Një jete në skenë/ 78-vjetori i lindjes së Robert Ndrenikës

Në 78-vjetorin e lindjes së aktorit të madh të skenës dhe ekranit, Robert Ndrenika nuk kanë munguar mesazhet e urimit. Edhe Teatri Kombëtar solli në vëmendje aspektet kryesore të personalitetit të kinemasë dhe teatrit shqiptar, përmes një biografie të shkurtër.

Robert Ndrenika lindi në Tiranë, më 10 janar 1942. Talenti i tij spikati që në vitet e para të jetës, kur ai kultivonte pasionin e tij për teatrin. Pas përfundimit të gjimnazit “Qemal Stafa”, në vitet 1960-1964 ai nisi studimet për aktor në Shkollën e Lartë “Aleksandër Moisiu”. Deri më 1970, punoi si aktor në Teatrin “Skampa” të Elbasanit. Në vitet 1970-1974 punoi si aktor në Teatrin e Institutit të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve), më pas në Teatrin Kombëtar, deri sa doli në pension.

Në vitin 1979 i është akorduar titulli “Artist i Merituar” dhe në vitin 1988 titulli “Artist i Popullit”. Është nderuar me Kupën për Aktorin më të Mirë në Festivalin Kombëtar të Teatrit, më 1994, për rolin e Di Spetes në shfaqjen “Magjia e Madhe” të De Filipos dhe në Festivalin e Filmit të vitit 1979, për rolin e Prefektit në filmin “Koncert në vitin 1936”. Presidenti i asaj kohe, z. Bamir Topi, i akordoi Ndrenikës (në vitin 2012) titullin e lartë “Nderi i Kombit”./atsh

Loading...