Nga Sejmen Gjokoli
Nga cikli “Visare trashëgimie”
KRYEVIOLINA E KËNGËS SË LAPARDHASË
Me këngëtarin e madh të Labërisë, Nazif Çela, “Mjeshtër i Madh”
Ishte vetëm dymbëdhjetë vjeç kur i jati, Sadedini, do ta merrte me vehte në Kaninë atë ditë kur do të merrtë të bijën në të parë.
Sipas zakonit bëhej davet më vehte dhe si më i vogli nga krushqia në odën e burrave ishte ulur andej nga fundi.
Kënga dunama më vehte po edhe dollia me okë. Po ta dëgjojmë dhe një herë këtë djalin – u dëgjua të thotë një nga të zotët e shtëpisë kur vuri re se djaloshi i holltë që ishte bërë sy e vesh me këngën e burrave ishte vëllai i nuses së re.
Sa kaq i vogëli nuk priti të thuhej dy herë, direkt ja nisi këngës:
“Nëntëqind e dymbëdhjetë,
Moj Vlora me histori,
Plaku Isamil Qemali,
President në Shqipëri…
E pa besueshme si vajti ajo këngë por më shumë u habitën gjithë burrat e ulur në trapezë të cilët i rrëmbeu kënga e një fëmije kënduar në vendlindjen e të zotit që i këndohej kënga.
Kjo për këngëtarin e ardhshëm mbetet kënga e parë por edhe shfaqia e parë përpara publikut, kështu i krahason të gjithë ata burra që mbushnin atë odë shtëpie ulur këmbëkryq rreth sufranit.
Feti Brahimi, rapsodi i madh i Lapardhasë, njëkohësisht organizator legjendar i grupit të vendlindjes së tij, ishte i pari që dalloi tek Nazifi elemente të spikatura, nga ato që i duhen një njeriu për të bërë këngë.
Ishte kjo arësyeja që fare të “njomë” ende pa mbaruar klasën e tetë e afroi në grupin e burrave, të atyre që mbanim më këmbë këngën vënçe të Lapardhasë.
Atë kohë njohi nga afër virtuozitetin e Zeqir Musait, Boro Alushit, Petref e Lavdosh Likajt, Sazan Brahimit e të tjerëve burra të fshstit dëgjuar për këngë.
Me disa prej këtyre ju desh të bënte rrugën e parë për në Gjirokastër, kalaja e të cilit disa vite më vonë do të bëhej sheshmejdani i mrekullisë së zërit të tij.
Këtu, në radio Gjirokastra, do të regjistronte tri këngët e para të jetës, madje këtë mban si datën zyrtare të ballafaquar me dëgjuesit e shumtë të kësaj “medie” emër madhe të jugut.
“Dola shokë, dola, malit për reva,
Nga mali Shushicës, për në Barçalla…”, thotë njera prej tyre e që Nazifi e ka ende një prej të preferuarave të tij. Edhe pse kënduar gati gjysëm shekulli më parë.
Në këtë rrugëtim të parë jashtë vendlindjes, krahinës e rrethit, nga grupi që disa vite më pas do bënte histori të madhe kishte vetëm Meleq Çelën, të dy të një moshe, të dy të pa ndarë një jetë.
Me Fetiun s’do ta ndante më as dita e as nata, kudo që kishte aktivitete kënge aty do të ishin me këngën vënçe të Lapardhasë.
Me të do ta ndante vetëm ushtria e cila do ta bashkonte me një tjetër rapsod e krijues të madh të këngës polifonike, këtë herë në Bregun e detit.
Dy vitet e ushtrisë në repartin e Pilurit do ti jepnin mundësinë e artë të njihej nga afër me Lefter Çipën, bardin e madh të Bregut e Labërisë.
Tregon Nazifi:
“Kishim shkuar si repart në fushën e Vanovës në ndihmë të bujqësisë, aty ishte edhe brigada e bujqësisë e Pilurit.
Aty e takova për herë të parë nga afër burrin që ma kishin bërë aq shumë të dashur këngët e grupit të tij që kishin marrë dhenë.
Aq duhej dhe mblodha grupin e këngës që kishim bërë si repart, të gjithë djem nga Lumi i Vlorës.
E pashë që më shikonte në sy, të njihte këtu e përtej në ishe a s’ishe për atë punë.
Dy vite bashkë i ndanim mbrëmjet aty në qëndër të fshatit te rrapi, aty bënte provat grupi, aty dëgjonim e këndonim dhe ne.
Sa herë këndonim bashkë me Vasillon, Ermionin, Qirjon, Vangjelin, Margaritin, Polon e të tjerë. Ishte koha kur ushtria bashkëpunonte me ekonominë më të afërt dhe Lefteri i cili merrej edhe me drejtimin e kulturës organizonte sa herëe koncerte të përbashkëta në të gjithë Bregun e Detit.
Për mua koha e Pilurit ishte një shkollë më vete, aty pashë se si punonte Lefteri për ta realizuar këngën siç ai e donte por njoha nga afër edhe këngëtarët e mëdhenj të këtij grupi…”
Me këto përshtypje e me këto hove, por edhe me besim më të madh brënda vehtes tani Nazif Çela do të linte ballkonin e Brgut e do të kthehej përsëri në vendlindje aty ku e prisnin jo vetëm njerëzit e shtëpisë e të afërmit por edhe shokët e këngës.
Kthehej edhe më i përgatitur por edhe më i qartë e i vendosur për të vazhduar udhën e nisur disa vite më parë me Feti Brahimin të cilit kthimi i tij do ti jepte krahë në “arenën” e këngës të Lumit të Vlorës e Labërisë.
Ishte koha kur grupet e Tërbaçit, Vranishtit, Smokthinës, Dukatit e më tej të Pilurit e Bënçës ishin bërë “pesha” të rënda në hapësirën e këngës labo-himariote.
Viti shënonte 1980 dhe festa tradicionale e Drashovicës që po afronte ishte një rast i volitshëm ku rapsodët e mëdhenj, perms grupeve të tyre “kruanin brirët” me njeri tjetrin..
Fetiu e kishte bërë gati këngën po edhe grupin të cilit tani do ti printe Nazifi.
Këtu përveç Meleqit rreth tij do bashkoheshin edhe të tjerë dijem të rinj e ku njeri prej tyre, Golik Likaj, do të merrte në “dorëzim” pozicionin e kthyesit, trashëguar në gen nga i jati, Petrefi, por edhe nga xhaxhai i tij Lavdosh Likaj.
Në Shtatorin e Drashovicës grupi i Lapardhasë me këngën “Atë natë s’kish dalë hëna”do të befasonte të gjithë të pranishmit por më shumë specialistët e folklorit e grupet e tjera me emër.
Atë natë s’kish dalë hëna,
Qielli nxinte si katran,
Në dritare priste nëna,
Priste djalin partizan.
Dëgjoi nja dy të shtëna,
Dëgjoi dhe dy-tri fjalë,
Hape nënë të vijmë brënda,
Jemi dy shokë ilegalë…
Nazif Çela këtu do të shkëlqente, për herë të parë vokali i tij plot vibracione e shtrirje zanoresh përtej një këngë normale do të ngërthente të gjithë sa e dëgjuan.
Po edhe kompaktësimi i grupit tërësisht me të rinj dukej se e kishte kaluar “provimin” e publikut.
Disa herë i kthyer në skenë por edhe në minikoncertin me grupe të zgjedhura gjatë drekës me autoritetet e ardhura në festë.
Duket se pikërisht kjo këngë, kjo mënyrë të kënduari ka shërbyer si shtrat nga ku dy-tri vite më pas u ngrit “Janina”, kënga që do bënte revolucion e histori më vehte.
Nazifi tregon se Feti Brahimi, njeriu më i pa lodhur e më sedërqar që ka njohur, punoi shumë kohë, gati dy vite më përpara e nisi “gërmimin” për Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës 1983.
Zer e ler, mbase dhe njëqind këngë të vjetra kaluan në provë deri sa u ngulën fortë te Janina e famshme.
Edhe këtu kërkohej strategji e taktikë bashkë, grupet e tjera me të cilat do konkuronin ishin të gjitha me këngë të forta e të serta e ndaj u duhej të zgjidhnin një mënyrë tjetër të kënduari, siç dhe bënë.
Këngët do të kalonin në një “laborator” që s’kishte as qelqe e as eproveta por vetëm shpirt dhe gryka njerëzore.
Fetiu ishte edhe vetë një marrës kënge po më shumë një usta vargu e melodie, siç ndodhi edhe me këngën që i vunë syrin për Kalanë e festivalit e që lindi një mëngjes pranvere kur të dy me Nazifin ecnin duke kënduar si me vehte fushës së Lapardhasë për në Kotë.
Petrit Kadiu, përgjegjësi i kulturës në Kotë do të ngazëllehej kur ja prezantuan e menjëherë do ta fiksonte përmes akordesh tonalitetin.
Jo vetëm në përmbajtje, në teknikalitetin e mënyrën e të kënduarit por edhe në formë Lapardhaja arriti të vendosi rekord më vehte.
Vetëm gjashtë veta dhe të gjashtë vendosur në një radhë, ky do të ishte qëndrimi skenik. Kurrë më parë nuk kishte ndodhur një vendosje e tillë në grupet polifonike të labërishtes.
Lapardhaja e bëri. Haxhi Dalipi, muzikologu i shquar e udhëheqësi artistik i Vlorës do të brofte në këmbë kur i dëgjoi së pari atë ditë që grupet e kualifikuara për tregimin final performuan këngët e tyre të zgjedhura në sallën e Pallatit të Kulturës në Skelë.
Lapardhiotët nuk e kishin treguar më parë, e kishin mbajtur si “A”-si nën mëngë dhe ja dolën. “Thesar” e konsideroi qysh në fillim Haxhi Dalipi, të tillë e çmuan edhe Prof. Çesk Zadeja e Tish Daija ardhur nga kryeqyteti, nga Ministria e Kulturës.
“Gjashtë violinat e Lapardhasë” do ti konsideronte poeti i madh Xhevair Spahiu në reportazhin e botuar nga ditët e festivalit pas konkurimit në skenën e kalasë të grupit përfaqësues të Vlorës, shpallur “Laurantë i Festivalit”- ’83.
Vetëm gjashtë veta, gjashtë djem të rinj që shkruan së bashku histori të ndritur kënge: Nazif Çela, Golik Likaj, Meleq Çela, Remzi Likaj, Selim Likaj e Ylli Merkaj.
Një këngë e kënduar në mënyrën më mjeshtërore, e pa dëgjuar kurrë më parë si stil muzikor por edhe si interpretim. Prej kësaj kënge Nazifi u konsideruar nga marrësat më virtuozë të këngës labe ndërkohë që vokali tërësisht magjik e i pa përsëritshëm.
Asnjëherë më parë një këngë labe nuk ka mundur të arrijë këtë përkryerje në harmonizimin e të katërt elementëve përbërës; marrës, kthyes, hedhës, iso.
Janinës ç’i panë sytë,
Jaaa-jani-noooo,
Ish e premte ajo ditë,
Jaaa-jani-noooo.
Te pesë puset në grykë,
Jaaa-jani-noooo,
Zenel Çelua vetë i dytë,
Jaaa-jani-noooo….
Në ajër asgjë nuk luan, asgjë rrotull nuk pipëtin.
Ndërkohë pesë vite më pas, Nazifi me Golikun e grupin e “Janinës…”, me Feti Brahimin në krye do ti dhuronin fondit të artë të këngës polifonike shqiptare një tjetër perlë të çertifikuar.
“Legjenda e Tanës” do të rezultonte një tjetër befasi folklorike, prurë në polifoninë labe si asnjë hërë më parë. Duket se këtë radhë Tana gjeti zotat e vërtetë, dridhërimë më vehte.
Ashtu si edhe te “Janinës ç’i panë sytë” interpretimi i Nazifit me shokë mbetët i jashtëzakonshëm, të paktën të dy këto realizime mbeten produkte artistike për tu studjuar e analizuar në detaje nga shkencëtarë të fushës.
Bie fjala nuk ka një të dytë ndër këngët shqiptare me Iso që të ketë marrë qytetarinë francize si “Janina” po as edhe ndonjë këngëtar tjetër si marrësi i saj që të jetë bërë si zot shtëpie në skenat franceze.
Kontributi i Nazif Çelës në fushën e trashëgimisë kulturore shpirtërore është shumë dimensional madje i shtrirë jo pak edhe në rrafshin ndërkombëtar.
Këtu nuk themi vetëm në raport me korpusin e madh të këngëve të tij por mbi të gjitha me realizimin e disa prej majave të këngës polifonike shqiptare.
Në jo pak raste Nazifi si një nga polifonët brilant shqiptar e ka përcjellë atë edhe në pozicione aktoriale, kjo si shprehje e fuqisë që ka vet kënga jonë polifonike.
Shfqaia e “Elektrës” nga një trupë teatrore në Hollandë ku pjesë e kastës ishte edhe Nazif Çela së bashku me një tjetër emër të madh të këndimit labërisht, Fatbardha Brahimaj, tregon jo vetëm për magjinë e trashëgimisë tonë shpirtërore por edhe për kapacitetin e lartë interpretative që zotërojnë korifejtë e saj.
Pjesëmarrja në shfaqien tjetër “Vërtitu kokë e prerë” me autor poetin dhe krijuesin e madh, Petrit Ruka, dymbëdhjetë këngët e kënduara prej tij brënda një akti baladeks tregon gjithashtu për mjeshtërinë dhe virtuozitetin e këtij këngëtari lab.
Kështu Nazif Çela mbetet një prej korifejve më të mëdhenj të këngës së sotme polifonike, njëherësh “kryeviolinë” e “violinave” të Lapardhasë.
KRYEVIOLINA E KËNGËS SË LAPARDHASË!Me këngëtarin e madh të Labërisë, Nazif Çela, ‘Mjeshtër i Madh’
Loading...