Ikën me kamion në Angli, tani janë në majat e shkencës botërore, njihuni me dy motrat shqiptare

Delegacioni i BE-së në Tirana ka publikuar në faqen zyrtare një video të dy motrave shqiptare Detina dhe Argita Zalli nga Patosi i Fierit, që sot janë shkencëtare në SHBA.

“Ato janë gra, motra binjake, shkencëtare: “Të gjithë kemi një zemër, të gjithë duam të bëhemi më të mirë, të bëjmë më mirë për shoqërinë dhe për veten tonë.” Detina dhe Argita Zalli janë nga Shqipëria dhe po bëjnë ndryshimin” shkruan faqja e delegacionit të BE-së. Por çfarë thonë dy binjaket shqiptare në video?

Detina: Ne jemi të dyja shkencëtare. Erdhëm në Britani nga Shqipëria. Shkenca ishte shpëtimi ynë, na hapi horizontet drejt diçkaje më të madhe. Kur erdhëm këtu e nisëm nga zero por falë Zotit ishim dy dhe kjo ishte forca jonë.

Argita: Ne ishim studente të mira dhe u vlerësuam nga mësuesit tanë anglezë të cilët na dhanë krahë për të fluturuar. Pas Britanisë, u zhvendosa në SHBA ku u pranova në Universitetin e Harvardit.

Isha një nga shkencëtaret më të reja dhe prej andej lindi ideja e themelimit të ‘Në flasim shkencë’ për të zhvilluar shkencën dhe mjekësinë jo vetëm në Britani dhe SHBA por edhe në komunitetete të tjera, përfshirë Shqipërinë. Ne mblodhëm studentë nga e gjithë bota. Hapi i radhës është të zhvendosem në Oxford ku unë do mësoj doktorët dhe klinicistët më shumë rreth kancerit, për të gjetur një ilaç më të mirë dhe për ndihmuar të gjithë ata që vuajnë nga kjo sëmundje.

Detina: Kemi mbajtur konferencë në Shqipëri ku kemi prezantuar kërkimet që kemi bërë në shkencë dhe ky është kontributi jonë, të bëjmë shqiptarët të ndihen më shumë pjesë e komunitetit të shkencëtarëve. Gjithashtu shqiptarët të ndihen më shumë europianë. Shqipëria ka përparuar, është bërë progres i mirë dhe po lëviz në drejtimin e duhur.

Argita: Ne të gjithë kemi një zemër, një shpirt, duam të bëhemi më të mirë për veten, për shoqërinë.

Historia e plotë e dy motrave:

Historia e dy motrave binjake nga Patosi-Fier, është sa e veçantë aq dhe me të papritura. Janë fëmijë të prindërve emigrantë që ia nisën aventurës drejt shtetit britanik me para të marra borxh dhe në një rrugë me shumë të papritura.Iu premtua rrugëtimi me avion, por përfunduan si thasë sipër një mauneje.

Ishte vitit 1999. Qëndrimi në Fier ishte bërë i pamundur. Prindërit vendosën që të emigronin. Po ku? Aso kohe flitej shumë për Anglinë e cila krahas Amerikës ishte një nga mbështetëset potenciale të luftës në Kosovë. Vetë kryeministri Tony Blair qe shprehur se “ duhet të korrigjojmë historinë në marrdhëniet e Evropës me kombin shqiptar.”

… Dhe familja Zalli vendosi që të nisej drejt Anglisë. Grupet e “bizneshit” të trafikut kishin krijuar zinxhirin e zgjatur që niste nga Shqipëria dhe kalonte nëpër shtete të Evropës, e zgjatej deri në Anglinë e largët. Duheshin para. Shumicën e shumës familja Zalli u detyrua që t’a merrte borxh. U premtuan për të shkuar në Londër shumë shpejt me aeroplan, por pastaj përfunduan sipër një mauneje, ilegalisht.Pas një udhëtimi raskapitës prej 8 ditësh e tetë netësh arritën.

-Kur e kujtoj atë udhëtim, më dridhet trupi, shprehet Detina në një rrëfim për gazetën Dielli.
Ajo dhe motra binajke, Argita, ishin fëmijë 11 vjeçarë dhe rrugëtimi i vështirë në një makinë të mbuluar ku të zihej fryma ishte një aventurë e dhimbshme, por kishte dhe më keq. Qindra e mijëra familje kishin udhëtuar në kushte më më vështira, madje jo pak patën humbur dhe jetën.

MIKPRITJA ANGLEZE DHE VËSHTIRËSITË E SHKOLLIMIT

Familja Zalli sapo mbërriti në qytetin –port Folkestone në Jug të Anglisë, u dërgua në stacionin e policisë, ku u përballën me pyetjet e oficerit të emigracionit.Pas intervistës, me plot pyetje pse dhe nga kishin ardhë, pas plotësimit të formularëve, familja u pajis me një lejqëndrimi njëmujor. I vendosën në një hotel refugjatësh. Një ditë më pas familja u paraqit në zyrat e “Social Services”, ku u regjistruan të katër pjestarët dhe u akorduan një asistencë prej rreth $170 në javë. Me këtë shumë duhej të ushqehej familja me katër persona. Detina kujton se populli anglez ishte mikpritës ,qytetarë të sjellshëm, veçanërisht moshat e rritura.

Për çdo pyetje të jepnin përgjigje, madje dhe të shoqëronin për të zgjidhë hallet.Natyrisht që kishte dhe nga ata që mjaftoheshin me një “I’m sorry”! Qëndrimin gjashtë mujor në hotelin ku i vendosën, Detina e kujton si një kohë mjegulle.Në kujtesën e saj kanë mbetur banorët e atij hoteli, disa familje shqiptare, por dhe shumë rome të Sllovakisë dhe Rumanisë, që pinin alkohool çdo mbrëmje dhe kacafyteshin me njëri-tjetrin. Por të nesërmen, sikur s’kishte ndodhë asgjë, i shihje prapë bashkë.

Prindërit, si shumica e shqiptarëve të rritur, fillimisht provonin vështirësi të shumta, sidomos për shkak të mosdijes së gjuhës angleze. Ata kishin nevojë që t’i shoqëroje kur duhej të shkonin nëpër zyra apo për vizita mjeksore. Detina dhe Argita e bënin me dëshirë rolin e përkthyeseve, jo vetëm për prindërit e tyre, por për shumë familje shqiptare.

Detina dhe Argita e kishin mendjen tek shkolla. U interesuan që në fillim, por punonjësja sociale u tha se duhej të prisnin një vit sepse regjistrimet për atë vit shkollor ishin krye. Motrat binajke u mërzitën shumë. Jo më pak dhe prindërit, që të gjithë këtë aventurë plot sakrifica e kishin ndërmarrë për ato.

-Nuk e imagjinoja dot veten një vit pa shkollë, thotë Detina, tek e kujton atë fillim të vështirë.
Shqetësimin e vajzave e vuri re pronari i Hotelit, një spanjoll i moshës së mesme, me të cilin vajzat komunikonin italisht. Me rekomandimin e tij u paraqitën pas javës së parë në një shkollë publike. Shkolla i testoi për njohuritë në gjuhën angleze, matematikë, biologji dhe fizikë. Kur e kaluan me sukses testin, gëzimi ishte i jashtzakonshëm. Do të shkonin në shkollë!

Në tetor nisën shkollën. Që në fillim shkëlqyen të dy motrat, por jo gjithçka shkoi si në vaj.
Ka pasur momente, kujton Detina, kur të dyja motrat, kanë qenë në prag të ‘dorëzimit”, lënies së shkollës. Arsyeja ishte se që në fillim u përballën me racizmin e bashkëmoshatarëve anglezë. Ata bëheshin grupe-grupe dhe përpiqeshin t’i vinin në lojë duke u thërritur në kor” sllovake”, rome…apo epitete të tjera.I shikonin motrat me uniformën e shkollës, ashtu siç e kishin blerë në dyqan, të gatshme, ndërsa ata i kishin të qepura sipas trupit, dhe sërish i vinin në lojë. Kur ishin në radhë për të marrë drekën në shkollë, u dilnin përpara duke e shkelur radhën dhe i linin të fundit, dhe askush nuk i ndëshkonte. U thonin fjalë të pista dhe shpesh herë i qëllonin me letra të bëra top ose sende të tjera. Jo rrallë i fyenin. Po ç’të bënin? Kujt t’i ankoheshin? Nëse do të ankoheshin sulmet do të ishin më të egra.Gjithçka ishte stresuese.

-Nuk e mohoj, rrëfehet Detina, bashkë me motrën, kemi qarë nga ky llojë racizmi.I fshinim lotët për t’mos u dorëzuar para tyre, ndërkohë që nuk guxonim t’u tregonim prindërve, për të mos ua shtuar hallet se boll i kishin të tyret.
Nuk u tërhoqën nga shkolla, përkundrazi, morën një vendim, t’ua thyenin hundët racistëve duke shkëlqyer në mësime.

Mësuesit ishin ndryshe. I respektonin për rezultatet e larta. Drejtori i Shkollës i merrte si shembull para të gjithë shkollës, duke i përgëzuar publikisht. Kjo ua mbante ngrohtë shpirtin. Pas mbarimit të shkollës publike, duke qenë se kishin siguruar rezultate shumë të larta, i dhanë të drejtë vetes që të konkuronin në një nga shkollat më të mirat në Angli, në “Grammar School”. Konkuruan dhe u përzgjodhën si fituese. Shkuarja në këtë shkollë, që dallohej për kulturë, nivel, përkushtim, rregull, disiplinë, mësimdhënie, shërbeu si një portë e sigurtë për të ardhmen. Gjithçka ishte si nata me ditën krahasuar me shkollën e mëparshme publike.

SHKËLQIMI NË UNIVERSITET

Studimet në “Grammar School” përfunduan sërish shkëlqyshëm. Pas tyre duhej zgjedhur universiteti. Mirëpo kishte edhe një pengesë të madhe për dy motrat binjake, të cilat po prisnin me ankth. Pengesa ishte se për të studiuar në Universitet duhej lejeqëndrimi. Familja ende nuk e kishte marrë statusin e qëndrimit. Kishte mbërritur muaji shtator dhe vajzat ende nuk ishin të qeta se leja s’kishte mbërritur dhe në ato kushte nuk mund të aplikonin për në Universitet. Ç’të bënin? Kur kishte mbetur edhe minimumi i kohës për të aplikuar,i plotësuan formularët e aplikimit për në Universitetin Sussex të Brighton-it dhe përgjigja u erdhi pozitive.

I kishin pranuar. Filluan studimet, por ato ende rrinin si mbi gjemba, nuk kishin dorëzuar statusin e qëndrimit. Pas dy javësh u kërkuan dokumentet për lejqëndrimin për të jetuar në Angli, ose për ndryshe duhejt ë paguanin 10, 500 Paund në vit secila. Ku t’i gjente familja Zalli 21. 000 Paund për të dy vajzat? Sërish fati nuk i la në baltë. Një amnisti e Qeverisë angleze për të gjithë familjarët që kishin fëmijë deri në 18 vjeç erdhin pikërisht në atë kohë.

Por do të duhej kohë që të tërhiqej nga zyrat e emigracionit dokumenti zyrtar. Por sërish fati nuk i la në baltë: U gjet një punonjëse zemërmirë e Social Services që me shumë vështirësi arriti ta merrte me shkrim konfirmimin në Home Offices se familja Zalli e kishte fituar lejën e qëndrimit. Dokumenti iu dorëzua autoriteteve të Universitetit. U kalua dhe një situatë tjetër tejet e vështirë. Të tjerat vareshin nga ato vetë. Universitetin Sussex e përfunduan me rezultate të shkëlqyera duke i lënë hapur derën për doktoraturë.

NGA STETOSKOPI I FËMIJËRISË TEK MJEKËSIA MOLEKULARE

Detinën, fillimisht e tërhiqte një ëndërr-lodër e fëmijërisë. Të dyja motrat në fëmijëri ëndrronin të bëheshin mjeke. Madje prindërit u kishin blerë edhe stetoskopë-lodra dhe ato “seriozisht” vizitonin moshatarët në lagje. Kjo ëndërr e kahershme i shoqëroi edhe kur zgjodhën lëndët që do të studionin në ”Grammar School”. Zgjodhën lëndët mjeksore. Pra ato të dyja e ushqyen ëndrrën e fëmijërisë. Detina më thotë se ia kishtë vënë syrin Mjekësisë Molekulare, që ishte një degë e mjekësisë ku merreshin njohuri bazë për të, që jepte mundësi, natyrisht pasi ta mbaroje atë, të bëje zgjedhje të tjera.

Opsionet ishin të ndryshme; mund të vazhdoje për mjeke, mund të vazhdoje të studioje sëmundjet e ndryshme, apo mund të merreshe me kërkime shkencore. Kjo ishte arsyeja që Detina shkoi tek Mjeksia Molekulare. Detina më tregon se rezulatet e larta që patën arritë në Universitetin e Sussex u kishin dhënë privilegjin dy motrave që të zgjidhnin. Mirëpo të dyja binjaket ishin në dilemë për zgjedhjen. Deri aty kishin ardhë bashkë.

E patën shumë të vështirë që të vendosnin. Pyetën shumë nga profesorët e fushave mjekësore , u takuan dhe diskutuan me mjekë. Përfundimisht të dyja vendosën që t’i përkushtoheshin doktoraturës, por me objekte te ndryshme. Në rrëfimin e saj Detina ndalet në aspektin njerëzor, që i ndihmoi dy motrat për të marrë vendimin:- Duke qenë karaktere shumë sensibël karshi vuajtjeve njerëzore, përballjen me sëmundjet, morëm vendimin që të jepnim kontributin tonë modest për lehtësimin e vuajtjeve njerëzore dhe shërimin e tyre.

Detina vendosi që të vazhdonte doktoraturën me objekt zbulimin e të rejave shkencore në lidhje me kancerin, si gangrena e shoqërisë së sotme njerëzore. E motra, Argita, zgjodhi si degë Imunologjinë(sëmundjet infektive). Me këtë objekt e nisi Argita doktoraturën dhe e përfundoi me sukses ne universitetin e Birmingham. Sot ajo ndodhet në Londër, ku po vazhdon post-doktoraturën- kërkime shkencore në fushën e Imunologjisë në një nga Universitetet prestigjioze angleze, në University College London(UCL).Post-doktoratura e saj është fokusuar në fushën e Imunologjisë, e cila është përgjegjëse për sëmundjet infektuese, si dhe për sëmundjet e rënda, si kanceri apo sëmundjet kardio-vaskulare.Ajo po punon me një shkencëtar shumë të njohur anglez dhe po bashkëpunon me Harvard University.

DETINA SI ASISTENTE E NJË PREJ SHKENCËTARËVE MË TË NJOHUR ANGLEZË

Pasi vendosi për objektin e doktoraturës, Detina kërkoi se cili prej Universiteteve do t’ia mundësonte doktoraturën. Konkuroi dhe e fitoi vendin në një universitet me emër në Angli, në Universitetin Leicester. Ajo punoi aty me një nga shkencëtarët shumë të njohur anglezë Proffesor Fry. E fitoi këtë mundësi pas një konkurimi të fortë. Ajo u përzgjodh për të studiuar rreth një proteine që quhet ”Nek8”, mutacionet e së cilës siç janë bërë të ditura, shkaktojnë “breast cancer” si dhe “Polycystic kidney disease”, një sëmundje e veshkave e karakterizuar nga veshkat e zgjeruara, që të çojnë në dështimin e veshkave.

Projekti i Detinës konsistonte në të gjeturit se si kjo proteinë funksiononte në lidhje me proteinat e tjera, të gjente shtigjet molekulare dhe mënyrat për të ndaluar moskomunikimin e kësaj proteine me proteinat e tjera. Iu fut me pasion punës shkencore dhe e përfundoi suksesshëm një vit më shpejt se kolegët e saj. Në një nga gazetat shkencore të njohura angleze ajo publikoi një gjetje të rëndësishme shkencore.

Pyetjes se çfarë mendon Detina për përballjen e njerëzimit me sëmundjen e kancerit, ajo i dha këtë përgjigje: është sëmundja e rrezikshme që shqetëson shkencën dhe njerëzimin. Natyrisht se me punën e madhe të shkencëtarëvë, janë bërë shumë përparime në zbulimin e medikamenteve që e luftojnë dhe në shumë raste e shërojnë këtë sëmundje. Ka akoma shumë për të bërë. Mund të them që zbulimi më i fundit është bërë me një dietë…

Ka edhe shumë zbulime të tjera por është e vështirë ti shpjegosh për tu kuptuar nga njerëzit e thjeshtë në një shkrim si ky. Një ndër më të fundit është zbulimi i një diete e cila quhet: “Ketone diet” që konsiston në eliminimin e glukozave të tepërta në trup, pasi është një ndër faktorët që bënë të zhvillohet kanceri. Dita kur kanceri do të shërohet plotësisht nuk është e largët. Rëndësi të madhe ka gjithashtu edhe bashkëpunimi i njerëzëve me mjekësinë për tu kontrolluar dhe kapur në kohë kjo sëmundje që do të thotë shërim i padiskutueshëm edhe i shpejtë.

PËRZGJEDHJA NGA UNIVERSITETI I HARVARDIT

Si shkuat në Harvard, e pyes. Detina më spjegon se aplikimi për në Universitetin e Harvardit nisi si një lojë: Hajt, po e provoj! Ishte më shumë një sfidë ndaj vetes. Thjeshtë, thotë ajo, doja të dija limitet e mia.U shkrova atyre të Universitetit dhe u dërgova CV- në time. Kush nuk do ta kishte ëndërr që të shkonte në një nga universitet më të mira në Botë? Për fat, CV-ja ime tërhoqi vëmendjen e profesorit Roland Baron, një nga shkencëtarët më të mirë në Botë. Ai më kërkoi një intervistë paraprake me Skype. Intervista zgjati një orë.

Profesori ia bëri të qartë se gara ishte e fortë dhe numri i konkuruesve nga e gjithë bota. Detina ishte konkuruesi i parë i përzgjedhur për intervistë. Intervista shkoi shkëlqyeshëm. Më pas Profesor Baron e ftoi në Boston, ku ajo do të prezantonte punën e saj shkencore, që e kishte kryer më parë në laboratorin e parë. Përveç kësaj, qëllimi i udhëtimit drejt Bostonti, kishte dhe një arsye të dytë, shkencëtarja e re do të intervistohej nga një komision prej 8 shkencëtarësh të tjerë.

Gjithçka shkoi mirë. Me qetësi prezantoi punën shkencore dhe vëzhgonte reagimin e tetëshes së shkencëtarëve.
-E mbaj mend mirë, rrëfen tani Detina- sapo mbarova së prezantuari punën shkencore, profesori Baron po i shikonte shkencëtarët e tjerë me një buzëqeshje domethënëse. Në logjikën e Detinës, ajo buzëqeshje ishte marrë si shenjë e fitores: -Shikoni sa mirë që e prezantoi?!. Pas një ditë të lodhshme intervistash, profesori e fton në zyrë dhe i thotë: “Puna është jotja. Dua që ta bësh postdoktoraturën në laboratorin tim!”.
Vajza mbeti paksa e çuditur me këtë përgjigje pasi nuk e kishte pritur se beteja do të fitohej kaq shpejt.Sipas procedurës përgjigjet ktheheshin pas një jave.

Gëzimi ishte përtej caqeve. E kishin fituar sfidën me veten, por jo gjithaçka kishte mbaruar. Detina nuk e dha atë ditë “Po-në’ e saj. Kishte dhe një pengesë. Familja jetonte në Angli dhe duke qenë shumë e lidhur edhe me motrën binjake Argitën, e pat të vështirë të vendoste. Profesori i tha se kishte një javë kohë për të pranuar ose jo ofertën. Foli me familjen,veçanërisht me Argitën. Ata e nxitën që të niste menjëherë. Dhe ashtu bëri.

Në shtator shkencëtarja e re do të nisë të provojë edhe një fushë të re, atë të pedagoges. I pëlqen mësimdhënia. Ajo do t’u japë studentëve të mjekësisë lëndën “Facial Anatomy Development and Genetics”. Më pas Detina zbulon edhe një pasion tjetër të saj, atë të marrjes me politikë:- Mbase do të duket paradoksale, por një tjetër fushë që më pëlqen është edhe politika…Të shohim si do të rrjedhin ngjaret, rrëfehet shkencëtarja 26 vjeçare.

Ka dhe një pasion tjetër Detina, që është i përbashkët për të dy motrat binjake; Letërsia. Me bashkautorësi dy motrat botuan librin”True Love”, “Dashuri e vërtetë”. Shkas ishte historia e një vajze, që ato e njihnin, të cilën e patën rrëmbyer për ta detyruar që të ushtrontë profesionin e “prositutës” në Itali. Në të vërtetë libri nuk përqëndrohet vetëm në historinë e asaj vajze fatkeqe. Romani i parë i nxiti motrat që të shkruanin romanin e dytë ”Good Morning Hope”,”Mirëmëngjes Shpresë”! Së fundi i kërkova Detinës një mesazh për të rinjët në marrdhënie me shkencën.

Përgjigja e Detinës: Të merresh me shkencë është bukur,eksituese, dhe mbi të gjitha intelektualisht sfiduese. Shumë njerëz mund të mendojnë që sëmundjet më sfiduese të njerëzimit nuk mund të shërohen edhe ka shumë prej të cilëve i shmangen një karriere në shkencë.

Eksperienca ime sado e vogël ka treguar që nëse një shkencëtar është shumë i pasionuar rreth shkencës, ka një ide të mirë edhe e ndjek atë ide, duke besuar në të, duke punuar me atë, duke ju përkushtuar asaj maksimalisht, ai mund të bëjë një ndryshim të madh. Ky është mesazhi që dua t’u jap studentëve të rinj kudo në botë. Mendoj që kjo është e vërtetë për çdo fushë. Jo vetëm për shkencën. Nëqoftëse doni të bëni një diferencë, një ndryshim, duhet të keni pasionin. Pasioni, përkushtimi, dhe puna, besoj janë tre armë që sfidojnë gjithçka dhe bëjnë që “e pamunduara” të mos egzistojë…

 

 

Loading...