“Të flasim dhe të shkruajmë pa gabime” – Mësimi 12 – Nga mësuesja e gjuhës Lejla Gorishti

Mësimi 12

Të flasim dhe të shkruajmë pa gabime gjuhën shqipe.

“Gjuha është një nga tiparet themelore të identitetit kombëtar.”

Duke u nisur nga ky citim, ne po e nisim nga fundi, pra nga vetja.
Më poshtë, kemi renditur vetëm 12 fjalë që i përdorim çdo ditë, por që shpesh hasin deformim në drejtshqiptim dhe drejtshkrim.

1) Shkruhet: gjithëçka ose gjithshka
Duhet: gjithçka
Ë-ja fundore e fjalës gjithë bie në fjalët e përngjitura, si: gjithçka, gjithherë, gjithçmos, gjithfarë, gjithkah, gjithkund, gjithkush, gjithmbarë, i gjithmbarshëm, gjithmonë, gjithnjë, gjithsaherë, gjithsecili, gjithsesi etj.

2) Shkruhet: agjensi
Duhet: agjenci
Fjalët e huaja nga burimi latin e neolatin me c do të shkruhen me c e jo me s. Po ashtu, fjalët me burim grek a latin, që kanë një g përpara zanoreve i dhe e, shkruhen me gj (dhe jo me xh) ashtu si shqiptohen; p.sh.: agjenci, gjeografi, gjeometri, gjeneratë, gjenezë, gjimnastikë, higjienë, origjinë etj. Në agjencitë turistike ku shkruhet si në rastin e fotos, meritoni një paketë “all inclusive.”

3) Shkruhet: djath
Duhet: djathë
Shkruhet -ë-ja fundore te emrat mashkullorë dhe shumica e emrave mashkullorë që përdoren edhe si asnjanës: atë, burrë, djalë, gjalmë, gjumë, kalë, lëmë, lumë; ballë (balli, ballët), brumë (brumi, brumët), djathë (djathi, djathët), drithë, drithëra, dyllë, dhallë, dhjamë, gjalpë, mjaltë, ujë, ujëra etj.;

4) Shkruhet: marrdhënie, mardhënie, marrëdhënje
Duhet: marrëdhënie
Emrat femërorë foljorë me prapashtesën -je e ruajnë j-në në trajtën e pashquar dhe të shquar të njëjësit dhe të shumësit; p.sh.: ardhje, derdhje, dalje, lidhje, marrje, mbështetje, pritje, shitje, tretje etj. Por ku bashkohet j-ja me n-në, do të shkruhen nie dhe jo nje; p.sh.: dhënie, marrëdhënie, parathënie, etj. Kështu do të shkruhet edhe gie dhe jo gje djegie (e jo djegje), shmangie, lagie etj. Me j do të shkruhen edhe emrat femërorë me -ije dhe -ijë, në të cilët j-ja i përket temës së fjalës dhe ndihet kudo; p.sh.: anije, anija, anijeje; fije,
fija; shije, shija; bijë, bija; mijë, mija; vijë, vija, fëmijë, fëmija, fëmijët a fëmi, fëmija, etj.

5) Shkruhet: Lagja
Duhet: Lagjja
(Shpjegimi në rastin e lagjes është si te marrëdhënie). Në rast se do ndeshni një tabelë në qytet me Lagja “Luigj Gurakuqi”, shtojini edhe një –j, pra Lagjja “Luigj Gurakuqi”. Dikush
do ta fiksojë, patjetër.

6) Shkruhet: çertifikatë
Duhet: certifikatë
Në pajtim me shqiptimin e sotëm letrar, fjalët me burim nga latinishtja a nga gjuhët romane, si edhe nga greqishtja, të cilat në gjuhën shqipe kanë një c të ndjekur nga zanorja e ose i, shkruhen me c dhe jo me ç apo me s: celebrim, celular, centralist, centralizoj, certifikatë, procedurë, proces, etj.;
7) Shkruhet: e dielë
Duhet: e diel (pa ë-fundore)
Ditën e shtatë të javës, Zoti e bëri pushim. Edhe ë-ja fundore në këtë rast është gjithmonë pushim. Nuk shkruhet ë-ja fundore tek të gjithë emrat, te të cilët grupi i zanoreve ie ndiqet nga një bashkëtingëllore e lëngët (l, ll, r) dhe të gjitha fjalët e formuara prej tyre: e diel, diell, miell, qiell, etj.; diellor, përmiell, miellzim, qiellor, etj.;

8)Shkruhet: Digjitalizim
Duhet: Dixhitalizim
Në pajtim me shqiptimin e sotëm letrar, fjalët që burojnë kryesisht nga greqishtja, latinishtja e nga gjuhët romane dhe që në shqipen kanë një gj të ndjekur nga një e ose i, shkruhen me gj. Por ë dixhitalizim është një fjalë, kryesisht e re e shqipes, dhe me dixhitalizimin e sistemit të arsimit në Shqipëri, përmes futjes së tabletave në shkollë, ka pasur konfuzion edhe nga vetë Ministria e Arsimitpër rastin në fjalë.

9)Shkruhet: vënd
Duhet: vend
Së bashku me qendër – jo qëndër, mendje jo mëndje; fle jo flë; qendër jo qëndër Shkruhen me e (dhe jo me ë) fjalët ku kjo zanore është e theksuar dhe ndiqet ose ka qenë ndjekur në të kaluarën nga një bashkëtingëIlore hundore (m, n, nj). Me e shkruhen gjithashtu fjalët e prejardhura ose të përbëra të formuara prej tyre, pavarësisht nga lëvizja e theksit:
(më) dhemb, dhembje, femër, femërore, gjemb, e premte, rremb, shemb, shembull, shembullor, i shtrembër, shtrembëroj, tremb, thembër, zemër, zemëroj etj.; argjend, argjendar, brenda, brendi, i brendshëm, mendje, mendoj, mendim, përmend, zëvendës, zëvendësoj etj.; e enjte, gështenjë, ndenja, (i, e) ndenjur, shenjë (por shënoj, shënim), (i, e) shenjtë, (i, e) shtrenjtë etj.

10)Shkruhet: Mirësevini!
Duhet: Mirë se vini!
Mirë se erdhe! Mirë se vjen! Mirë se rrini! Mirë se ju gjeta! Mirë ardhsh! Mirë vafsh! Mirë mbetsh! Qofsh mirë! Ju bëftë mirë!”, shkruhen ndaras, jo bashkë, siç hasen zakonisht, sidomos në institucionet arsimore, ku mësohet gjuha shqipe. P.sh., thuajse në të gjitha fjalët që zakonisht shkruhen gabim shkollat, shohim “Mirësevini, nxënës të dashur!”, e cila, sigurisht që është shkruar gabim. Edhe në hyrje të shumë qyteteve, kjo shprehje gjendet e shkruar gabim: “Mirësevini në X qytet!” Kujdes! Këto pasthirrma shkruhen bashkë vetëm kur ato kthehen në emra, p.sh.: Pasi i uroi mirëseardhjen, e ftoi të uleshin brenda. Fjala e
Lejla Gorishti
mirëseardhjes.

11) Shkruhet: Qera
Duhet: Qira
Shumë njerëz e dinë se trajta e duhur është qera, madje është qesharake edhe kur korrigjojnë të tjerët kur e përdorin në të folur a të shkruar qira. Në fakt, kjo fjalë shkruhet me i dhe jo me e. I-ja nuk jepet me qira në këtë rast.

12) Shkruhet: sërisht
Duhet: sërish
Sërish hyn në grupin e atyrë fjalëve, të cilave u shtohen “bishta”, si, p.sh., thuhet Yzberisht, në vend Yzberish apo garazh.

Mësuesja e gjuhës shqipe
Lejla Gorishti.

Për të ndjekur mësim plotësues të gjuhës shqipe falas mund të kontaktoni :
Tel : 0675270616 ( Lejla)
Facebook : https://www.facebook.com/lejla.gorishti

Loading...