Kadri Roshi “kujdestari” i paarritshëm!

Një ndër rolet e mbetura në memorien e shikuesit, nga plejada e roleve interpretuar nga aktori i njohur Kadri Roshi, është padyshim, “Kujdestar”, tek “Lulëkuqet mbi mure”.

Pavarësisht se ishte një rol negativ, me aftësinë e një aktori të jashtëzakonshëm, Kadri Roshi e bëri atë një personazh që nuk harrohet lehtë.

Nën regjinë e Dhimitër Anagnostit, ky film, u bazua në romanin “Bonjakët”, të shkrimtarit Petraq Qafëzezi.

Në qendër të filmit, janë përpjekjet dhe ndihma që dhanë debatikasit dhe të rinjtë shqiptarë, në luftën kundër fashistëve italianë, të cilët, kishin pushtuar vendin më 7 prill 1939.

Ngjarja zhvillohet në një nga jetimoret e Tiranës në vitet e pushtimit të Shqipërisë nga fashistët italianë, në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Jetimët e strehës vorfënore të ndodhur nën urdhrat e drejtorit dhe kujdestarit të tyre, detyrohen të pastrojnë netëve me radhë parullat anash mureve, që komunistët shkruanin herë pas here kundër armikut.

Katër shokë jetimë Jaçe, Lelo, Bardhi dhe Tomi, njëri prej cilëve kishte lidhje me të riun antifashist Aliun, në shenjë proteste ndaj pushtuesit fillojnë të organizojnë fshehurazi plane kundër disa bashkëpunëtorëve të urryer, të cilët njiheshin si shërbëtorë e spiunë të fashistëve italianë.

Dy prej tyre, të cilët ishin vënë dhe nën shënjestrën e komunistëve ilegalë, ishin drejtori i jetimores dhe kujdestari i saj.

Të nxitur dhe nga atentati i kryer nga Aliu kundër një oficeri italian, jetimët bëhen të guximshëm dhe mendojnë se si mund të rrëzojnë kujdestarin e tyre tradhtar nga shkallët e kapanonit ku flinin. Plani i organizuar prej tyre rezulton i suksesshëm.

Një natë kujdestari i dehur nga pija nuk e sheh fijen e spangos që fëmijët e kishin lidhur në të dyja anët e shkallës e si pasojë rrëzohet dhe thyen krahun. Të frikësuar nga kjo ngjarje drejtori i jetimores lajmëron fashistët italianë, me qëllim që ata t’u vinin atyre për ndihmë e të bënin të mundur kapjen e organizatorëve dhe pjesëmarrësve.

Por as italianët nuk ja arritën qëllimit, pasi të gjithë jetimët e marrë në pyetje heshtën. Heshti edhe Sulo, njëri nga gjashtë fëmijët e pastrueses së jetimores, i cili në të vërtetë nuk ishte jetim, por një i regjistruar gjoja si i tillë nga nëna e tij, pasi ajo nuk kishte mundësi ta ushqente.

Jetimi Sulo, të cilin kujdestari e kishte vënë për të spiunuar shokët e tij, nga frika e presioneve të vazhdueshme përpiqet të kapërcejë natën murin e jetimores, por vritet me armë zjarri nga patrullat e fashistëve italianë.

Disa jetimë, të cilët ishin dhe më të rritur në moshë, e braktisin jetimoren dhe hidhen në legalitet. Ata u bashkuan me grupin e debatikasve, të cilët edhe pse akoma fëmijë iu bashkuan luftës për çlirimin e vendit nga pushtuesit italianë.

Ata merrnin pjesë në shpërndarjen e trakteve dhe kryerjen e atentateve ndaj armiqve dhe bashkëpunëtorëve të tyre spiunë. Në role të tjera në këtë film interpretuan: Timo Flloko , Agim Qirjazi, Pavlina Mani, Liza Laska,Alfred Kote, Anastas Kristofori, Luan Qerimi, Enver Dauti, Enea Zheku, Gjergj Pilika,etj.

blob:https://www.youtube.com/b8e73c7a-81c2-432b-8007-7de61ffac84a

Loading...