Aktori i mirënjohur shqiptar Ndriçim Xhepa feston sot 63-vjetorin e lindjes së tij.
Teatri Kombëtar në faqen zyrtare në Facebook, i uron aktorit ditën e lindjes, duke renditur disa prej roleve dhe filmave që ai ka luajtur gjatë karrierës së tij të pasur artistike.
Ndër rolet më të pëlqyera të tij përmendim këtu: rolin e Fredit në filmin “Hije që mbeten pas” (1982), rolin e Tomës në filmin “Flutura në kabinën time”.
POSTIMI I PLOTË I TEATRIT KOMBËTAR:
TEATRI KOMBËTAR URON NJË NGA AKTORËT MË TË MËDHENJ DHE MË TË DASHUR TË VENDIT TONË, Z. NDRIÇIM XHEPA, NË 63-VJETORIN E LINDJES TË TIJ.
Ndriçim Xhepa u lind në Tiranë, më 21 Janar 1957. Që prej përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve më 1979, z. Xhepa ka interpretuar në mbi 30 role në teatër, ndër të cilat mund të veçojmë:
Arseni në Dramën “Nën dritat e skenës” e Ruzhdi Pulahës, Prometeun në dramën me të njëjtin emër të Viktor Eftimiut, për të realizuar më pas figurën e pasionante të Romeos në tragjedinë e famshme të Uilliam Shekspirit: “Romeo dhe Zhuljeta”. Për interpretimet e roleve e tij, ai është shpallur 3 (tre) herë fitues i Kupës për ‘’Aktorin më të Mirë” në ‘Festivalet e Filmit’ në vitet: 1987, 1989 dhe 2000; 2 (dy) herë fitues i Çmimit “Aleksander Moisiu” për “Aktorin më të Mirë” në ‘Festivalin Kombëtar të Teatrit’ me 1986 dhe 1995.
Gjithashtu, ai mban titujt “’Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës’’. Pikën kulminante të karrierës, ai e arriti me interpretimin e rolit të Fernandos në vitin 1995 në Dramën “Fernando Krafti më ka shkuar këtë letër” e T. Dorstit.
Më pas me rolin e Xhejmsit në komedinë “Kapitulli i Dytë” e Nail Saimonit, ku ndryshoi formatin dhe u fut në zhanrin e komikes dhe lirikes .
Xhepa ka pasur një karrierë mjaft të suksesshme edhe në kinematografi. Ai ka interpretuar rreth 30 role kryesore, por vëmendjen e tërhoqi për lojën psikologjike në rolin e Fredit në filmin “Hije që mbeten pas” (1982). Në vitin 1988 mishëroi me dramacitet rolin e Tomës në filmin “Flutura në kabinën time”. Më 1998, mbërrin në një nga figurat më të realizuara, sikurse ishte ajo e Alush Beut në filmin “Dasma e Sakos”.