Humoristi Fadil Hasa ‘miku i të gjithëve’!

Fadil Hasa u lind në Krujë më 8 prill 1940. Ka kryer gjimnazin “29 Nëntori” në qytetin e Shkodrës.

U aktivizua dhe u bë i njohur si aktor me të dhëna të shprehura ndaj teatrit të varietesë qysh me grupin e Estradës Amatore të Portit të Durrësit (1963-1970) ku edhe punonte.

Talenti dhe karakteristikat dalluese si një komik, përkushtimi dhe mprehtësia e prurjes të tipave dhe karaktereve, bënë që ai të thirrej si aktor profesionist në Estraden e Durrësit, nga viti 1970 deri në vitin 1993, kohë kur edhe do të dilte në pension.

Ai pasuron galerinë e tij me role dhe tipa, personazhe dhe karaktere, të cilat rrëmbyen adhurimin e artdashëve për të mbetur në kujtesën e gjeneratave.

Veprimtarinë e tij interpretuese e shohim teksa shkëlqen me rolet në komedi, skeçe, parodi e pantomimë, dialogje dhe forma të tjera të shkurtra të estradës. Mbeten emblematike për shikuesit dhe admiruesit e tij të shumtë interpretimet, si: Latifi te “Sheqer-sheqer”, Rrema tek “Or ti i këshillit”, Hamdiu te “Mysafiri i paftuar”, Qyli (monolog) etj.

Fadil Hasa, repertorin e tij si artist e pasuron edhe me rolet në kinema, ku mund të përmendim, “Zëvendësi i grave” (1987), “Trapi i vjeter” dhe “Lutje dashurie” më 2005, për të shkëlqyer në rolin e tij kryesor te “Mao Ce Dun”, më 2007 dhe “Kronikë provinciale” më 2009. E veçanta e tij është loja me “seriozitetin” e shtirur të personazheve, duke nxjerrë në pah budallallëkun, naivitetin, dobësi dhe mangësi të caktuara nga karakteri. Këto falë shumë befasimeve të kendshme humoristike, që ai përdori, si dhe ndjenjës së lartë të ritmit apo përdorimit të frytshëm të kontrapunkteve.

Kishte një veprim dinamik në skenë. Ishte spontan, origjinal dhe i shpenguar. Spikaste për një përshtatje të mirë aktoriale në përjetimin e situatave ku gjenden personazhet. Rëndom, me karakterizime të imëta e me shije në mënyrën e të folurit, në gjeste e mimikë, ai ka ravijezuar me një përsosmëri të admirueshme tipa të shumtë nga shtresat të ndryshme sociale, si bujq, punëtorë krahu, familjarë, prind.

Ka sjellë në skenë me aq mjeshtëri dhe origjinalitet, herë të mençurin e herë budallain, herë të ngathtin e herë atë që “nuk ia ha qeni shkopin”. Të gjitha këto, duke ruajtur me natyrshmëri sensin e masës. Kjo është shfaqur si një cilësi e vyer e aktrimit të tij në aplikimin sa më të dobishëm të formave sarkastike; të farses, të burleskës, të ekzagjerimeve, të karikaturizmit, deri te “budallallepsjes” së qëllimtë të sjelljes së personazhit, etj..

Udha e tij në rrugën e aktorit ishte e gjatë, e suksesshme dhe frytdhënëse, nëse mund të quhet dhe të njihet edhe sot si fryt duartrokitja frenetike, admirimi i artdashësve. Jetoi një jetë modeste me shumë vështirësi si shumë personalitete, të cilët i bënë nder dhe e pasuruan artin dhe traditën e artit komik duke mos kërkuar asgjë në këmbim, as ndere as lëvdata, as kemare as llamburitje televizive. Ai ishte çfarë ne e tashmë e njohim dhe iku siç secili nga ne e ndjen në shpirt këtë ikje.

Pas një sëmundjeje të rëndë është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare, “Artisti i Merituar”, Fadil Hasa, njeriu modest i pretendimeve modeste që arriti të linte gjurmë kujtese dhe një emër të gjithmonshëm në artin komik dhe jo vetëm. Bashkë me aktorin e dhjetra roleve, ndalon zemra e një miku të mirë, një prindi të adhuruar dhe të atij virtuoziteti që diti të na dhuronte kaq shumë buzëqeshje. Ai do të jetojë në ëndjen tonë për të qeshur, për të qeshur me gjithë shpirt.

Të qoftë e ndritshme udha e mashimit, Fadil Hasa.

Loading...