Gjashtë Shkurt ishte,ja si sot……..! Nga Riza Çato
Kjo poezi u kushtohet të renëve në krye të detyrës nga një fatkeqësi natyrore që sot mbushin 38-vjet të ndarë nga ne. Kjo fatkeqësi ka ndodhur me studentët e Shkollës Bashkuar ku dhe unë isha atje si shumë miq dhe shokë të tjerë për stërvitjen dimërore në Malin e Dajtit. Unë i kujtova sipas mënyrës time duke përgatitur disa vargje për tu thënë se ne nuk ju kemi harruar dhe nuk do tu harrojmë sa të jemi gjallë. I pa harruar kujtimi i tyre!
Ikën vitet ,jo kujtimet
gjashtë Shkurt ishte, ja si sot.
M’u rikthyen hidhërimet,
syri prapë më pikojë lot..
Ikën vitet,por jo malli,
për ca miq e shokë për kokë.
I rrëmbeu ortek djalli
edhe i shtriu në tokë.
Ikën vitet,por jo dhimbja,
plaga shpellë në shpirtin tim.
Vdekja e tyre është e imja,
çdo orë lind një psherëtimë.
Ikën vitet unë po plakem,
ata ikën në rini,
Sa herë Dajti nis e zbardhet,
unë i kujtoj një nga një.
Ikën vitet,borë tinëzare,
mori ajkën e rinisë,
hapi plotë , njëmbëdhjet’ varre,
i shërbeu bindshëm zisë.
Ikën vitet,djemtë u tretën,
rininë kaluan në dhe,
ah që se gëzuat jetën,
dhimbjen thikë na e latë ne.
Ikën vitet si ujë kroi,
u bënë plot tridhjetë e tetë.
Kujtimi natën më zgjoi,
ikja juaj s’qe e lehtë.
Ikën vitet bashkë të ndarë,
në dy botë kemi jetuar.
Ju nuk ikët për tu qarë,
ikët për të na helmuar.
Ikin vitet u kujtova,
lutje bëra për ju sot.
Ashtu në shpirt u trazova,
malet u kthyen në lot.
Ikën vitet s’kanë të ndalur,
malli për ju nuk u shua.
Vdekjen Zotit s’ia kam falur,
gjer sa të më marrë dhe mua.
P.S. Po shkruaj dhe emrat e 11 dëshmorëve që humbën jetën më 6 Shkurt 1981:
1. Çlirim Pulaj – shef i planizimit
2. Dushan Shameti – komandant batalioni
3. Nikolla Bero – pedagog
4. Besnik Shehu – student
5. Ilir Gramatikoi – student
6. Bujar Ago – studetnt
7. Aleko Gjoni – student
8. Pëllumb Rrapo – student
9. Qemal Lika – student
10. Bilbil Pashaj – student
11. Nexhip Çoba – student