Zhvillohet ceremonia përkujtimore në nderim të 4 “Dëshmorëve të Atdheut” të rënë në krye të detyrës në vitin 2009

Zhvillohet ne Tirane ceremonia përkujtimore në nderim të 4 “Dëshmorëve të Atdheut” të rënë në krye të detyrës në vitin 2009 ne perplasje me arme me Dritan Dajtin.

Me rastin e 10-vjetorit të rënies në krye të detyrës të katër punonjësve të policisë, zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe familjarë të të rënëve kryen homazhe në varrezat e dëshmorëve, ku prehen të rënët.

Voda nënvizoi sakrificën me jetë të dëshmorëve Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkollari, të cilët humbën jetën në një aksion për kapjen e një personi të rrezikshëm, në Durrës në 7 gusht 2009. Ajo tha se familjarët e dëshmorëve të Policisë së Shtetit janë në vëmendje të përhershme të drejtuesve të Qeverisë, Ministrisë së Brendshme dhe premtoi se çdo dëshmor i policisë, do të prehet në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit”.

Fjala e zv.ministres së Brendshme Rovena Voda:

Nderim dëshmorëve të atdheut Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkollari, rënë në detyrë më 7 gusht 2009!

Të nderuar pjesëmarrës,
Të dashur familjarë dhe të afërm të dëshmorëve,

Dhjetë vjet më parë dora makabre e krimit nuk kurseu plumbat ndaj ruajtësve të ligjit dhe u mori jetën para kohe katër punonjësve të Policisë së Shtetit, sot Dëshmorë të Atdheut.

Vrasja në krye të detyrës e mbrojtësve të ligjit, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkollari, rënë në detyrë me 7 gusht 2009, shënoi një tronditje të thellë për familjarët, kolegët e tyre në radhët e Policisë dhe miqtë e tyre.

Kjo ngjarje e tmerrshme tingëlloi fuqishëm si kambanë e fortë alarmi për reagim në bllok kundër dorës së krimit dhe nevojës për drejtësi.

Ne nderojmë sot me solemnitet këta dëshmorë, punonjës të përkushtuar ndaj detyrës, të cilët fatkeqësisht humbën jetën heroikisht në përballje me krimin për të garantuar sigurinë e çdo qytetari dhe mposhtur egërsinë e botës së krimit.

Shokët dhe kolegët e tyre, ne të gjithë, përulemi para tyre në shenjë respekti dhe nderimi të merituar.

Ata e merituan uniformën e Policisë së Shtetit dhe ishin të denjë për profesionin që kishin zgjedhur, kishin cilësi dhe zemër polici trim, manifestuan guxim dhe zell punonjësi të përkushtuar.

Fatosi, Altini, Kastrioti dhe Sajmiri ishin të devotshëm, nuk kishin stepje apo ndalje në plotësimin e detyrave dhe zbatimin e urdhrave, nuk dallonin e kujt është përgjegjësia, por vepronin në grup. Ata manifestuan cilësitë më të larta të një punonjësi policie, por edhe vlera njerëzore, që i kishte bërë shumë të dashur me kolegët, shumë të vlerësuar nga eprorët dhe të respektuar nga qytetarët.

Ceremonia e sotme, këtu në Varrezat e Kombit, synon t’u bëjë nderimin e duhur dhe të merituar, duke i rreshtuar krah heronjve dhe dëshmorëve të kombit, për të mbetur të pavdekshëm në përjetësi dhe qirinj të pashuar në rrëfimin e rrugës së sakrificave të përgjakshme për rend e qetësi publike të efektivave të Policisë së Shtetit, në përballje dhëmb për dhëmb me kriminelët dhe njerëzit antishtet dhe triumfin e kauzës për zbatimin me vendosmëri të ligjit.

Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkollari, u shtohen yjeve të përjetshëm të mbrojtësve me jetë – të jetëve njerëzore, duke shtuar lavdinë e tyre në altarin e nderit të punonjësve të Policisë që kryejnë sakrifica sublime në emër të detyrës, duke mishëruar cilësitë e vyera të njerëzve të devotshëm për përmbushjen e misionit të Policisë së Shtetit dhe të betimit për kryerjen e detyrës me nder dhe integritet.

Nderimi i tyre me titullin e lartë “Dëshmorë të Atdheut”, është një tjetër yll lavdie që ndriçon në Flamurin e Policisë së Shtetit dhe shpreh qartësisht vlerësimin e qeverisë shqiptare për njerëzit e ligjit, por edhe vendosmërinë e saj për lartësimin e emrit të dëshmorëve të policisë si dhe ruajtjen e dinjitetit të organizatës, duke njohur sakrificat ekstreme të punonjësve të saj, siç është rasti i këtyre katër dëshmorëve.

Të nderuar familjarë e përfaqësues të Policisë së Shtetit,

Aktualisht janë 224 punonjës të policisë, të rënë në detyrë.

Asnjë institucion tjetër ligjzbatues i shtetit shqiptar, nuk ka kaq shumë të rënë e dëshmorë sa Policia e Shtetit.

Ministri i Brendshëm, zoti Sandër Lleshaj, i vetëdijshëm për këtë fakt pikëllues, që në ditët e para kur mori detyrën, organizoi takime periodike me të gjithë familjarët e punonjësve të rënë në detyrë. Qëllimi ishte të njihej me problemet dhe shqetësimet e familjarëve të tyre, fëmijëve, bashkëshorteve, prindërve.

Me qëllim lehtësimin sadopak të dhimbjes dhe përballimin e vështirësive të natyrshme të jetës së përditshme, Ministria e Brendshme ka përgatitur një paketë mbështetëse ndaj familjarëve të policëve të rënë në detyrë.

Familjarët e të rënëve të Policisë nuk kanë më prindërit, bashkëshortin, njeriun e tyre të dashur, por ne do të jemi familja e tyre e madhe.

Një nga premtimet që kemi bërë është vendosja e të gjithë të rënëve të Policisë në varrezat e Dëshmorëve. Por kjo nuk është e gjitha. Policia e Shtetit dhe gjithë agjencitë ligjzbatuese kanë detyrimin të prodhojnë sa më shumë rend e siguri.

Akti i sotëm, në nderim të dëshmorëve, në këtë ceremoni postmortore përkujtimore, shpreh vlerësimin e Qeverisë dhe të Ministrisë së Brendshme për të rënët në detyrë.

Ndaj ky është momenti për një apel të fortë për këdo, të rreshtohet në krah të Policisë së Shtetit, institucioni që sakrifikon më shumë e përditë, deri sakrifica sublime, por fatkeqësisht merr mbi supe jo rrallë herë, baltën e akuzave të pamerituara.

Policia është dhe mbetet vetëm e Shtetit, ndaj të duam policët dhe Policinë, të respektojmë ligjin.

Në mbyllje, u jap kurajë pjesëtarëve të pranishëm të familjeve të dëshmorëve, duke iu shprehur edhe një herë ngushëllimet e sinqerta në emër të Ministrit të Brendshëm dhe garantuar e premtuar se ata do të jenë kurdoherë në vëmendjen e kujdesin e institucionit Ministria e Brendshme.

I përjetshëm kujtimi i dëshmorëve!

Loading...