Fatosh Likoj zëri autentik i këngës së Dukatit/ Nga Sejmen Gjokoli

Nga cikli “Visare treshëgimie”

FATOSH LIKOJ, ZËRI AUTENTIK I KËNGËS SË DUKATIT

Me këngëtarin dhe drejtuesin e grupit të Dukatit, Fatosh Likoj, “Mjeshtër i Madh”

Kur e pyet të tregojë se kur është dalja e parë në skenë, Fatosh Likoj të thotë se ka fiksuar dy të tilla. Njëra i takon viteve kur ishte nxënës në shkollën tetë vjeçare dhe tjetrën kur, vite më vonë, do krijonin grupin e tyre me një radhë bashkëmoshatarësh të dashuruar me këngën e vallen e vëndit të tyre.
Ishte vetëm dymbëdhjetë vjeç, në klasën e pestë kur me mësuesen Polieta që u jepte lëndën e muzikës ngritën grupin polifonik të shkollës me të cilin do aktivizoheshin disa herë në koncertet e organizuara nga shtëpia e pionierit të Vlorës.
Kjo deri në mbarim të klasës së tetë mbasi më tej e prisnin aktivitetet e organizuara në shkollën e mesme “Jani Minga”, aty ku do të mësonte e përfitonte edhe profesionin e ndihmës mjekut i cili do ti bëhej bashkëudhëtar i pa ndarë i jetës.
Këtu përveç këngës polifonike që e kishte prurë me vehte do të aktivizohej edhe në grupin e valleve popullore prej të cilit kujton me respekt e nostalgji profesorin e valles, mjeshtrin e koreografisë, Jani Gjergji.
Mbas diplomimit, rreth katër vite pune do ti ndante si ndihmës mjek midis Gorishtit e Ishullit të Sazanit ku edhe këtu kënga do të ishte e pa ndarë, sidomos kur kujton aktivizimin me grupin e Rexhepajt dhe provat që bënin në shtëpinë e atjeshme të kulturës.
Më pas emërimi në vendlindjen e tij do të bëhej përcaktues edhe për këngën me të cilën do të bashkëjetonte pa u ndarë për gati katër dekada.
Eshtë viti 1984, kohë kur do të mblidhte rreth vehtes një grup djem e vajzash nga ku të gjithë bashkë do të nisnin për të shkruar një tjetër histori të këngës së vendlindjes së tyre.
Kohë më parë me rapsodin e drejtuesin e madh Dule Havari dukatasit kishin realizuar disa prej këngëve e valleve maja të Labërisë. Pika Gjoleka kishte “pikuar” një tufë këngësh që ishin bërë hite labërishte të kohës, ndërsa treshja e famshme Gjoleka, Bozhani, Vangjeli i kishte vënë vulën një mënyre të kënduari të pa ngjashme me askënd e të denjë për studime shkencëtarësh folklori.
Kështu grupi që po organizohej duke patur në përbërje edhe disa nga këngëtarët e grupit ekzistues do merrte udhën e bukur të këngës së Dukatit, mbështetur fort në traditën e trashëgiminë autoktone të zonës.
Ishin të gjithë të rinj atë kohë kur me Fatosh Likon u bënë bashkë edhe Idajet Muko, Gëzim Nezha, Petref Habili, Bexhet Bala, Zeqir Habili, Arianit Kulluri, Belo Brahimi, Remzi Allushi, Kujtim Berdaj e Beqir Bela më pas.
Të gjithë djem lastarë, gati vërsnikë, me një pasion e dashuri të madhe për këngën e të parëve të tyre.
Një grup i bukur në këngë, por edhe me kostumet tradicionale, nga koka në këmbë.
Vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeçare ishte Fatbardha Aliçkaj, Maya e këngës së sotme kur si pjesë e këtij grupi, përmes një kombinimi të shkëlqyer me kthyerje të Bexhet Balës e hedhje të Remzi Allushit, në kryeqytetin e vendit do të këndonte persosmërisht një nga këngët perla të të madhes Pika Gjoleka, e regjistruar me zë e figurë nga i vetmi televizion i kohës.
Duke folur për ngjitjet e para në skenë Fatosh Likoj kujton jo pa nostalgji përzgjedhjen për të marrë pjesë në koncertin jubilar të 75 vjetorit të Pavarësisë në Vlorë, në vitin e largët 1987.
Katër javë u shkëputën nga puna, madje edhe nga fshati, të gjithë u grumbulluan në qytetin e Vlorës për përgatitje të koncertit jubilar.
Për tri javë Fatoshi do të kryesonte vallen e burrave të Dukatit ndërkohë që në javën e fundit kur u vendos që vallja të bëhej me gjashtëmbëdhjetë vetë, shaminë e korifeut ja dorëzoi Bego Vangjelit me Leko Gjolekën e Velesin Koshenën, treshen që do të shkëputej më vehte, ndërkohë që vetë do të printe të trembëdhjetët e mbetur të “gjerdanit”.
Të njëjtën gjë me valle do ta përsëritnin edhe gati dhjetë vite më pas kur Fatosh Likoj me shokë në Kalanë e Beratit do të shkëlqenin me vallen e burrave, “Kush e njih Savo Andonë”.
Ndërkohë që këngën e fundit si përzjerje e grupit tradicional me grupin e ri do ta këndonin në Kalanë e Gjirokastrës në vitin 1988 ku duket se edhe në mënyrë simbolike edhe marrësit e këngës u gërshetuan si për të dorëzuar stafetë.
“O Selman ç’i bërë dhëntë” është një nga këngët më të realizuara të Dukatit ku Sulo Bozhani e Remzi Allushi në një kombinim të hatashëm me Leko Gjolekën kthyes e Zeqir Habilin në hedhje i kanë dhënë fondit të këngëve polifonike një perlë të vërtetë.
Fillim shekulli i XXI do ta gjejë Fatosh Likoj jo vetëm një organizator të spikatur të grupit të Dukatit por edhe një korife të pa zvëndësueshëm të këngës labe të kësaj zone, shquar për këngë me shumë traditë e autenticitet.
Është koha kur në grup janë bashkuar edhe Syrja Brahimaj, një nga kthyesit me emër të Labërisë. Bajram Hunda një tjetër marrës tredite e Hysni Kapoj, i njohur jo vetëm si këngëtar por edhe rapsod popullor.
“Pllakosi turku në Vlorë,
Ç’bën që rri Rugjinë e gjorë,
Mblidhi djemtë e bëja forrë…”
Janë disa nga vargjet e këngës “Pllakosi turku në Vlorë” ku Fatosh Likoj me një marrje brilante, tepër potente e me një fuqi elektrizuese do të “mposhte” Kalanë e festivalit kombëtar në të parin edicion të shekullit të XXI, në nisje të tij.
Këtu djemtë e Dukatit me një kombinim e harmonizim të përsosur dhanë edhe një herë një shënjë të fortë se këngën plot nam të të parëve të tyre do ta mbajnë e trashëgojnë edhe shekullit të porsa nisur.
Fatosh Likoj në pozicionin e marrësit, Syrja Brahimaj kthyes si dhe Beqir Velaj hedhës, shoqëruar nga isua e anëtarëve të tjerë të grupit, të gjithë bashkë, si një ansambël tepër unik, kanë realizuar një nga këngët më të spikatura në polifoninë e jugut.
Është një këngë që veç të tjerash flet për një individualitet dhe mjeshtyëri të pa diskutueshme të Fatoshit duke e vendosur atë në plejadën e këngëtarëve më në zë të Labërisë.
Një aradhë këngësh si; “ Pllakosi turku në Vlorë”, “Qyqe që këndon beharë”, “Doli marsi, hyri prilli”, “Ç’ke karaf që tunede shumë”, “Do ja marr këngës dukaçe”, “O Dukat, Dukati ynë”, “Frynte Llogaraja”, “Seç mu prish një ëndërr”, “Bahçeja me trëndelinë”, “Kënga për Beqir Laçen” etj. të kënduara nga Fatosh Likoj mbeten një kontribut i madh jo thjesht në lëvrimin e këngës tradicionale të Dukatit e Labërisë por edhe në tërësinë e vlerave më të mira të iso-polifonisë shqiptare.
Një këngëtar i pa diskutueshëm i përmasave kombëtare sa epik po aq edhe lirik
Një nga risitë e të veçantat e të bukura të Fatosh Likoj si marrës mbeten edhe këngët e kombinuara, këngët që vijnë si dialog me një tjetër marrës.
Duetet polifonike realizuar me një nga këngëtarët e tjerë virtuozë, një tjetër individualitet i këngës së Dukatit, Idajet Muko, mbeten një tjetër pasuri e vlerë shpirtërore në fondin e këngëve më të zgjedhura të kësaj treve të Labërisë.
Dhe këtu duket se të dy, Fatosh e Idajet kanë gjetur vehten si të lindur për këtë mënyrë të kënduari.
Këngë si “Nga Beuni vjen një kartë”, “Kush e njih Dervish Alinë” apo “Thëllëzat në Sotiran”, mbeten ndër më të bukurat ndër afro njëqind këngët e realizuara nga ky grup në një hark kohor afro katër dekada jetë.
Cilësia e veçantë e vokalit të Fatoshit, kthjelltësia dhe ekspresiviteti i thekshëm i fjalës shoqëruar me një interpretim të shkallës sipërore, i japin refrenit e bashkë me të vetë këngës një tjetër fuqi shprehëse si fjalë e melodi.
Fatosh Likoj konsiderohet nga specialistët jo vetëm si një zë i veçantë e me aksent të qartë lab por edhe si një vokal i përpunuar ku krahas notave të ulëta kalon pa stonatura në nota më të larta e shpërthyese por pa deformacione e pa e shkëputur këngën nga “toka”.
Në rini ka patur idhull këngëtarin e madh të brigjeve të Himarës Dhimitër Varfi dhe duket se pa u kuptuar diçka ka marrë nga këngëtari i pa përsëritshëm i brigjeve të Jonit.
Po njëherësh Fatosh Likoj është rritur në një vatër kënge ku, siç thotë ka marrë edhe nga babai që këndonte vetë por edhe nga nëna si bijë e aliçkajve derë kënge.
Sulo Likoj, i jati, ka qenë pjesë e grupit të hershëm të Dukatit, pjesëmarrës në shumë aktivitete e festivale.
Fatoshi na përmend edhe festivalin kombëtar të Lezhës në 1964, ku me këngën “Pesëqind vjet kanë kaluar,
Kapedan, o Skënderbe”, Sulo Likoj e grupi bënë që jo vetëm të mbeten në histori por të vendosin edhe një grur kilometrik në rrugën e ndritur të këngës së këtij fshati me shumë histori po edhe me shumë këngë e trashëgimi.
Fatosh Likoj me shokë po shkruajnë historinë e rë të këngës dukatase duke vazhduar të mbeten një model i të kënduarit në Labëri, me këngë xhani por pa luajtur nga tabani.

Loading...