Më 13 shkurt të vitit 1937 vdiq Halim Xhelo, atdhetar, revolucionar demokrat, Hero i popullit.
Halim Xhelo lindi në Tërbaç të Vlorës më 13 shkurt të vitit 1894. Ishte arsimtar, luftëtar, organizator i Luftës së Vlorës në vitin 1920, pjesëmarrës në revolucionin e qershorit të vitit 1924. dhe përkrahës i qeverisë së Nolit, drejtues i gazetës “Politika” dhe “Liria Kombëtare” në Paris, veprimtar i Kominternit. Kreu shkollën e mesme në Korfuz. Mori pjesë në çetën kryengritëse të Spiro Ballkamenit më 1911. Pas Shpalljes së Pavarësisë punoi si arsimtar në fshatrat e Vlorës. Në Matogjin hapi shkollën e parë shqipe, më shtator 1913. Zhvilloi propagandë dhe veprimtari të dendur për mbrojtjen e tërësisë territoriale të shtetit shqiptar, ku spikati me shkrimet atdhetare. Më 1915-1916 kur çelet shkolla fillore për djem në Vlorë u caktua mësues së bashku me Jani Mingën e Thoma Papanon me drejtor Kolë Kamsin. Vdiq në Moskë në vitin 1937. Varrimi iu bë në krematoriumin e Moskës, hiri i trupit të tij mbeti në një poçe porcelani.
Halim Xhelo – Hero i Popullit
Lindi në Tërbaç në 1894. Kur kishte kryer shkollën fillore dhe atë qytetëse, djaloshi 14 vjeçar u ndodh ballë për ballë me burrin e kombit Ismail Qemali, i cili sapo e njohu këtë filiz që kërkonte të shpërthente, e dërgoi menjëherë për studime në shkollën e mesme në Korfuz, ishull që në atë kohë ishte kthyer në bastion të shqiptarizmës. Këtë kujdes atëror të udhëheqësit të lirisë e të pavarësisë “labi” i vogël, siç thirrej me përkëdheli nga të njohurit e kohës, diti si ta justifikonte gjatë gjithë jetës së tij. Halim Xhelo që i vogël ndjeu peshën e rëndë të vuajtjes dhe shtypjes nga të huajt. Prindërit u kujdesën për shkollimin e tij, duke e dërguar në qytet, ku sapo ishte çelur shkolla e parë shqipe në lagjen “Muradie”.
Në Korfuz Halimi u njoh me Themistokli Gërmenjin e Mihal Gramenon. Njohja me ta bëri që në vitin 1911 ai të kalonte në çetën e Spiro Bellkamenit që vepronte në krahinën e Korçës. Me pjesëtarët e saj Halimit iu hëngër shumë shpejt buka, por i këndoi bukur edhe dyfeku. Në betejën e vështirë të Ormën Çifligut, djaloshi 17 vjeçar ra në sy për trimërinë që shfaqi mes bashkëluftëtarëve dhe kjo cilësi do ta shoqëronte gjithë jetën.
Me krijimin e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, 1912, thirret prej saj për të marrë emërimin e mësuesit në shkollën e Matogjinit, e cila ishte thuajse përkarshi vendlindjes së tij. Aty bëri disa vjet duke iu gëzuar detyrës fisnike, por jo lirisë, sepse shtetet shoviniste fqinje po ia zinin vendin njëri-tjetrit. Tok me vranishnjotët Halim Xhelo hidhet në ndihmë të Kallaratit për luftimin e bandave andarte greke, të cilat po kryenin masakra të papara ndaj popullit, aty dhe në shumë fshatra të Kurveleshit. Më pas ai merr pjesë në konfliktin e armatosur mes mesaplikasve dhe forcave pushtuese të përtejdetit, të cilëve, edhe pse Lufta e Parë Botërore kishte përfunduar, u pëlqente të shtronin gunën në këto zona të thella pa menduar për rreziqet që i prisnin nga “djemtë e maleve”. Emërimi si inspektor i shkollave të krahinës i dha Halim Xhelos mundësinë e një lëvizshmërie dhe veprimi më të gjerë. Tok me Jani Mingën dhe atdhetarë të tjerë më 28 nëntor 1916 organizoi në Brataj një demonstratë, e cila bashkoi popullin dhe gjithë arsimtarët e Mesaplikut, ku u qëllua për vdekje një i ri, gjë e cila nuk kaloi pa shpagim. Veprimi i parë ndaj vrasësve ishte djegia e depos së municionit në Gjorm. Një vit më pas Halimit i vjen emërimi si sekretar i krahinës së Mesaplikut. Me arsimtarët e zonës krijuan Shoqatën “Shtizat e qytetërimit”, e cila u diktua dhe u shpërnda pas pak kohësh prej pushtuesve duke u shndërruar më pas në Shoqatën edhe më të gjerë “Mbrojtja shkollore”, e cila për nga programi ishte pionierja e “Mbrojtjes kombëtare” që krijoi Osmën Haxhiu në Kuvendin e Kongresit të Lushnjës 1920, duke i popullarizuar ato gjithandej drejtpërsëdrejti, por edhe nëpër faqet e gazetave të kohës. Në epopenë e Luftës së Vlorës 1920 Halim Xhelo u radhit me luftëtarët e çetës së Tërbaçit, ku tregoi trimëri të rrallë. Më pas për këtë luftë legjendare, ai do të mbushte faqet e gazetave “Politika”, “Liria kombëtare” etj. Përmasat e kësaj lufte shpëtimtare ai i përshkruan kështu në pak rreshta: “Në pati Greqia një Spartë e Thermopile, Shqipëria e re ka një Labëri dhe Qafat e Koçiut”. Në 1920-1924, Halimi edhe për nga mosha edhe për nga pjekuria, formohet si një demokrat revolucionar i radhëve të para. Së toku me Avni Rustemin, Riza Cerovën, Ali Kelmendin dhe atdhetarë të tjerë formojnë Shoqatën “Bashkimi”, e cila propagandonte ide demokratike, përparimtare dhe zhvillimet e ekonomisë së vendit. Në këtë periudhë është për t’u përmendur takimi me Fan Nolin në Tepelenë, ku Halimi ishte me detyrën e sekretarit të Nënprefekturës, si dhe fjalimi gjithë pathos e përkushtim që mbajti mbi varrin e Avni Rustemit në Vlorë. Pas kësaj ai radhitet ndër luftëtarët e parë të Lëvizjes Demokratike të Qershorit 1924 dhe në mbrojtjen e qeverisë që ajo nxorri. Pas dështimit të saj, Halimin do ta shohim student në fakultetin e Shkencave Politike e Shoqërore në Francë, ku për disa vjet kaloi një jetë të gjallë politike dhe atdhetare, demaskoi fashizmin që kishte lindur dhe në Gjenevë bashkë me Omer Nishanin drejtuan gazetën “Liria kombëtare”, mori pjesë në konferencën e grupeve politike të shqiptarëve të mërguar, ndihmoi për dërgimin e forcave vullnetare në Francë, vazhdoi të luftonte sistemin çifligar e feudal që sundonte në Shqipëri dhe militoi në grupet komuniste jashtë Atdheut. Në kohën e nënshkrimit të Aleancës Italo-Shqiptare, Halimi iu drejtua me një telegram Musolinit në emër të djalërisë shqiptare, ku ndër të tjera thekson: “Mos pandehni se Shqipëria ka mbetur e shkretë. Shqiptarët nuk durojnë dot zgjedhë. Ata me luftë e me gjak do të përmbysin të gjitha përpjekjet tuaja si më 1920.”
Patrioti demokrat Halim Xhelo u nda nga jeta më 7 shkurt 1937, duke qenë në kurim jashtë shtetit. Ai la pas 2 djem: Nysreti, i cili doli partizan me çetën e Rinisë dhe në Brigadën V Sulmuese. Gjatë luftimeve ai ra dëshmor i Atdheut. I vëllai Sazani ka qenë pjesëtar i LANÇ dhe pas çlirimit të Atdheut dha kontributin e tij në Aviacion. Për nder të Halim Xhelos, një çetë dhe më pas një batalion partizan u pagëzuan me emrin “Halim Xhelo”. Kuvendi Popullor i ka dhënë dekoratën më të lartë Hero i Popullit.