Nga Leonard Veizi
Mund të shprehë me gjeste e plastikë fytyre shumë më tepër se sa me fjalë të përbëra, togfjalësha a një monolog i tërë. Arben Shaka, ky mjeshtër i pantonimës, prej shumë vitesh i ka munguar skenës shqiptare. Ai tanimë është shfaqur sërish, por siç shprehet vetë, prej emigracionit të gjatë në Greqinë fqinje ka ardhur sërish si emigrant, por këtë herë në vendlindjen e tij, Tiranë.
Thotë se është armik i monotonisë dhe jetën e ka po aktive sa dhe më parë, veç jo si akrobat cirku. Nuk del në skenë të aktrojë, por universi i tij tanimë është një kompjuter i fuqishëm, me hard-disk e memorie të lartë nga ku mund të lidhet me çdo cep të globit e të marrë informacion për çfarë dëshiron.
Tek më sqaron raportet e tij me pikturën, thotë se në mendjen e tij gjithçka e përjetuar kthehet si një vizatim magjik, me laps a me penel qoftë. Por nuk le pa më thënë gjithashtu se peshën e tij maksimale prej 137 kilogramësh, e ka rrëzuar ndjeshëm, jo me dieta të tipit “Dukan”, por thjesht me ecje në rrugët e Tiranës së tij të dashur. Për lexuesit e
“Shekullit”, për ata që e njohin mirë, por dhe për ata që s’e dinë cili është, 63 vjeçari Arben Shaka, babai i tre fëmijëve dhe aktor karriere ende i padalë në pension, rrëfen dhe një herë jetën e tij të gjatë skenike prej 33-vitesh.
Kur keni marrë për herë të parë një rol si aktor?
Kam qenë shumë i ri, 16 vjeç kur u përfshiva në trupën amatore të Parkut të Kamionëve. Roli i parë ishte në pantonimën “Shoferi dhe Pasagjeri” autor i së cilës ishte Agim Nallbani dhe partneri im në rolin e pasagjerit ishte Astrit Ferizaj. Ishte vitin 1966 dhe sapo kisha nisur punën si elektro-auto në Parkun e Kamionëve. Me këtë pantomimë u paraqitëm në festivalin e estradave amatore.
U befasova nga suksesi i pantomimës dhe i rolit tim si shofer. Madje kur udhëtonim me kamionin e trupës për një shfaqje në Kavajë, unë vendosa timonin e skeçit në anën tjetër të shoferit. Nga jashtë dukej sikur kamioni kishte dy timonë. Njerëzit habiteshin, aq sa një burrë me biçikletë ra në kanal. Kur do të fillonte karriera juaj e vërtetë? Mirëfilli do të isha aktor në Estradën e Ushtarit. Fillimisht bëra 7 muaj shërbim ushtarak në Ersekë, por më tërhoqi kjo Variete.
Në ato vite Estrada e Ushtarit kishte shumë punë. Aty ishin mbledhur aktorë shumë të mirë. Ishte Koço Devole, Roland Trebicka, Zef Deda, Sejfulla Myftari etj. Rrinim të veshur me uniformë. Jepnim shumë shfaqe nëpër reparte ushtarake në të gjithë Shqipërinë. Natyrisht që ishim të mirëpritur dhe kishim sukses të garantuar, por gjatë kësaj punë ndesheshe dhe me paradokse.
Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje nga këto paradokse?
Na qëllonte të shkonin në ndonjë pikë të largët ku kishte vetëm 10-12 ushtarë, ndërsa trupa jonë kishte më shumë se 30 veta, aktorë e këngëtarë. Dhe shfaqja jepej e plotë për këtë publik. Mbaj mend një herë që duhet të jepnim një shfaqje për të burgosurit e burgut të Çervenakës.
U krijua një situatë shumë e nderë. Njerëz që ishin të detyruar të futeshin në sallë, ndërkohë që ata as që e kishin mendjen tek humori. Ishin njerëz hallexhinj që për rrethana të caktuara ishin dënuar me heqje lirie. Disa nga gratë aktore qanin pas kuintave. Bëmë disa role dhe ikëm me shpejtësi. Kjo ishte një skenë që s’kam për ta harruar kurrë.
Ndërkohë ju keni qenë dhe aktor në Cirk?
Që të jem i saktë, në dosjen time të Cirkut shkruhej që isha “akrobat”, në atë të Estradës që isha “aktor”. Në atë kohë Cirku dhe Estrada kishin të njëjtën drejtori. Në fakt prirjet e mia ishin kryesisht për pantomimën aktoriale dhe kupletet muzikore dhe këtu kishim një të përbashkët me artin e bukur të cirkut.
Unë doja të luaja në skenën e Estradës, por këmbëngulja e Telat Agollit, krijuesi i cirkut shqiptar, më detyroi që të luaja edhe në Cirk edhe në Estradë.Me punë të lodhshme, shumë djersë dhe pasion, arrita të jem i suksesshëm. Në ato vite Cirku shkëlqente. Ndërsa sot, edhe pse ekziston dhe vihen shfaqje, për mua ka mbetur vetëm si skelet.
Ndërkohë ju keni marrë disa role dhe në kinema?
Në film kam luajtur disa role, në dy-tre akte edhe episodike. Por suksesi më i madh besoj se është filmi “Cirku në fshat” me regji të Hysen Hakanit, ku jam në rolin e Agronit. Ai ishte një film që në mënyrë sintetike jepte jetën dhe punën në Cirk. Kam pasur rol tek “Odiseja e Tifozëve” ku më duhej të luaja rolin e një tifozi të çmendur, në të kundërtën time që nuk jam fare tifoz.
Kam pasur rolin e Sulos në filmin “Përse bien këto daulle”. Gjithashtu role kam pasur dhe tek “Estrada në Ekran”, “Kapedani”, “Gjueti e Ndaluar” dhe në komedinë “Tre dhëndurët” të Dionis Bubanit me regji të Piro Manit. Por kam pasur një rol shumë të mirë dhe tek filmi “Alo tekniku” me regji të Niko Kanxherit, një film që është transmetuar një herë apo dy maksimumi dhe është zhdukur. Nuk e gjej dot më.
Çfarë mbani mend nga këto role?
Tek “Cirku në fshat” për shkak se xhironin në një pulari, mësova në mënyrë të shkëlqyer të bëja si gjel e si pulë. E bëra lëmsh pularinë. Në çastet e vështira të xhirimit e kur ishim të lodhur, nuk na mungonte as humori i regjisorit Hakani, që njihej për batutat e tij.
Kur xhironim “Odiseja e Tifozëve” m’u desh të shkoja me motorin e invalidit, që ishte pjesë e filmit, nga Miloti deri në Laç. Pas meje do vinte dhe grupi i xhirimit. U nisa para. Por motori ishte i vogël e nuk kishte shpejtësi. U bënë pas meje një radhë e gjatë makinash që i binin borisë.
Unë po ecja pa e çarë kokën në mes të rrugës. Dikur e pash të arsyeshme të hapja krahun e të qëndroja në anë të rrugës sa të kalonin të tjerët. Ç’të dëgjoja, s’mbeti njeri pa më sharë. Tek “Gjuetia e fundit” skena me kungujt në shtëpinë e Xha Brahos është krejt e improvizuar.
Hymë në shtëpinë e një fshatari dhe atje ishin kungujt. Nuk i hoqëm, por improvizuam menjëherë një skenë. Me aktorët e trupës e kishin këtë të mirë, improvizonim menjëherë dhe kuptoheshim me sy.
Niko Kanxheri: Shaka, një aktor shumë serioz
Ai ka humor të hollë dhe mund të tregojë plot pasion ngjarje nga jeta e tij. Por thotë se nuk di të tregojë as barsoleta dhe as të bëjë humor pa shkak. “Natyra ime është e tillë që ndryshoj nga Beni i skenës. Në jetën e përditshme jam njeri serioz, por edhe brenda këtij serioziteti bëj shaka me kripë.
Në shumë raste edhe në familje nuk e kuptojnë kur e kam seriozisht, e kur me të qeshur. Me shakatë në ambient shoqëror ose jashtë me dashamirësit, jam shumë i kujdesshëm, dua vetëm t’i kënaq dhe ndonjërit t’i heq mërzitjen.
Më qëlloi që kisha rolin kryesor tek telekomedia “Alo tekniku”. Kur u bë dhe çaku i fundit i filmit diku pas teatrit të Operës dhe Baletit, të gjithë erdhën të më përqafonin. Erdhi dhe regjisori Niko Kanxheri dhe pasi më përqafoi më tha me humor: “Kurrë mos ta pafsha bojën, se sa komik je në skenë aq serioz dhe aktor i vështirë je në jetë”.
Peneli i Ben Shakës në lokalet e Greqisë
Për 15 vite me radhë ai gjeti prehje shpirtërore dhe materiale përtej kufirit. Ishte veç një emigrant, që arriti të thyej mendimin grekë ndaj shqiptarëve dhe gjithsesi të bënte jetën e një piktori në mërgim.
“Unë, gruaja dhe nëna jetuam 15-vjet në Greqi, ndërsa dy vajzat dhe djali do të vazhdojnë të punojnë atje. Jetova në Lutraqi, 80 km larg Athinës, një qytezë bregdetare turistike me bukurinë dhe pastërtinë e saj dhe me banorë të respektueshëm.
Në muajin e parë të vajtjes sime në Greqi më gënjente mendja se do të aktivizohesha si aktor komik dhe fillova të pyes e të kërkoj me seriozitet, por duke mos pasur informacionin e duhur për kolegët grekë, ëndrra dhe pasioni u venitën menjëherë. Në Greqi kam punuar kryesisht si piktor, meqenëse ky art është pasioni im i dytë.
Banorët më njihnin si piktor, u licensova si i tillë, madje për 4-vjet punova si piktor i lirë. Jam marrë me reklamat e lokaleve, e për këtë arsye m’u desh ta mësoja greqishten me gramatikë. Por banorët e Lutraqit e dinin që kisha qenë aktor komik… Qarkullonin kaseta me filmin “Cirku në fshat”. Tani, kam lyer dhe ndonjë shtëpi, pra kam bërë bojaxhiun, sepse t’i jepnin paratë në dorë.
Por sukses të madh kam pasur me disa lokale që i kam pikturuar nga të katër anët. Njëkohësisht kam pikturuar dhe kam shitur punë në telajo. Por vitet e fundit, për shkak të krizës, puna u vështirësua shumë. Kështu që u detyrova të kthehem përsëri në Tiranë, në një shtëpi me qira, ose thënë ndryshe: emigrant në vendin tim të lindjes”.
Në vendlindje
“Për herë të fundit isha në Tiranë në vitin 2010, para se të vija përfundimisht. U befasova për ambicien që kemi ne shqiptarët. Kërkojmë të ecim përpara me shpejtësi dhe jemi vazhdimisht në kërkim të së resë, të modernes. Por ama e shikoja me syrin e një vizitori. Tani që prej 4-5 muajsh jetoj këtu mund të them se Tirana ka gjithçka të veçantë, me arritjet e me problemet.
Jeta këtu është tashmë shumë dinamike dhe këtë dinamizëm ia japin njerëzit me jetën dhe problemet e tyre me intelektin dhe guximin. Kur erdha përfundimisht nuk arrija të gjeja dot shtëpinë ku banoja. Pyeta disa veta rrugës. Ata më shihnin me habi. Me siguri mendonin: “Arben, ose bën shaka ose ka luajtur nga mendtë”. Por unë realisht nuk orientohesha dot me Tiranën e re”.
Kolegët
Arben Shaka thotë: “Më të afërt si miq kam pasur Skënder Plasarin, Xhemal Myftiun dhe Enver Dautin. Këta dy të fundit, fatkeqësisht, janë ndarë nga jeta. Ndërsa më afër në skenën e Estradës së Tiranës
bashkënterpretuesit e mi kanë qenë Skëndër Sallaku, Xhemal Myftiu, Vasillaq Vangjeli, Maxhide Pici, Vegim Xhani, Dario Llukaçi etj. Kam pasur fatin që të luaj në skenën e Estradës dhe me të madhin Mihal
Popi dhe më vonë me Melpomeni Çobanin, aktore e shkëlqyer karakteri. Ndërsa, për sa i përket Cirkut, partneri im kryesor ka qenë Met Selimi, mjeshtër i kllounatës akrobatike dhe aktoreske”.
Talentet
Por si do të ishte jeta e tij artistike pas viteve ’90? Arben Shaka thotë: “Për pasionin që kisha për artin e humorit dhe kryesisht për fëmijët, krijova një firmë private me veprimtari artistike dhe tregtare, me qëllim që në një të ardhme, jo të largët, të mund të krijoja Teatrin e Varietesë për fëmijë. Doja shumë që ata që kishin talent t’i edukoja me disa disiplina: këngë, kërcim, aktrim.
Garancinë profesionale e kisha, por eksperiencën administrative ekonomike nuk e njihja fare dhe kështu që dështova. Për hir të pasionit dhe të një ëndrre shkatërrova gjithçka. Madje shita dhe shtëpinë. Kjo ishte arsyeja që unë u detyrova të emigroja.Është një peng i madh për mua. Edhe tani kam aftësinë ta realizoj një ëndërr të tillë, por me sa shoh, janë “zënë vendet”.
Burimi: AktoretShqiptare.info