve, ndjeu; ndjefsha, ndjefsh, ndjeftë, ndjefshim, ndjefshi, ndjefshin.
Trajtat pësore-vetvetore të së tashmes dhe të së pakryerës të këtyre foljeve shkruhen me -i-:
zihem, zihet, zihen etj.; zihesha, zihej, ziheshin etj.;
përzihem, përzihet, përzihen etj.; përzihesha, përziheshe, përziheshit etj.;
ndihem, ndihet, ndihen etj.; ndihesha, ndihej, ndiheshim etj.
Shënim. Të gjitha fjalët e formuara nga folja ndiej shkruhen me -je-:
i ndjeshëm, ndjesi, ndjenjë, parandjenjë etj.
foljet, te trajta përfaqësuese e të cilave ky grup zanoresh ndodhet në rrokje të hapur:
bie, biem, bien;
shpie, shpiem, shpien;
shtie, shtiem, shtien.
Në vetën e tretë njëjës të lidhores, në urdhëroren njëjës dhe në trajtat e shumësit të kësaj mënyre, kur bashkohen me trajtat e shkurtra të përemrit vetor, këto folje shkruhen me -j-:
të bjerë, të shpjerë, të shtjerë; bjer, shpjer, shtjer; bjermëni, bjeruni, shpjerini, shtjeruni etj.
Në vetën e dytë shumës të së tashmes dëftore, lidhore dhe urdhërore, në të pakryerën e dëftores dhe të lidhores, si edhe në trajtat pësore-vetvetore, këto folje shkruhen me -i-:
(të) bini, (të) shpini, (të) shtini; (të) bija, (të) bije, (të) binte; (të) shpija, (të) shpije, (të) shpinte; (të) shtija, (të) shtije, (të) shtinte; (të) bihet, (të) shpihet, (të) shtihet; (të) bihen, (të) shpihen, (të) shtihen; (të) bihej, (të) shpihej, (të) shtihej; (të) biheshin; (të) shpiheshin, (të) shtiheshin etj.
Mësuesja e gjuhës shqipe
Lejla Gorishti.
Për të ndjekur mësim plotësues të gjuhës shqipe falas mund të kontaktoni :
Tel : 0675270616 ( Lejla)
Facebook : https://www.facebook.com/lejla.gorishti