Brohoritja e burrit!Zeqir Hoxhaj i Homofonisë: “Ç’u këput një këmbë mali” – Nga Sejmen Gjokoli, (foto)

Nga cikli “Visare trashëgimie”
ZEQO HOXHAJ, BORROHITJA E BURRIT

-Zeqir Hoxhaj i Homofonisë: “Ç’u këput një këmbë mali”-

Atë kohë ishte plot tridhjetë e tre vjeçar. I vetmi që i duhej të dilte i vetëm në sofrën e madhe të Kalasë së Gjirokastrës atë Tetor të ’83-shit.
Si i zbritur nga malet e Labërisë, madje sikur diku aty pas skenës së kalasë kishte kopenë në kullotë. Me sharkun krahëve e me kërrabën në dorë do të niste logatjen e burrit.
Tamam si të këndonte me vehte e për vehte, si pa dashur të dinte që përpara kishte njerëzit “mizë lisi”, me sy e veshe vetëm tek ay, në atë pikë të skenës së gurtë.
Dhe ashtu dalë-ngadalë rrokjet e fjalët që vinin sikur të rrokulliseshin nga Mali i Gjërë përballë a Çajupi pas skene filluan të formësonin tingull e melodi kënge.
“Ç’u këput një këmbë mali,
O Stamboll të rëntë zjarri…”
Më tej ooooo-ja e tij proverbiale plot gurgullimë e kome gryke, si një nyje lidhëse mes vargjeve të këngës.
Gati e pa besueshme ajo që po ndodhte në skenën e kalasë nga ku brënda një njeriu, një gryke apo laringu, bëheshin bashkë të gjitha; edhe zëri i marrësit, edhe kthyesit, edhe hedhësit, madje edhe isua e tërë.
“Djemtë tanë vaj me det,
Djepi thatë e vatra shkret”…
Dy vargshi tjetër edhe më tronditës do ngrinte kallkan të mëdhenj e të vegjël.
Diçka midis gurgullimës së një lumi malor dhe ca shkëmbenjsh rrokullisur teposhtë humnerës.
Gjer te profesorë e studiues të fushës të befasuar.
Vlora edhe më parë në atë skenë kishte bërë histori kënge, treshja e famshme e Dukatit ka qenë njëra prej tyre.
Kësaj radhe jo tre, as dy, vetëm një dhe nga një tjetër fshat Labërie. Kallarati me Zeqo Hoxhën do bënte tjetër histori, këtë radhë duke zgjuar nga shekujt borrohitjen e burrit.
Atë që çobanët maleve, kohëve të shkuara sidomos, do ta bënin sa herë në vetminë e tyre.
– E nisëm ta këndonim me tre veta – më tregon Zequa kur mëson interesimin edhe për detaje të kësaj prurje me vlerë të jashtëzakonshme folklorike.
U bëmë bashkë edhe me Platon Jonuzin e Alime Kondin, vajtëm deri në takimin seleksionues në Vlorë por nuk na vinte mirë. Ashtu siç ishte se kaptonte dot Vlorën.
Vuri dorë Haxhi Dalipi, profesori ynë, më la vetëm mua dhe më kërkoi ti bëja të gjitha, sikur të isha diku në një borigë mali.
Llambro Hysi, rapsodi i grupit tonë të Kallaratit i shtoi dy vargjet e fundit dhe ato sikur i vunë vulën.
Vula ju vu vërtet Zeqos dhe këngës. Juria e shpalli “Laureant” të festivalit ndërkohë që u përzgjodh ndër më të mirat vlera për t’ja shpurë Enver Hoxhës në Tiranë, në koncertin e madh me perlat më të mira të folkut shqiptar…
Një vit më vonë, në 1984, magjia shpirtërore e Zeqo Hoxhës do ngjitej në skenën e Festivalit Ballkanik të Ohrit, këtë radhë “huazuar” nga ansambli “Migjeni” i kryeqytetit.
Në folklorin e kënduar të Labërisë kënga homofonike ka qenë bashkëudhëtare e zhvillimeve dhe evoluimeve të polifonisë por Zeqo Hoxhaj i dha një dimension të ri sa artistik aq edhe autentik.
Thjesht i ngriti një monument shpirtëror të pa tjetërsueshëm kësaj fillese të vet këngës polifonike.
Dërgon një letër fermani,
Djemtë tanë, o nur, o nur,
Të zihet Lame Petani,
Djemtë tanë, o nur, o nur,
Meçe e Bilbil Hasani,
Djemtë tanë, o nur, o nur,
Kallarat katër nishanë,
Djemtë tanë, o nur, o nur,
Në Janinë seç i varë,
Djemtë tanë, o nur, o nur…
Një tjetër perlë homofonike e Zeqos së Kallaratit, burrit që borrohitjen e ktheu në pasuri të rrallë shpirtërore e në një magji të jashtëzakonshme trashëgimie.
https://youtu.be/DLICW9XE_Z8

Loading...