(Intervistë me piktorin kallaratas në Itali, Fatos Caush Ribaj)
Intervistoi: Besnik GJONBRATAJ
Piktori, Fatos Caush Ribaj, me origjinë nga Kallarati, u lind në Vlorë më 25 shkurt 1969 dhe aktualisht prej gati 30 vjetësh, si shumë shqiptarë, jeton në Itali.
Fëmijërinë dhe periudhën e adoleshencës i kaloi në Berat, pasi i ati ishte ushtarak.
Pasioni ndaj pikturës bëri që të kryejë shkollën e mesme në Liceun Artistik në Berat dhe mandej Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, dega Pikturë, të cilën për shkak të lëvizjes demokratike të studentëve në vitet 90-të nuk e përfundoi, por emigroi në Itali, jo për arsye ekonomike, por siç shprehet vetë Fatosi, “Për të vetmin motiv që ishte dëshira e lirisë dhe e demokracisë e idealeve që në atë kohë mungonin”. Në Itali për një periudhë të vogël kohe kreu punë nga më të ndryshmet e të vështirat, derisa ra në kontakt me artistë e piktorë italianë e filloi të ushtrojë profesionin e ëndërruar të piktorit. Fatosi tregon se piktura e parë publike e tij, e cila i dha një shtysë e fortë për të vijuar profesionin e piktorit, ishte ajo e gjyshes së tij, Pajame Ribaj, paraqitur për konkurim në Institutin e Lartë të Arteve, e cila u vlerësua shumë për nivelin e lartë artistik.
Ndër stilet më të preferuara të pikturës për të janë: portreti, peizazhi dhe kompozicioni, por kohët e fundit ka filluar të eksperimentojë me mjaft sukses pikturën abstrakte, duke mos lenë mënjanë dhe peizazhin.
Ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive e individuale në Itali, Francë dhe Austri, ku ka fituar shumë çmime si: “Raffaello Sazio” në Firence, “Giorgio Vassari” në Grosseto, “Michelangelo Buonarroti” në Romë, “Cristoforo Colombo” në Genova e shumë çmime të tjera. Pikturat e tij sot ndodhen në galeritë më të njohura të Italisë si: galeria “Orler”, në Venezia, galeria “Malinpensa” në Torino dhe galeria “Meringi” në Genova dhe disa prej tyre dhe në Amerikë.
Edhe pse familjarisht i vendosur në Itali, Fatosi nuk e harron kurrë, Kallaratin, Vlorën dhe Beratin dhe është i gatshëm të kontribuojë, qoftë me hapjen e një ekspozite personale në Tiranë dhe Vlorë, ndërsa për Kallaratin, vendlindjen e të atit, Caushit, që sa ishte gjallë e deshi aq shumë, pikësynimi i tij është të pikturojë ”Fshatin e Djegur”, siç ka qenë para djegies nga andardët grekë më 1914, me shtepitë e tij karakteristike e të bukura, të ndërtuara në pllajë, rrëzë Bogonicës.
Ajo që më shtyu të bëjë këtë intervistë me Fatosin, ishte një mesazh i tij në facebook-un e shoqatës “Kallarati”, në të cilin shkruante: “Jam Fatos Ribaj nga Kallarati, djali i Caush Ribaj. Prej 30 vjetesh jetoj në Itali, doja që të bashkëpunoja dhe kontribuoja edhe unë për fshatin tim të të parëve të mi dhe të fëmijërisë time. Kallarati me të vërtetë është një fshat i vogël, por me vlera të medha njerëzore, patriotike dhe historike. Ndikimet e mia për të pikturuar i kam që në vegjelinë time kur sodisja malet dhe bregoret e Kallaratit dhe gjithë zonës tonë të lumit të Shumicës. Jam krenar që gjaku im e ka prejardhjen nga ai vend fisnik. Atje në Kallarat në kohën e pushimeve të shkollës u burrërova dhe u forcova qoftë me vështirësitë e qoftë me fisnikërinë e atyre njerëzve të mirë dhe të dashur, të cilat më shërbyen në jetën e vështirë të kurbetit, prandaj sa herë vij në Shqipëri, patjetër do të kthehem në Kallarat për t’u shmallur dhe për të kujtuar vitet e mia të vegjelisë”- përfundon mesazhin Fatosi.
Për më tepër rreth jetës dhe ushtrimit të profesionit të piktorit, le të ndjekim intervistën e mëposhtme, dhënë me kënaqësi nga Fatosi për gazetën “Kallarati”.
Si u lindi dëshira për t’u bërë piktor dhe cilat ishin shtysat për këtë zgjedhje?
Dëshira për t’u bërë piktor më tepër ka qenë një prirje nga rethanat që më janë krijuar që në vegjëli, jo se kam trashëguar diçka në këtë drejtim nga prindërit ose të afërmit. Natyra e bukur dhe e ashpër kur shkoja me pushime në vendlindjen e babit në Kallarat, ka ndikuar jo pak, por që u përforcua akoma më shumë në qytetin e Beratit, ku kalova vitet e vegjëlisë dhe të adoleshencës, në qytetin e “Një mbi një dritareve” siç quhet. Aty u frymëzova edhe më shumë dhe fillova të bëj vizatimet e para, ashtu thjesht në letër ose më saktë në fletoren e vizatimit të asaj kohe.Vizatimet e para në letër ndikuan pastaj që unë të konkuroja për në shkollën e mesme në Liceun Artistik të Beratit, të clën e përfundova 1987. Më vonë vijova shkollën e lartë në Institutin e Arteve në Tiranë, dega Pikturë, të cilën edhe pse nuk e përfundova, për shkak të lëvizjeve demokratike të viteve 90-të, mora një formim më të plotë profesional, se të bëhesh piktor e ta meritosh këtë emër nga publiku, duhet një punë më e gjatë.
Cilën konsideron si pikturën e parë të daljes tuaj në publik dhe si e zgjodhët?
Dalja e parë në publik, flas për ekspoziatat e para që organizoheshin në shkollë ka qenë një portret i gjyshes time, Pajame Ribaj, një grua labe, një nënë dhe gjyshe shumë e veçantë për mua. Kur ajo vinte te ne në Berat, duke qenë ulur në kolltuk, i bëja shumë vizatime. Gjyshja ishte nje nga modelet e mia të preferuara, se ajo rrinte kohë të gjatë e ulur ne kolltuk, duke folur me ato fjalët e ngrohta e tepër të ëmbla me pjesëtarët e familjes time dhe unë gjeja mundësinë për ta pikturuar duke skicuar në letër portretin e saj që me të drejtë do ta quaja portreti i “Nënës Labe”. Portreti i saj u vlerësua si një pikturë e veçantë dhe me nivel të lartë, ajo ishte një pikturë me stil impresionist dhe jo realist. Edhe sot që kanë kaluar shumë vite ndihem shumë i lumtur që realizimi i portretit të gjyshes më dha nxitjen që pasionin tim për pikturë ta vazhdoj më tej. Si gjithëmonë gjyshet për nipërit dhe mbesat mbeten idhuj në jetë
A mundët në Shqipëri të ushtronit profesionin e piktorit?
Nga Shqiperia kam ikur shpejt, aty nga viti 1991 dhe nuk pata kohë dhe mundësi reale për të ushtruar profesionin e piktorit. Në Liceun Artistik të Beratit dhe në auditoret e Institutit të Lartë të Arteve, unë mora bazat e para të pikturës, të cilat me vajtjen në Itali më ndihmuan jashtëzakonisht që të ushtroj me shumë qejf e pasion profesionin e bukur të piktorit.
Si përfunduat në Itali, shkuat si emigrant për arsye ekonomike për të punuar ku mundet, apo si një mundësi për të ushtruar profesionin e piktorit?
Vitet 90-të më gjetën në auditoret e Institutit të Arteve. Ishte koha kur lëvizja studentore dhe mbarë kombëtare ishte ngritur në këmbë ndaj sistemit komunist. Proceset demokratike sollën mundësinë për të lëvizuar edhe jashtë kufijve të vendit, e cila më parë ishte e pamundur. Ashtu si shumë të rinj shqiptarë edhe unë u nisa drejtë Italisë, jo për arsye ekonomike, por për të vetmin motiv, që ishte dëshira e lirisë dhe e demokracisë, e idealeve që në atë kohë mungonin osé më saktë sa kishin filluar të shfaqeshin në vendin tonë. Flitet për kohën kur bëheshin ndryshimet e mëdha politike dhe shoqërore, kur diktatura po zëvendësohej me demokracinë, ishte viti 1991. Nuk kisha probleme ekonomike, ishte një moment epokal për gjithë vendin tonë.
Si u krijuan për ju mundësitë e ushtrimit të profesionit të piktorit në Itali?
Në Itali kur erdha gjeta një realitet krejt tjeter. Për një emigrant nuk ishte e lehtë. Në fillim u detyrova të bëja punët më të rënda, që nuk më kishin shkuar kurrë ndërmend, por isha i detyruar për të përballur jetesën. Gradualisht me ambientimin me vendin, me rregullat në komunitet, arrita të njihem me artistë dhe njerëz të artit dhe të kulturës italiane, ku fillova të frekuentoja edhe vajtjen në veprimtari të ndryshme në shoqata artistësh. Kjo gjë më ndihmoi që më vonë të më krijohen hapësira të ushtroj profesionin e piktorit për të cilën ëndërroja.
Kë lloj pikture pëlqeni më shumë dhe pse?
Për artistin, arti nuk njeh kufi për të vetmin motiv, dëshirën për t’u shprehur nëpërmjet tij. Por kam kaluar disa etapa të ndryshme të stileve të pikturës. Më ka pëlqyer shumë portreti, peisazhi dhe kompozicioni. Në Itali fillova të pikturoja peisazhe të ndryshme nga natyra e vendeve ku kalova dhe pjesën më të madhe të jetës time, por këto peizazhe i bëja me një frymë nga vinte prejardhja ime, pra Shqipëria dhe mbresat e kujtimet që më kishin ngelur në mendje e zemër i transmetoja në këto peisazhe. Kohët e fundit po esperimentoj pikturën abstrakte, duke mos lenë mënjanë dhe peisazhin. Janë faza që piktori kalon në veprimtarinë e tij artistike, për të gjetur vetveten dhe për të krijuar origjinalitetin e tij në fushën e artit.
Duke qenë se aplikoni më shumë pikturën abstrakte, çfarë është piktura abstrakte, cilat janë tiparet kryesore të saj?
Piktura abstrakte është një shprehje artistike si gjithë të tjerat, por me të vetmin ndryshim që ka të bëjë me ndjenjat e brendëshme të autorit. Ajo është një improvizim i momentit dhe nëpermjet saj piktori kërkon të komunikojë me shikusin pa një ide të qartë vizive, por shumë domethënse nga ana mendore.
A e pëlqen publiku pikturën abstrakte?
Kjo varet nga publiku. Në përgjithësi piktura abstrakte sot njihet si një art modern që paraqet të sotmen dhe të rinovuarën në shoqërinë tonë, që nxiton sa më shumë për arritur atë që mungon dhe për këtë arti abstrakt është pasojë e frenësisë së jetës së përditshme. Kjo gjë e bën pikturën abstrakte që të pëlqehet nga të gjitha shtresat e shoqërisë.
Ç’përfaqëson rryma e Abstraksionizmit dhe si konsiderohej ajo në Shqipëri para viteve 90-të dhe sot?
Arti modern abstrakt është një rebelim ndaj artit të mëparshëm figurativ, hedh poshtë të gjitha regullat akademike të krijuara gjatë gjithë historisë mijravjeçare të tij dhe për këtë motiv bëhet akoma dhe më tërheqës. Në Shqipëri arti abstrakt ka qenë i panjohur dhe për më tepër i ndaluar. Para viteve 90-të, arti abstrakt konsiderohej si një frymë borgjeze dhe kapitaliste, kurse sot do të thoja që ka hyrë dhe interpretohet nga shumë artistë të njohur shqiptarë si brenda dhe jashtë vendit.
Kush janë përfaqësuesit botëror më në zë të kësaj rryme në të kaluarën dhe sot?
Arti abstrakt ka filluar të shfaqet që në fillim të shekullit 19-të dhe autorët e parë kanë qenë: Jane Vasili Kandisky dhe Zhak Delaunay, të cilët hapën rrugën e pikturës moderne abstrakte.
A ke marrë pjesë në ndonjë ekspozitë në Itali, apo qoftë edhe vend tjetër? Po ndonjë çmim a ke fituar?
Po kam marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive në shumë vende të Italisë, Francës dhe Austrisë. Në këto ekspozita kam marrë edhe shumë çmime me emrat e piktorëve të medhenj italianë si: “Raffaello Sazio” në Firence, “Giorgio Vassari” në Grosseto, “Michelangelo Buonarroti” në Romë, “Cristoforo Colombo” në Genova e shumë çmime të tjera. Pikturat e mia sot ndodhen në galeritë më të njohura të Italisë si: galeria “Orler”, në Venezia, galeria “Malinpensa” në Torino dhe galeria “Meringi” në Genova dhe disa prej tyre dhe në Amerikë.
A keni mundur të hapni ndonjë ekspozitë vetjake në Itali? Nëse po, si është pritur nga publiku dhe kritika italiane?
Po kam hapur disa ekspozita vetjake ne Itali dhe pikturat janë pritur mjaft mirë nga publiku, por edhe nga kritika, që e cila ka shkruajtur edhe në disa revista e gazeta lokale, por edhe nacionale.
A është e vështirë për një të huaj ose më saktë për një shqiptar të konkurojë piktorët vendas Italiane?
Jo aspak e vështirë. Në art nuk eksizton fjala i huaj, kush është i talentuar pëlqehet dhe konkuron pa asnjë lloj dallimi. Arti në përgjithësi është e vetmja gjuhë e përbashkët që lidhë e i bashkon të gjithë popujt e botës. Arti nuk njeh dallim race, kombësie, feje dhe ideje.
A janë italianët dashamirës ndaj shqiptarëve, në veçanti për ata që merren me art, siç jeni edhe ju?
Në një vend të huaj mund të ndeshesh me shumë probleme të ndryshme, siç është edhe ai i racizmit, por do të thoja që varet shumë edhe nga individët që ndesh përpara. Italianët janë popull me kulturë dhe në përgjithësi respektojnë Shqipërinë dhe shqiptarët, edhe pse individë të veçantë do të thoja, kanë bërë edhe poshtërsira, ku u ka shkelur këmba. Por një popull me kulturë siç është Italia di të ndajë “shapin nga sheqeri” siç i themi neve në gjuhën popullore. Nuk janë të paktë ata artistë, sportistë, por edhe profesione të tjera siç u evidentuan kohët e fundit mjekët shqiptarë, që kanë patur talent dhe nuk janë parë asnjëherë se janë shqiptarë, pasi talenti e çan vetë rrugën e artit, shkencës, kulturës, sportit dhe për të kanë nevojë të gjithë.
A jeni i pranishëm në mediat italiane?
Po qe se ia vlen të evidentohesh për publikun, media vjen e të gjen vetë. Edhe unë jam thirrur në disa media italiane për intervista, ku janë prezantuar me ekspozitat personale osé kolektive qofshin ato. Por për një artist nuk është e rëndësishme dalja në media. Ajo që është më e rendesishme, eshte arti i tij osé veprat që ai krijon. Për një artist duhet të flasin veprat se sa ai vetë.
A keni ndonjë shifër të pikturave të tua? Ku ndodhen sot ato?
Nuk dua të krahasohem me artistët e mëdhenj që kanë lënë me të vërtetë kryevepra në krijimtarinë e tyre, por do të thosha që është e rëndësishme vlera që ato kanë dhe më kryesorja sa ato i perballojnë kohës. Kjo është vlera e vërtetë e një vepre arti. Pikturat e mia sot ndodhen në galeritë më të njohura të Italisë si: galeria “Orler”, në Venezia, galeria “Malinpensa” në Torino dhe galeria “Meringi” në Genova dhe disa prej tyre dhe në Amerikë.
Përveç kënaqësisë profesionale të marrurit me art, pikturë, a të jep fitim financiar?
Në radhë të parë piktura dhe arti në përgjithësi të jep kënaqësinë shpirtërore, që nuk ta japin eurot dhe dallarët sado shumë qofshin ato. Por megjithatë si çdo punë e profesion tjetër edhe profesioni i piktorit ka të ardhurat e veta financiare, që janë të nevojshme për të jetuar vetë dhe familja. Por do të thoja se, për një artist që trajton tema jo komerciale, për një artist që dëshiron të pasqyrojë vetveten në art, rruga e artit për të është më e vështirë se sa e dikujt që bën panorama osé që kopjon artistë të tjerë.
Në itali ka plot shqiptarë, njerëz të sportit, artit e kulturës që kanë bërë emër, po veç jush, a di të ketë ndonjë tjetër piktor të dëgjuar?
Për piktor nuk di të ketë shumë. Këtu ku jetoj unë ka emra të njohur si, piktori i mirënjohur Sali Shijaku. Por piktori që ngre në piedestal emrin e shqiptarit, është emri i Ibrahim Kodrës, një nga piktorët më në zë e të njohur të viteve 50-të, 60-të e 70-të. Ai është piktori më i dëgjuar i të gjitha kohërave në Itali si shqiptar.
Si shqiptar që jeton në Itali prej vitesh, si u ndjetë kur 30 mjekët dhe infermierët shqiptarë erdhën në Itali për të ndihmuar kolegët e tyre në përballimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19?
Po u ndjeva mjaft mirë që shqiptarët u treguan të gatshëm për të ndihmuar popullin italian në përballimin e pandemisë, shkaktuar nga COVID-19. M’u kujtuan vitet e vështira të eksodit të shqiptarëve pas 90-ës, kur italianët na pritën në gjirin e tyre dhe na ndihmuan pa kushte, gjë të cilën vazhdojnë ta bëjnë edhe sot në drejtime të tjera, siç është ajo për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Fjalët e Kryeminsitrit tonë “Shqipëria nuk është një vend i pasur, por gjithashtu nuk është një vend me memorie të shkurtër”, patën jehonë të madhe në mediat dhe opinionion italian. Një fakt i tillë të gjithë ne shqiptarëve, që jetojmë në Itali na bëri krenar që jemi shqiptar.
A ke në plan për të hapur ndonjë ekspozitë në Shqipëri.
Po, një nga ëndërrat e mia është ajo që të hapë një ekspozitë në Shqipëri e sidomos në Vlorë, në qytetin tim të lindjes.
Megjithëse jeni rritur në Berat, pasi babai juaj ishte ushtarak, por origjina juaj është Kallarati, sa kallaratas e ndjen veten dhe sa shpesh shkon atje? Çfarë mund të kujtosh për të afërmit e tu atje, por në përgjithsi për njerëzit dhe natyrën e bukur?
Jam krenar të kem origjinën nga Kallarati për faktin që kam kaluar ato vite të fëmijërisë, ku u rrita nën përkujdesjen e gjyshes time aq të mirë e aq gojëmbël, siç ishte Pajame Ribja dhe të xhaxhait tim Hekuran Ribit, njeri shumë punëtor e i thjeshtë, njeri pa llafe dhe me shpirt sakrifice, që asnjëherë nuk u largua nga Kallarati. Dhe për këtë motiv unë e quaj veten kallaratas me plot gojën, paçka se kam jetuar dhe kam mbaruar shkollën në Berat.
E shikoj që ke nostalgji e mall për Kallaratin, çfarë mendon se mund të bësh për Kallaratin, gjithmonë e lidhur edhe me profesionin tuaj të piktorit?
Po është e vërtetë. Për Kallaratin kam shumë mall e nostalgji. Sa herë që kthehem në Vlorë dëshira ime është gjithmonë të vete dhe të çmallem me ato shtufe, të shikoj atë mal të bukur të Bogonicës që ngrihet si një shqiponjë me dy krahë të hapura, që duket sikur do ta mbrojë nga e keqja atë fshat. Një nga dëshirat e mia do të ishte të pikturoja “Fshatin e Djegur”, ashtu siç ka qenë para djegjes së tij nga andardët grekë në vitin 1914, me shtëpitë e tij të bukura, i vendosur në një pllajë rrëzë Bogonicës. Por do të kisha nevojën e një gojëdhënësi për të rrëfyer se në çfarë mënyre dhe ku ndodheshin pak a shumë fiset e kallaratasve. Ky është pikësynimi im dhe kam besim se do ta realizoj.
Babai juaj Caushi, i ndarë nga jeta para kohe, përveçse një ushtarak i zoti, prind i shkëlqyer, ishte shumë i dashur me njerëzit e në veçanti me bashkëfshatarët e tij kallaratas. Çfarë kujton sot për të dhe çfarë cilësish mendon se ke trashëguar prej tij?
Për babain tim, ndjesë pastë, do të thosha që ishte një baba i rrallë, jo se ishte babai im, por ashtu ishte. Ishte një baba që ne fëmijëve na trajtonte si shokë e jo si baba. Ai nuk mërzitej asnjëherë, ishte gjithmonë buzagas dhe nuk e nxirrte asnjëherë fjalën e keqe nga goja. Ishte i dashur me shokët dhe bashkëfshatarët e tij dhe sa herë takohej me ta gëzohej pa masë sikur t’i kishte vëllezërit e tij. Mendoj, që karakteri i tij emocionant, të ketë lenë gjurmë në jetën time artistike. Ai ishte me emocione të mëdha si një artist. Ky ishte babai im, Caush Ribaj, i cili më mungon shumë.
Po nga nëna juaj Zelihaja, bijë nga Bolena, e cila jeton me ju në Itali, çfarë ke marrë?
Nga nëna ime mendoj se kam trashëguar karakterin e fortë dhe të palëkundur. Ajo i qëndroi besnike dhe i shërbeu me shumë devotshmëri babait tim gjatë gjithë kohës që ai lëngoi nga sëmundja e gjatë. Ajo sakrifikoi gjithçka për t’u përkujdesur për të dhe për t’i dhënë sadopak shpresë për t’u përmirësuar, por fati nuk e deshi, sëmundja e rëndë më në fund i mori jetën. Megjithatë ajo nuk u përkul asnjëherë deri sa ai mbylli përgjithmonë sytë.
Cila është familja juaj, por diçka edhe për motrën dhe vëllezërit?
Familja jonë është një familje e thjeshtë, pa shumë lëvdata dhe bujë. Unë me dy vëllezërit e tjerë, Sokolin dhe Boron, ikëm shpejt që të vegjël në emigrim, ku u ndeshëm me shumë rebeshe dhe stuhira të jetës së emigrantit, por tani kemi krijuar familjet tona dhe jetojmë në harmoni me njëri – tjetrin, kemi dhe një motër në Tiranë, Eraldën, e cila edhe ajo ka krijuar familjen e saj. Jemi ca të larguar e ca në Shqipëri dhe mezi presim të të vijë vera, të hapen rrugët e të çmallemi si gjithë shqiptarët e tjerë në mërgim. Ndërsa familja ime përbëhet nga bashkëshotja Irena, vajza Irisi dhe djali Klajdi. Mendoj se bëjmë një jetë të thjeshtë, modeste, por të bukur dhe ndihemi përherë të lumtur.
Ndonjë mesazh për kallaratasit?
Mesazhi im për kallaratasit është: “Të vazhdojnë kështu si përherë, të duan njeri – tjetrin dhe kudo që ndodhen të ngrenë akoma më lartë krenarinë e Kallaratit dhe t’u tregojnë edhe njerëzve të tjerë, që Kallarati ka qenë dhe është një fshat i bukur me njerëz të mirë, të urtë, punëtorë, bujarë e mikpritës, me dëshmorë e heronj të lavdishëm në shekuj në historinë e gjithë Lumit të Vlorës, që nuk u përkulën asnjëherë përpara turkut, grekut, gjermanit dhe italianit dhe mbi të gjitha mbijeton gëzimi e hareja e krenaria për t’u quajtur kallaratas. Motoja e shoqatës “Ec ngado, por Kallaratin mos e harro!”, le të na shoqërojë të gjithëve, në veçanti atyre si puna ime, që jetojnë e punojnë jashtë atdheut”.
Faleminderit,
Intervistoi: Besnik Gjonbrataj