Ana e panjohur e Pëllumb Piperos/ Mjeku infeksionist rrëfen me emocion sekretet e jetës

Prej më shumëse katër muaj mjekun e njohur infeksionist Pëllumb Pipero e shohim në çdo ekran duke dhënë këshilla e duke përsëritur rregulla.

Nuk mërzitet kurrë duke iu drejtuar publikut dhe të gjithë qytetarëve të jenë vigjilentë dhe të zbatojnë rregullat: “Virusi është pranë nesh, të jemi të kujdesshëm…” – vijon ai sa herë del në një ekran.

Nga një mjek infeksionist në Shërbimin Infektiv në Tiranë, në heroin e të gjithëve, për plot katër muaj me radhë, Pipero erdhi si piperi në tryezën tonë për t’u kthyer në njeriun e shpresës.

Me qetësinë që e karakterizon gjithmonë… Si edhe sot, me shumë qetësi, ndërsa rrëfeu anën tjetër të vetes në “Rudina”. I lindur në Skrapar, në një familje me shumë halle, kur ishte në moshë fare të vogël, familja e Pëllumb Piperos u tranferua në Vorë.

Aty, mjeku përfundoi me rezultate të shkëlqyera shkollën 8-vjeçare dhe të mesme shkruan Class.

Pas një viti stazhi pune, nisi studimet e larta për mjekësi në Tiranë, me shumë vështirësi, por me një bursë që ndihmoi të gjithë familjen asokohe. Në vitin e tretë të studimeve të larta, Pipero humbi të ëmën kur ajo ishte vetëm 40 vjeç. Vëllai më i vogël ishte 5-6 vjeç.

Babai nuk u martua më dhe të gjithë bashkë iu përkushtuan njëri-tjetrit: “Nëna na la shumë herët.

Ka vdekur 40 vjeç, vëllai i vogël ishte 5-6 vjeç, babai nuk u martua më. Atë bursën që merrja e ndaja me të gjithë. Isha në vit të tretë në fakultet.

Natën punoja në fabrikën e tullave në Vorë, ndërsa ditën ndiqja shkollën… Pasi mbarova studimet e larta me mesatare shumë të mirë, afro 9.9, u propozua që të më mbanin aty, por nuk funksionoi. Edhe asokohe duhej një referim…”, – kujton Pipero.

Fill pas kësaj kohe, e kërkon mjek Spitali Ushtarak, në të cilin pak kohë më vonë do të njihte edhe njeriun e jetës së tij. Moza, sot bashkëshortja e mjekut, vazhdonte shkollën e mesme për infermieri, por në pushimet verore punonte në Spitalin Ushtarak:

“Ishte shumë simpatike dhe shumë e shkathët…” – tregon Pipero pak i sikletosur. Nuk e dinte që vetëm pak kohë më pas, do të largohej që aty për t’u transferuar në mjekun e një reparti ushtarak. Por tashmë me një peng: “Më çuan doktor në një repart ushtarak, por ishte një periudhë e keqe. Kalova në depresion. Halle të mëdha në familje, halle në jetën personale…”

Por do të kalonte kjo fazë e mjeku e gjeti veten sërish në Tiranë, ku do të krijonte familje. Sot, baba i dy fëmijëve të mrekullueshëm dhe gjysh me nip e mbesë, Pipero ndihet i plotësuar:

“Kam një familje të mrekullueshme. Ju më pyetët sa vite kam i martuar, por mua më duket sikur kam lindur me Mozën”, – thotë me të qeshur duke vijuar të flasë me adhurim për vajzën dhe djalin, të cilët, ashtu si ati, kanë vijuar e kanë shkëlqyer në rrugën e tyre.

Megjithatë, familja e Piperos ka marrë një vendim gjatë kësaj periudhe pandemie: “Familja ime ka marrë një vendim, të mos jetë pjesë e medias. Ata e kanë quajtur sfidën time”, – thotë mjeku, por thekson se ky është vendim i përkohshëm, sepse në një moment të dytë, edhe ata mund të jenë pjesë e medias…

Loading...