Pas perlave të Laver Bariut të madh, ajo vazhdon përcillet edhe sot nga këngëtari Vaskë Curri, i njohur për publikun e mbarë Shqipërisë me baladat dhe ëmbëlsinë e këngëve të pastra të trevës së Përmetit.
Vaskë Curri cilësohet si “Bilbili i Përmetit”, për veçantinë e zërit të tij! Megjithëse ka vite që këndon, ende sot, ai është mjaft aktiv në skenat shqiptare, në koncerte brenda dhe jashtë kufijve.
Përpara kësaj interviste, ndodhej në një koncert në Athinë dhe së shpejti do të udhëtonte përsëri, drejt një tjetër aktiviteti me muzikë të pastër popullore.
Si kanë qenë fillimet tuaja me këngën popullore?
Unë kam lindur në Leshicë, një fshat me shumë tradita në Përmet. Shkollën e mesme e kam mbaruar për degën elektrike në vitet 1972-1974, por më pas ndoqa një kurs profesional, – siç ishte në ato kohë, – për kanto. Edhe në ato vite kishte kurse për mjeshtërinë e këngës e unë kam ndjekur disa prej tyre në Përmet, Gjirokastër e Tiranë. Kënga popullore ishte për mua pasion që në vegjëli dhe traditë familjare, që unë e vazhdova. Në vitin 1978, ishte dhe pjesëmarrja ime e parë në festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Më pas kam marrë pjesë në festivale të këngës qytetare si ai i Elbasanit apo festivalet e sazeve në Përmet, Korçë, Gjirokastër e Tiranë. Pas viteve ’90, erdhën dhe turnetë jashtë kufijve, ku kam pasur fatin të këndoj për shqiptarët në mbarë botën, deri në Australi.
Por publiku ka pak informacion se ju edhe shkruani këngë popullore…
E vërtetë. Njihem më tepër si këngëtar e interpretues, por jam autor i rreth 15 këngëve popullore, – mes tyre edhe “Malli për atdhe” dhe “Këngë për Laver Bariun” që njihen më së shumti.
Pse nuk jeni shkëputur asnjëherë nga qyteti juaj, Përmeti?
Unë kam disa shtëpi në Tiranë, kam dhe vajzat këtu, vij shpesh i takoj. Por zemrën e kam në Përmet. Aty kam tokën e të parëve, tokën time dhe shtëpitë në fshat. Kam një fermë me vreshta dhe perime, mjaltë dhe fruta. I gëzohem natyrës së mrekullueshme, ajrit të pastër dhe njerëzve të pastër. Kopshtarinë e kam pasionin tim të dytë dhe sa herë kthehem nga turnetë nëpër botë, pres me padurim të merrem me të. Aty gjej paqen dhe frymëzimin!
Ndërkohë keni bërë edhe një punë kërkimore-shkencore mbi folklorin e Përmetit, me librin e gjerë përmbledhës me këngë përmetare “Ç’këndokan këta bilbilë”…
Ky libër ishte si një detyrim imi, për të pasqyruar vlerat e këngës dhe traditave përmetare. Shpesh më duket sikur jam pjellë e këngës, sikur kam lindur prej saj. U rrita me të dhe sot ndihem i lumtur! Është rrjedhojë e punës time sistematike, të gjatë, hulumtuese dhe grumbulluese, i të gjithë këngëve që kam interpretuar me shumë dashuri. Pa mendjemadhësi, dua ta them se kënga përmetare është në elitën e muzikës popullore shqiptare!
Kush ju ka qëndruar më pranë në karrierën tuaj?
Kanë shumë kontribut në formimin tim gjyshi, Papa Vangjeli, babai im Aristidhi, mjeshtrit e mëdhenj që dhe sot i kam frymëzim, Mentor Xhemali dhe Laver Bariu, vëllai im Dhimitraqi dhe motra ime Marjanthi, me të cilët kemi kënduar bashkë shpesh herë.
Ju keni tre vajza. Ndonjëra prej tyre, ju ka ndjekur?
Ato sot janë zonja në shtëpitë e tyre, janë nëna dhe bashkëshorte të mira. Por shpesh më thonë se kam bërë gabim që nuk i kam shtyrë të bëheshin këngëtare, si unë.
Një kuriozitet kam, a ka këngë lufte Përmeti, pasi kërkova dhe nuk gjeta.
Jo, ha ha ha. Nuk ka e nuk do të ketë, mendoj. Ne i këndojmë trëndafilave, ujërave të kristaltë, burimeve, fushave me trëndelinë, oborreve me lule, bukurisë së vajzave, amvisave që gatuajnë të mirat që na jep toka dhe natyra. I thurim vargje dashurisë, dehjes prej saj, romantikës së jetës. Por, në fund të fundit, a nuk është kjo jeta? A nuk është kjo arsyeja pse njeriu lufton? Ju tregoj një detaj interesant. Dikur më kërkuan të shkruaja një këngë për diktatorin Enver Hoxha. Ishte detyrim partie e ato kohë punoja në një ndërmarrje. Më mbyllën 6 ditë brenda që ta shkruaja e kompozoja, por nuk e bëja dot. Nuk më dilte zëri e as notat. Ishte torturë! Si përfundim, nuk munda ta shkruaja. Imagjinoni, 6 ditë mbyllur brenda e nuk e munda dot shpirtin përmetar, nga i cili buronin vetëm këngë dashurie!
Si ndihet një këngëtar i brezit tuaj, ne një kohë kur këngët me ritëm gëlojnë?
Po ta them thjeshtë. Ne në Përmet bëjmë shumë gliko dhe sido që të jetë dhe me çfarëdo që të bëhet, ajo është e ëmbël. Ka secila gliko veçorinë e vet, por në thelb ka ëmbëlsinë. Unë i ndjek të gjitha zhanret muzikore, edhe muzikën klasike edhe atë moderne. Ndaj jam përpjekur, në këto vitet e fundit, së bashku me kompozitorë dhe bashkëpunëtorë, ta shkëpus disi këngën përmetare nga tabani i qetë i saj, ta bëj më të dëgjueshme nga publiku i ri, por pa i ndryshuar asnjëherë melodiozitetin e saj karakteristik.
Ju kanë cilësuar, shpesh, si “Bilbili i Përmetit”. Mendoni se jeni vlerësuar sa duhet, nga institucionet e kulturës?
Para viteve ’90, kam marrë shpesh certifikata apo vlerësime. Më pas, u bënë më tepër këngëtarë dhe sikur na kanë anashkaluar ne të brezit tim. Por, ndërkohë, shoh një vlerësim të madh te publiku, edhe ajo që më gëzon më shumë shpirtin, është fakti, se kudo ku vete dhe këndoj, janë një numër shumë i madh të rinjsh që vijnë dhe më përgëzojnë apo dalin në foto me mua. Kjo tregon se më duan edhe brezi i ri. Ky është vlerësimi më i madh që merr një artist! Ato çmimet i var në një mur, por kur merr duartrokitje dhe përgëzime kudo ku shkon, nuk ka çmim që e tejkalon këtë kënaqësi. Sa i takon instancave shtetërore, do t’më vinte mirë të na kujtonin, edhe neve artistëve të brezit tim. Në dijeninë time, unë jam propozuar për një titull të lartë honorifik nga institucionet e larta të shtetit, vlerësim që, edhe pse vonë, e pres me nderim.
Cili është sekreti që ju pëlqeheni edhe sot?
Sekreti jo vetëm i imi, por i të gjithë këngëtarëve që i këndojnë tabanit popullor, është vetëm një: Këngët e popullit janë të pashtershme! Unë kam me qindra këngë që janë ende të padëgjuara nga publiku. Ndoshta nuk e besoni, por mua më shiten ende kasetat që kam bërë në vitin 1976. Shikoj këngët që dalin tani dhe shoh se korrin suksesin momental, por më së shumti këndojnë me kompjuter. Është tjetër gjë muzika e lehtë që i pranon të tilla ndërhyrjet kompjuterike dhe tjetër gjë të tjetërsosh muzikën origjinale popullore. Ky them unë është edhe sekreti im. Unë dhe këngëtarë si puna ime, këndojmë këngë të tabanit, të cilat do të jetojnë edhe 100 vjet të tjera!
Cilat janë projektet tuaja të mëtejshme?
E kam pasur në planet e mia që të kisha mundësi t’u përcillja edhe brezave të rinj dëshirën për të kënduar, por mesa duket është e vështirë të më krijohen kushtet dhe fondet për të krijuar një rreth artistik ku të mësoj fëmijët e vegjël të cilët kanë dëshirë të mësojnë muzikën e tabanit popullor, – qoftë me instrumente, qoftë pa instrument. Pastaj, kam disa projekte të tjera dhe jam i angazhuar me koncerte të ndryshme, por gjithsesi, pres edhe oferta të reja. Një ëndërr e kam, një projekt që fle prej kohësh në mendjen dhe zemrën time, e që e kam propozuar në institucione. Një projekt mbi dasmën përmetare, të bazuar mbi legjendat popullore, me kostumografi autentike, të ambientuar në sokakët e Përmetit, me saze dhe muzikë origjinale. Uroj shumë të realizohet kjo ëndërr!
Çfarë urimi do t’i jepni këngëtareve të rinj?
Këngën të gjithë e duan, por jo të gjithë mund të bëhen këngëtarë. Këngëtar është ai që është në skenë dhe këndon gjithë natën, pa u ngjirur dhe pastonuar. Këshilla ime është të mos harrojnë këngët e tabanit, se vetëm atëherë do të bëhen këngëtarë të vërtetë dhe njeriu duhet të bëjë vetëm atë që di të bëjë më mirë. Pjesa tjetër e jetës së një artisti, duhet të jetë eksperiencë dhe durim. Shpesh mendoj që, pavarësisht se jetoj në një qytet të vogël, kam shëtitur në aq shumë vende sa sikur nga një fjalë të kem mësuar në secilin prej tyre, është një shkollë më vete. Kështu edhe të rinjtë, duhet të bazohen tek eksperienca dhe ta vënë atë në jetë me durim./Gazeta Express