NË TELEFON ME LEFTER ÇIPËN…
– duke folë në telefon,
nga ballkoni, në ballkon-
Ma mundësoi Krilediani, i nipi, telfonatën e sotme me Lefter Çipën, njeriun e madh të këngës e poezisë, bardin e gjallë të Bregut e Labërisë.
Me Çipën e vogël, se kështu e thërrisja kur punoja në Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Kriledianin, djalin e Kristo Çipës, të vëllait të Lefterit, e patëm lënë që në ditët e para të Marsit, mbasi kish lënë spitalin në Tiranë, ti bënim një vizitë në shtëpinë ku rron, në Himarë
Madje u nisëm por për shkak të një difekti në makinë e shtymë për dy, tri ditë më pas.
Sakaq u shpall gjëndja e jashtëzakonshme për shkak të pandemisë dhe…rrugët u prenë.
Lefteri nuk merret me celularë po sot Krilediani, duke e ditur merakun tim, duke u ndodhur për një vizitë në shtëpi më mundësoi edhe mua një bisedë të dëshiruar.
Ay Lefter që kisha patur rastin të flisja ca kohë të shkuara gjatë një vizite në shtëpinë e tij me Orgestin, drejtuesin e trashëgimisë kulturore rajonale të Vlorës.
Ay përsëri në ballkonin e shtëpisë së tij aty në Himarë, ku Flamuri kombëtar valëvitet pa prerë, e unë në ballkonin e banesës time në Vlorë prej nga ku një flamur po kombëtar valëvitet në një shtyllë gjigande në rreth-rrotullimin plot lule e gjelbërim, në Skelë.
Vajtëm nga vajtëm dhe prapë te kënga, te meraku e dashuria e tij e përjetshme.
Ruajeni këngën, gërmoni për të prurë ato vargje e krijime që i kanë rezistuar kohës- më tha. Mos e molepsni me ca vargje e melodi që po e nxjerrën nga binarët e trashëgimisë.
Ka pa hesap këngë që kanë marrë autorësinë e popullit por që janë lënë mënjanë e flënë sepeteve – ishte porosia.
Siç janë edhe lirikat e tua të mrekullueshme – ja ktheva kur pashë modestinë e tij proverbiale.
Folëm gjatë për këngët, për miqtë e përbashkët të krijimit e këngës për të cilët më tha tu përcillja të falat e tij të përmalluara.
Dhe mbajuni – më tha. Do kalojë edhe kjo e keqe që na ka rënë. E prapë do takohemi për të mira e këngë…
I madhi dhe krejt i veçanti Lefter Çipa me të cilin edhe një bisedë përmes telefonit të bëhet si një kuvendim odaje, ose si të ulur mbi një shkëmb bregdeti.
Apo lart, në potonët ndënë rrapit të Pilurit.
Vlorë; 15.04.2020