Nga cikli “Visare Trashëgimie”
ME KËNGËT E VARGJET E PELIVANIT
-me rapsodin e Labërisë, Pelivan Bajrami-
Ato janë vetëm dymbëdhjet këngë. Asnjë më pak e asnjë më shumë. Të gjitha të mbledhura në një CD që, për nga forma, të kujton pllakat e famshme të gramafonit. I këndon vetëm një njeri, madje përveç dy apo tri prej tyre, ay që i këndon u ka shkruar dhe vargjet.
Janë të gjitha këngë që të befasojnë, të bëjnë të përqëndrohesh thellë e tu vësh mirë veshin fjalëve e avazeve, melodive që s’kanë me kë tjetër ti krahasosh.
“Ma mbani një vajë, vajin për një nënë,
O, nën-o, o nënë, s’ta dëgjoj më zënë…
……………………………………………..
Kush e humbi nënën, dhe s’u plagos rëndë,
O, nën-o, o nënë, s’ta dëgjoj më zënë…”
Vetëm dy vargje e një refren tronditës nga kënga për Nënën që të ka bërë kokën e s’është më në këtë jetë.
Janë këngë që sot këndohen dendur nga thuajse të gjithë këngëtarët më në zë të këngës polifonike madje disa prej tyre të ngjajnë si të jenë edhe autorët e tyre.
Shumë pak e dinë se marrësi dhe autori i vetëm i këtyre këngëve është Pelivan Bajrami, njëherazi rapsod i njohur e poet në zë i Labërisë, sidomos në fushën e satirës e të humorit.
I ka kënduar kohë më parë këto këngë me një grup djemsh nga Lumi i Vlorës; nga Tërbaçi, Velça, Sevasteri etj. ndaj dhe emrin e grupit e vendosën kështu.
Janë të gjitha këngë-mjaltë, të kadifejta fare. Këndohet ëmbël çdo fjalë e çdo gërmë si rrallë këngëtar në aradhën e polifonëve të Labërisë.
Në fakt ka një jetë që bën këngë për të tjerë , shumë prej teksteve në grupe të ndryshme polifonike mbajnë firmën e tij, por dyzina që ka realizuar duke qenë vetë marrësi, e bën unikal mes të tjerëve krijues.
Një jetë të tërë i lidhur me kulturën, prej Kukësi, kohë kur do të jetonte plot njëmbëdhjet vjet pas të vëllait ushtarak e deri në Vajzën e Ali Asllanit ku do të shërbente gjashtë vitet e fundit të sistemit të kaluar, në shtëpinë e kulturës.
Ishte koha kur do ti duhej të punonte me disa grupe polifonike ndër fshatrat e rrethit të Vlorës, ndërkohë që me “Bëmë shaka sa deshëm vetë”, këngën humoristike të Treblovës kënduar nga Bexhet Mahmuti e Fiqiret Nazëraj ( Islamaj) në festivalin kombëtar të Gjirokastrës në vitin 1988 do shënonte edhe pjesëmarrjen e parë në Kalanë e Gjirokastrës.
Një këngë që në natën e konkurimit të Vlorës do të duartrokitej gjatë nga shikuesit e shumtë që kishin mbushur kalanë e festivalit.
Në fakt duhet thënë se Pelivan Barjami në tekstet e këngëve humoristike është në “ujrat e veta” dhe mbetet nga më produktivët krijues të kësaj fushe.
Pikërisht kjo ndjenjë e hollë humori që buron si një trashëgimi e kristaltë prej traditës e të parëve rapsodë popullorë të Lumit të Vlorës, ka ngjizur te ky krjues vjershëtorin e spikatur të vargut humoristik e satirik e këtu nuk ka të dytë në trevën e Labërisë.
Përmbledhja me pezi satiro-humoristike ” Populli dhe politika” e që në fakt poeti i madh Dritëro Agolli në parathënien e librit do ta quante “Na mban gjallë vetëm humori”, është një tregues kuptimplot i vlerës së Pelivan Barjamit në fushën e krijimeve humoristike.
Dhe kjo Pelivanin natyrshëme bën të veçantë mes rapsodëve krijues të Labërisë duke e qasur me emra të mëdhenj të trashëgimisë tonë shpirtërore si Selim e Mato Hasani, Xhebro Gjika, Tartar Zeka etj.
Ca më tepër këto vlera shumfishohen kur mëson se një vëllim tjetër me mbi 500 faqe, i tëri me tekste këngësh polifonike e vargje satirike, pret dritën e botimit.
Këngët dhe poezitë e këtij krijuesi me rrënjë në Tërbaçin e Labërisë, mbeten përherë të adhuruara e të kërkuara nga grupe të ndryshme polifonike e nga dëgjues të shumtë të polifonisë labe.
Siç ndodh me këngën e me të tjerë krijues popullorë edhe këngët e Pelivan Bajramit vijnë pa emër, shpesh herë pa emra në titra, por kur të duhet të “gërmosh” të del përpara një emër që me këngën ka bërë emër.
Pelivan Bajrami, krijuesi e këngëtari lab që tash dymbëdhjet vite ndan jetën, krijimtarinë e këngën mes Vlorës e Amerikës së largët…
shpella e kaninës, sot, dt. 11.01.’20
1.https://youtu.be/VA_6BluHC3k
2.https://youtu.be/tIfCiBX3k5k
3.https://youtu.be/SR0QcKesaJI